Adoleshenti E.Poçka, banues në fshatin Podgorie, është vetëflijuar mëngjesin e së mërkurës në dhomën e tij me armë zjarri.
Sipas të dhënave, adoleshenti ka përfituar nga momenti që gjendej i vetëm në banesë, pasi prindërit e tij kishin shkuar në punë. Pasi ka marrë një pushkë që nuk dihet ende se ku e ka gjetur, i riu ka kyçur derën e dhomës dhe është vetëqëlluar, raporton Panorama.
Burime nga vendi i ngjarjes thanë se ai ka qëlluar në drejtim të vetes në pjesën e kokës, duke gjetur kështu vdekjen e menjëhershme. Mësohet se ka qenë pikërisht gjyshi i tij ai i cili ka shkuar për të parë nipin.
Ai ka konstatuar derën e mbyllur dhe është afruar në dritare për të parë se pse nipi kishte mbyllur derën dhe nuk përgjigjej, por është përballur me një skenë të tmerrshme. Kur ka parë adoleshentin e shtrirë dhe të mbuluar në gjak, ai ka hyrë përmes dritares në dhomë, ndërsa menjëherë ka kërkuar ndihmë për nipin e tij.
Të alarmuar ngabritmat e gjyshit, fqinjët kanë dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kanë qenë pikërisht ata, të cilët kanë sinjalizuar Policinë dhe ambulancën, pavarësisht se për 16- vjeçarin nuk kishte asnjë shpresë. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, Policia ka marrë në pyetje familjarët për të zbuluar shkaqet e mundshme që mund ta kishin çuar atë drejt vetëflijimit, por mes tronditjes ata kanë treguar se nuk dinin asnjë gjë që mund t’i kishte sjellë shqetësime djalit të tyre.
“Kohët e fundit kishte nisur të rrinte i mbyllur në vetvete, nuk dilte shumë, donte të rrinte vetëm në dhomën e tij dhe nuk ishte në humor, por nuk na kishte treguar ndonjë gjë që e shqetësonte apo e mërziste. Menduam se mund të ishte i lodhur nga shkolla dhe mësimet, ndaj dhe e linim të qetësohej”, kanë treguar në polici familjarët.
“Ne u nisëm për në punë dhe duke e parë që kohët e fundit ai sillej çuditshëm, i kërkuam gjyshit që ta kontrollonte. Ishte e tmerrshme kur na morën në telefon dhe na thanë të vinim menjëherë në shtëpi se djali nuk ishte mirë. Nuk na shkoi mendja se djalin do ta gjenim të vdekur. Nuk e dimë as ku mund ta ketë gjetur armën që na shkaktoi këtë tragjedi”, janë shprehur para grupit të ekspertëve dy prindërit e adoleshentit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/