Shekulli i Kokëdhimës: Fundi i palavdishëm i Republikës së Katërt

Shekulli i Kokëdhimës: Fundi i palavdishëm i Republikës së Katërt

69
0
Shares

Gazeta Shekulli e ish –deputetit socialist Koço Kokëdhima ka dalë nga rreshti duke kërkuar nga parlamenti që të mos votohet për pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e Vetting-ut duke tejkaluar cdo qëndrim oponent ndaj draftit aktual të reformës.

Si rrallëherë 6 vitet e fundit, gazeta ka shndërruar edhe faqen e parë të saj me një titull uleritës “Fundi i palavdishëm i republikës së katërt”; “një nekrologji të pavarësisë, një përzjerje hibride midis partitokracisë dhe ambasadorokracisë, një kushtetutë e dhunuar dhe një vend pa sovranitet”.

Kokëdhima përfundimisht vendoset plotësisht përballë PS dhe Kryeministrit Rama duke mos lënë asnjë dilemë pas për raportet që janë krijuar me Partinë Socialiste që nga përjashtimi i tij nga Parlamenti.

Shekulli i e konsideron draftin një deformim të sistemit aktual, që e quan si Republika e Katërt, nisur nga ndryshimet që i kanë ndodhur kushtetutës që pas pavarësisë dhe kanë përcaktuar sistemet qeverisës, nga mbretëria tek republika parlamentare. Ky parlament – theksohet në gazetë, në shkrimin e juristit shqiptar me banim në SHBA, Agron Alibali – nuk mund të marrë vendime të rëndësishme për kombin kur i ka mbetur më pak se 1 vit jetë.

“Deformimet filluan qysh me transformimin e sistemit zgjedhor, nga ai pjesërisht maxhoritar e proporcional, në sistemin e tanishëm proporcional rajonal, me lista të caktuara nga kryetarët e partive. Deformimet vazhduan me çmontimin e rretheve si themele të demokracisë vendore, dhe me mënjanimin e konsensusit në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës etj. Lufta kundër korrupsionit dhe spastrimi i sistemit të drejtësisë kërkon angazhimin frontal të mbarë shoqërisë.Një parlament të cilit i kanë mbetur jo më shumë se 300 ditë jetë nuk mund të marrë vendime me rëndësi thelbësore dhe afatgjata për shtetin dhe kombin”.

Një reformë pa vizion, pa vullnet politik, që çmonton pavarësinë dhe konsensusin për çështjet madhore. Shekulli shkruan se Vetting –u duhet bërë nga vetë shqiptarët.

“Së pari, reformës i ka munguar vizioni dhe vullneti politik konsensual. Ekspertët, edhe pse të respektuar, nuk mundet kurrsesi të imponohen mbi vullnetin e popullit, të përçuar nga përfaqësuesit e tij.

Së dyti, reforma nuk mund të çmontojë, me një të rënë të lapsit, themelet kushtetuese të shtetit shqiptar, ku spikasin “mëvetësia” dhe konsensusi për çështje madhore.

Së treti, kjo reformë bie ndesh edhe me proceset demokratike europiane, ku prirja e përgjithshme është që popujt e Europës së Bashkuar të kenë më shumë hapësira vendimmarrjeje në çështje që lidhen drejtpërdrejtë me ta. Në këtë kuadër, nuk ka kuptim që Komisioni Europian të marrë përsipër në Shqipëri angazhime që nuk i takojnë.

Në vend të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përse të mos e bëjnë vetë qytetarët e vendit procesin e kontrollit, konfirmimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Së katërti, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka vepruar përtej kompetencave të veta, pasi nuk është formuar dhe nuk ka tagër për të rishikuar Kushtetutën.

Së fundi, deputetët shqiptarë nuk mund të parashtrojnë në Kushtetutën e Shqipërisë angazhime që u takojnë taksapaguesve të BE-së dhe parlamenteve përkatëse, të cilat mund të lidhen vetëm me traktat ndërkombëtar”.

Për Shekullin votimi i reformës mund të bëhet vetëm nga një forum i posaçëm vendimmarrës, Asambleja Kushtetuese.

“Shqyrtimi i projektit duhet shtyrë. Vendi ka nevojë për reflektim, dhe jo ngutje. Deputetëve nuk u del koha as ta lexojnë materialin voluminoz, dhe jo më ta debatojnë e ta miratojnë. Ndofta periudhën e verës ata mund ta shfrytëzojnë për të vjelë mendimin e popullit në zonat përkatëse. Justifikimet se 21 korriku përbën kusht të domosdoshëm për hapjen e negociatave nuk qëndron. Përndryshe, më mirë të shtyhet hapja e negociatave, se sa të miratohet një produkt që nuk vlen. Koha ndoshta kërkon thirrjen e Kuvendit Kushtetues, sipas traditës e përvojës më të mirë shqiptare në kthesat historike të vendit: në Kuvendin e Vlorës më 1912, Kongresin e Lushnjës më 1920, apo me Asambletë Kushtetuese të mbledhura më 1923, 1926, 1928, dhe më 1991-1992”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY