Qeveria përfundoi projektligjin për faljen e detyrimeve, gjobave dhe kamatë- vonesave. Përfitues të amnistisë do të jenë drejtuesit e makinave dhe bizneset që kanë detyrime të papaguara në tatime dhe dogana.
Gazeta zbardh të plotë draftin e hartuar nga Ministria e Financave, që fal pa kushte 400 milionë dollarë detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa. Zbatimi i amnistisë sipas draftit do të shtrihet në dy periudha, falja pa kushte për detyrimet e krijuara para 2011 dhe falja me kushte për detyrimet pas 1 janarit 2012.
Makinat
Amnistia përfshin çregjistrimin e makinave dhe shuarjen e detyrimeve të papaguara, për të cilat nuk janë kryer asnjë veprim deri në dhjetor 2011. Për mjetet pas janarit 2012 do të falen gjobat, në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore. Sipas relacionit, përfitojnë 100 mijë drejtues të automjeteve që nuk kanë paguar detyrimet deri në dhjetor të 2011, ndërsa detyrimet e papaguara pas 1 janarit 2012 janë 5,3 miliardë lekë.
“Çregjistrohen të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 dhjetor 2011. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si, taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave.
Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve, që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë”, thuhet në relacionin e amnistisë.
Për të përfituar nga amnistia, drejtuesit e makinave kanë afat deri më 31 mars të 2017. Në rast se ata nuk paraqiten për të mbajtur mjetin aktiv, Drejtoria e Transportit shuan detyrimet dhe bën vetë çregjistrimin e mjetit.
Falja pa kushte
Në faljen e detyrimeve tatimore pa kushte, neni 5 i amnistisë përcakton jo vetëm gjobat, por edhe tatimin dhe kamatëvonesat përpara dhjetorit 2011, pavarësisht datës së konstatimit të tyre, duke përjashtuar nga kjo falje detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore si dhe rastet kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe.
Sipas relacionit siç janë gjobat që falen pa kusht, janë gjithashtu edhe detyrimet tatimore, kamatëvonesa dhe dënimet për tatimpaguesit që rezultojnë të çregjistruar nga QKR/QKB, me vendim gjykate ose pranë administratës tatimore.
Përfshihen edhe gjobat të llogaritura automatikisht nga Tatimet në masën 10 mijë lekë për çdo deklaratë të dorëzuar me vonesë. Për detyrimet doganore falen pa kusht ato para dhjetorit 2011, përfshirë detyrimet që aplikohen në import.
Falja me kushte
Projektligji parashikon në nenin 6 detyrimet që falen me kusht. Sipas relacionit për detyrimet pas dhjetorit 2011, falet 30% e tatimit të papaguar, kamatëvonesës dhe gjobës me kusht që 70% e detyrimit dhe kamatëvonesat për to të paguhen brenda datës 31 mars 2017.
Falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve në doganë, me kusht që detyrimet që paguhen në import të tilla si taksa doganore, TVSH, akcizë, taksë ambalazhi, taksa qarkullimi, taksë karboni dhe detyrimet e akcizës dhe interesat e lidhura me to, t’u përkasin periudhave pas datës 31 dhjetor 2011 dhe të paguhen brenda datës 31.03.2017.
Sipas relacionit, falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve të pagueshme në doganë, për mjetet të cilat kanë hyrë në territorin doganor shqiptar në mënyrë të parregullt nën regjimin e lejimit të përkohshëm, me kusht që detyrimet që paguhen në import, si TVSH dhe interesat e lidhura me to të paguhen brenda datës 31 mars 2017.
Nenet e amnistisë
Objekti i ligjit Ky ligj parashikon faljen e detyrimeve tatimore të papaguara, detyrimeve të pagueshme në doganë, përfshirë kamatëvonesat, interesat, dënimet administrative/gjobat, si dhe shuarjen e detyrimeve tatimore të mjeteve të transportit të çregjistruara, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Tatimpaguesit që përfitojnë
1. Nga falja e parashikuar në këtë ligj përfitojnë:
a) Tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv ose tatimpagues të çregjistruar, për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe vendore, sipas nenit 5 dhe 6 të këtij ligji;
b)Tatimpaguesit debitorë ndaj administratës doganore për detyrime sipas neneve 7 dhe 8 të këtij ligji;
c) pronarët e mjeteve të transportit, siç përcaktohet në nenin 10 të këtij ligji.
2. Përfitojnë nga falja sipas këtij ligji vetëm tatimpaguesit që rezultojnë me detyrime të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Tatimpaguesit që nuk përfitojnë
Nga falja e parashikuar sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilët janë dënuar me vendim gjyqë- sor të formës së prerë për fshehje të ardhurash dhe evazion tatimor dhe doganor ose kontrabandë, në kuptim të legjislacionit të fushës. Detyrimet tatimore që falen pa kusht
1. Detyrimet tatimore sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që rezultojnë të papaguara dhe që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2011 e më parë, pavarësisht datës së konstatimit apo evidentimit të tyre, por që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesve në datën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Dënimet administrative (gjobat) për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të aplikuara sipas ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2011 e më parë.
3. Janë gjithashtu objekt i faljes sipas këtij neni, detyrimet tatimore të mëposhtme që janë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji pavarësisht periudhës që i përkasin:
a. detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për tatimpaguesit persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar nga QKR/ QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruara në administratën tatimore.
b. Dënimet administrative (gjobat) tatimore, përfshirë edhe dënimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar sipas nenit 113 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”;
c. Janë objekt i kësaj pike edhe dënimet administrative për deklarata të padorëzuara me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 31.12.2016.
Detyrimet tatimore që falen me kusht
1. Detyrimet tatimore të papaguara sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që u përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janar 2012, të evidentuara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen nëse tatimpaguesi brenda datës 31.03.2017 paguan 70% të tatimit /taksës dhe kamatëvonesës përkatëse.
2. Dënimet administrative (gjobat) për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të personave fizikë dhe juridikë, që janë të evidentuara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe i përkasin periudhës pas Dhjetorit 2011, falen me kushtin që kontributi i papaguar dhe kamatëvonesat përkatëse pavarësisht periudhës që i përket, të paguhet brenda datës 31.03.2017.
Dënimet administrative të aplikuara sipas nenit 119, pika 2 të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i nënshtrohen faljes sipas kësaj pike, me kushtin që të jenë të evidentuara ose të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri në datën 31 korrik 2016.
3. Dënimet administrative (gjobat) që nuk aplikohen mbi një lloj tatimi/ kontributi/takse të papaguar, të cilat janë dënime për kundërvajtje administrative tatimore sipas kreut XIV të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dënime pa tatim, ose dënime të aplikuara sipas ligjeve të veçanta tatimore, që u përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janari 2012, të evidentuara ose regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri në datën 31 korrik 2016.
4. Me qëllim përfitimin e faljes së gjobave sipas këtij neni, kushti i pagesës së detyrimit tatimor të papaguar prej 70% të përcaktuar në pikën 1, llogaritet dhe zbatohet mbi vlerën totale të tatimit dhe kamatëvonesës, për të gjitha detyrimet që i përkasin të njëjtit tatimpagues.
Detyrimet doganore që falen pa kusht
1. Falen detyrimet e pagueshme në doganë sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore, që u përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2011.
Detyrimet doganore që falen me kusht
1. Detyrimet e pagueshme në doganë, që u përkasin periudhave pas datës 31.12.2011 të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen, nëse brenda datës 31.03.2017, paguhet 70% e shumës së detyrimeve të pagueshëm në doganë pa gjobat. Në kuptim të kësaj dispozite, kushti i pagesës së detyrimit të pagueshëm në doganë prej 70% llogaritet dhe zbatohet mbi vlerën totale të detyrimeve të pagueshme në doganë për të gjitha vendimet që i përkasin një tatimpaguesi.
2. Falen dënimet/gjobat që janë pjesë e detyrimeve të pagueshme në doganë për mjetet të cilat kanë hyrë në territorin doganor shqiptar në mënyrë të parregullt nën regjimin e lejimit të përkohshëm, me kusht që detyrimet që paguhen në import, interesat e lidhura me to të paguhen brenda datës 31.03.2017.
Detyrimet tatimore dhe doganore që janë në proces apelimi
1. Nëse tatimpaguesi është në proces ankimimi administrativ ose gjyqë- sor për detyrimet tatimore/detyrimet e pagueshme në doganë, përfiton nga falja vetëm për detyrimet e papaguara përfshirë ato për të cilat është vendosur garanci, nëse brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, heq dorë nga ankimi/procesi gjyqësor, ose rekursi administrativ dhe u nënshtrohet dispozitave të këtij ligji.
2. Administrata tatimore ose doganore për detyrimet e falura sipas këtij ligji në rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Për detyrimet tatimore ose doganore që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në legjislacionet përkatëse, pas përfundimit të afatit të zbatimit të këtij ligji.
Procedura e çregjistrimit të mjeteve dhe faljes së detyrimeve
1. Çregjistrohen të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 dhjetor 2011.
2. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si: taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave e tarifave. Tatimpaguesit/personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda datës 31.03.2017 të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e çregjistrimit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij.
3. Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë.
4.Nëse brenda datës 31.03.2017 personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë çregjistrimin e mjeteve dhe shuan detyrimet tatimore për këto mjete.
5.Lista e mjeteve me targat përkatëse të çregjistruara sipas këtij ligji i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Afati i zbatimit
1. E drejta e tatimpaguesve që të përfitojnë nga falja me kusht sipas nenit 6, 8 dhe 10 në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mund të ushtrohet deri në datën 31 mars 2017.
2. Tatimpaguesit për të cilët falja aplikohet me kusht, nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj, nuk përfitojnë nga falja pas këtij afati.
3. Tatimpaguesit të cilët sipas një vendimi të administratave përkatëse, nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi. /panorama/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/