Image GalleryMbajti për disa ditë peng anijen “Çelepia 2” dhe ekuipazhin e saj, Adel Mohamed Salam rezulton të mos ketë probleme me drejtësinë egjiptiane.
Kur të gjithë prisnin që ai të merrte dënimin e merituar për rrëmbimin e anijes dhe zhdukjen e kapitenit të saj, Dhimitër Malaj, marinari egjiptian që mori përsipër rrëmbimin ka habitur të gjithë, ku përmes një komunikimi me të birin e kapitenit Damian Malaj rezulton të jetë i lirë dhe vazhdon jetën normale në Aleksandri të Egjiptit.
Gazeta “Panorama” disponon SMS-të reciproke dhe komunikimin audio përmes telefonit mes Salam dhe Damian Malajt, (djali i kapitenit).
Bazuar nga komunikimi në telefon dhe SMS-të, Salam rezulton të jetë lënë i lirë nga autoritetet egjiptiane, të cilat pak ditë më parë njoftuan Ministrinë e Jashtme shqiptare për arrestimin e rrëmbyesit të anijes “Çelepia 2”, si dhe gjetjen brenda mjetit lundrues në gjendje optimale shëndetësore marinarin Luan Mema.
Përmes SMS-ve dhe gjatë komunikimit në telefon, Salam i thotë djalit të kapitenit se e ka liruar në afërsi të Kretës në Greqi, teksa kthehej për në Egjipt dhe prej asaj ditë nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur me të. Salam betohet se nuk e ka vrarë kapitenin e anijes, por e ka zbritur në ishullin e Kretës, me qëllim të kthehej në shtëpi.
“Betohem se nuk i kam bërë asgjë të keqe Mitit. Nuk kam vrarë njeri. Nuk e di ku ndodhet Miti (Dhimitër Malaj). Unë u hodha ilaç gjumi dhe kur u zgjuan, u thashë se do ta çoja anijen në Egjipt. Miti nuk donte dhe unë i thashë të kthehej, të zbriste në vendin më të përshtatshëm.
E zbrita në Kretë, e hodha rreth 150- 200 metra larg bregut, pasi nuk donte të vinte me mua në Egjipt. Që prej atij momenti nuk kam pasur asnjë kontakt me Mitin. Luani është këtu në ambasadë dhe do të kthehet shpejt”, shkruan ndër të tjera me mesazhe në “ËhatsApp” egjiptiani Salam, i cili çuditërisht ndodhet i lirë.
Damiani, djali i kapitenit të zhdukur, thotë se deri tani babai nuk i ka kontaktuar asnjëherë, ndërsa në Policinë e Durrësit i kanë thënë se po punon Interpoli për kërkimin e Dhimitër Malajt.
Ndërkaq, autoritetet egjiptiane ende nuk kanë vendosur kthimin në Shqipëri të marinarit Luan Mema, për shkak se dyshojnë për bashkëpunim me pengmarrësin e anijes “Çelepia 2”. Anija “Çelepia 2” u mor peng rreth një muaj më parë nga egjiptiani Adel Mohamed Salam. Në bordin e anijes ndodheshin kapiteni Dhimitër Malaj dhe motoristi Luan Mema.
Salam u arrestua në Egjipt, por më pas u la i lirë, ndërsa policia liroi edhe pengun Luan Mema, i cili po mbahet në rrethana të paqarta në Egjipt. Ndërkohë, ende s’ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e Dhimitër Malajt.
Familjarët e këtij të fundit e konsiderojnë të humbur betejën për ta parë të gjallë kapitenin e anijes dhe familjes së tyre, ndërsa theksojnë se më tepër se zhdukja e kryefamiljarit po i vret heshtja e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë ngjarje, pasi janë treguar shumë indiferente. /Panorama/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/