Qeveria turke ka deklaruar se grushti i shtetit drejtuar nga një grup ushtarakësh ka dështuar. Sipas tyre ushtria nuk u përfshi por segmente të saj ishin organizatorët dhe egzekutorët e grushtit të shtetit.
Presidenti turk Reccep Tayyp Erdogan u ul me avion në aeroportin “Ataturk” të Stambollit ku e prisnin mijëra mbështetës. Ai paralajmëroi ndëshkime të ashpra për organizatorët e puçit ushtarak.
Grushti i Shtetit nëTurqi përfundoi por me një bilanc tragjik. Kanë mbetur të vdekur 114 persona dhe 150 janë plagosur, 17 prej tyre agjentë. Pas raportimit të qeverisë turke për dështimin e grushtit të shtetit u paralajmërua se përgjegjësit do ta paguajnë shtrenjtë. Nga raportimet e para flitet për 1563 anëtarë të forcave të armatosura turke janë arrestuar, ndërkohë që janë shkarkuar 29 gjeneralë dhe 5 kolonelë.
Kryeministri Yildirim deklaroi në orët e para të mëngjesit se situata ishte pothuajse nën kontroll.
Më herët ai kishte urdhëruar forcat ushtarake besnike që të shënjestronin helikopterët, avionët dhe tanket e përdorura nga grupi i ushtarakëve pjesëmarrës në grushtin e shtetit.
Një helikopter i tyre u qëllua teksa po fluturonte mbi Ankara, duke vrarë të gjithë pjesëtarët në bord.
Të shtëna sporadike raportohen ende në disa qytete të vendit dhe ka raportime se grupe ushtarësh pjesë e grushtit të shtetit po vijojnë rezistencën.
Mediat vendase thonë se ata zotërojnë ende disa tanke dhe helikopterë dhe kanë refuzuar deri më tani që t’u dorëzohen autoriteteve.
Presidenti Erdogan i cili u shfaq në orët e natës në Stamboll mes qindra mbështetësve i quajti “akte tradhëtie” ngjarjet, premtoi vendosjen para drejtësisë të autorëve dhe tha se ushtria “ka nevojë për pastrim”. Ai akuzoi Fejtullah Gylen per organizimin e sulmeve.
Nuk dihet ende se kush udhëhoqi përpjekjen për grusht shteti dhe cila është mbështetja që gëzon në radhët e ushtrisë.
Megjithatë, në një deklaratë, Ministria e Jashtme u kujdes të ndajë pjesëmarrësit në grusht me pjesën tjetër të ushtrisë.
“Forcat e Armatosura turke nuk ishin të përfshira në grushtin e shtetit. Ishte një klikë brenda forcave të armatosura që morën një përgjigjie të mërituar nga populli ynë”, thuhej në deklaratë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/