SHKAQET/ Pleqëria “po e kap” Shqipërinë në flagrancë

SHKAQET/ Pleqëria “po e kap” Shqipërinë në flagrancë

117
0
Shares

Image Gallery
Brenda 10 vitesh, Shqipëria pritet të vuajë kostot e larta të plakjes dhe pakësimit të popullsisë, teksa institucionet janë të vonuara dhe nuk po marrin masa për parandalimin e fenomenit. Numri i pensionistëve në vitin 2015 u rrit me 15 mijë persona, ndërsa popullsia e përgjithshme e vendit u tkurr me 6276 persona. Rritja emigracionit më shumë se parashikimet e çon në projeksione ogurzeza popullsinë e vendit në dekadën e ardhshme.

Blerina Hoxha

Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, por askush nuk po i vë re “rrudhat” e saj, teksa shenjat e para të lodhjes kanë nisur të duken. Rritja e moshës së popullsisë po tejkalon parashikimet e institucioneve kompetente prej emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve, por emergjencat e ditës e kanë zhvendosur vëmendjen e politikë-bërësve dhe shoqërisë për të trajtuar me seriozitet problemin më madhor që do të përjetojë vendi në dekadat në vijim.
Skemat e pensioneve dhe mbrojtjes sociale kanë nisur të ndiejnë vështirësitë për shkak të rritjes të përfituesve, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare, vitin e fundit, po paralajmërojnë autoritetet se vendi po humb avantazhin kryesor konkurrues, kapitalin njerëzor në moshë të re dhe me kosto të lirë.
Numri i pensionistëve në vitin 2015 u rrit me 15 mijë ose 2.3%, ndërsa popullsia e përgjithshme e vendit u tkurr me 6276 persona.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha se popullsia në moshë të tretë mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi, duke lajmëruar përkeqësim të situatës që në këtë dekadë. Atë që Europa e zhvilluar e ka përjetuar për një shekull, vendi ynë do ta përjetojë për një brez.
Skemat e mbrojtjes sociale do të vihen në vështirësi për të financuar përfituesit, teksa numri i kontribuuesve do të vijë në ulje. Edhe në kushtet aktuale, skema e pensioneve është deficitare dhe financohet nga paratë publike të arkës së shtetit në masën 40%.
Hado shpjegon se efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre dhe nga ana tjetër, masat për amortizimin e fenomenit janë të vonuara. Çdo lloj mase që parashikohet apo merret nuk jep efektin e menjëhershëm, por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve, thotë eksperti, teksa shpjegon projeksionet ogurzeza të popullsisë deri më 2080.
Kryetari i Institutit Shtetëror të Sigurimeve pohon se institucioni i specializuar për projeksionet e popullsisë është INSTAT, që ka parashikuar ecurinë e popullsisë deri më 2060, por ISSH për efekt të skemës së pensioneve, i çon parashikimet deri më 2080, duke alternuar të dhënat e INSTAT me projeksionet e Kombeve të Bashkuara. Hado thotë se parashikimet japin rezultate të dhimbshme. Popullsia e vendit do të luhatet te 2 milionë banorët më 2080. Me skenarin normal, popullsia e Shqipërisë shkon në 2.7 milionë banorë që në fund të viteve 2030.
Situata ka gjasa të shkojë edhe më keq se kaq, pasi projeksionet e INSTAT për popullsinë kanë parashikuar në maksimalen e tyre emigracion 18 mijë persona në vit, ndërsa vitin e kaluar, kjo shifër ishte gati tre herë më e lartë.
Hado apelon për më shumë vëmendje në këtë drejtim, duke shfrytëzuar edhe përvojat ndërkombëtare që janë përballur me fenomenin para nesh. Frenimi i emigracionit nëpërmjet gjenerimit të vendeve të reja të punës dhe stimulimi i lindshmërisë janë disa nga format që mund të përdoren, thotë drejtori i Skemës Shtetërore të Pensioneve. Por duke marrë në konsideratë të gjithë skenarët e mbrojtjes nga fenomeni i plakjes së popullsisë, rritja e moshës së daljes në pension është e pashmangshme. Mosha e hyrjes në tregun e punës është rritur ndjeshëm, ndaj dhe tendencat janë që mosha e daljes në pension të shkojë në 70 vjeç, lajmërojnë ekspertët.

Plakja te dera
Vetëm pas 15 vjetësh, mosha mesatare e popullsisë nga 35 vjeç aktualisht pritet të arrijë në 41,7 vjeç, teksa 65-vjeçarët do të dyfishohen, duke arritur në 600 mijë persona, nga 318 mijë që janë aktualisht, projekton INSTAT. Por nëse emigracioni vijon me ritmet e dy viteve të fundit që nuk ishte parashikuar as në skenarët më pesimistë të Institutit të Statistikave, fenomeni i plakjes do të jetë edhe më agresiv. Sipas të gjithë skenarëve, numri i 80- vjeçarëve do të dyfishohet duke arritur në 120 mijë persona në vitet 2030 dhe numri i 15-vjeçarëve, nga ana tjetër, do të bjerë me 30% në këtë vit në dekadën e ardhshme.
Lindshmëria e ulët dhe emigrimi i vazhdueshëm në të ardhmen janë përcaktuar si shkaqet kryesore të plakjes së popullsisë së Shqipërisë. Numri i fëmijëve do të vazhdojë të bjerë me një të katërtën dhe numri i të moshuarve do të rritet me katër të pestat. Nëse emigracioni vijon me një bilanc neto negativ si dy vitet e fundit, me shumë gjasë vendi do t’i kthehet rënies natyrore të popullsisë tre vitet e ardhshme. Në vitin 2024, forca e re e punës do të jetë e barabartë me numrin e atyre që do të dalin në pension, çka do të thotë se, në kushtet ideale ku nuk do të ketë asnjë të papunë, pas 8 vitesh pensionistët nuk ka kush t’i zëvendësojë.

Kostot e pleqërimit
Procesi i plakjes së popullsisë sonë do të vendosë një barrë të rëndë mbi sistemet ekzistuese të pensionit dhe kujdesit shëndetësor. Duke qenë se njerëzit jetojnë më gjatë, përfitime si pensioni, kujdesi shëndetësor ose mbështetja për moshën e vjetër, do të paguhen për periudha më të gjata. Në një studim të posaçëm për plakjen të INSTAT, popullsia përtej moshës së pensionit dyfishohet dhe njëkohësisht popullsia në moshë pune që ofron fonde për sistemin e sigurimeve shoqërore zvogëlohet, si rrjedhojë sistemi bëhet i paqëndrueshëm dhe ka nevojë për transformime strukturore. Jetëgjatësia në rritje gjithashtu rezulton në kosto mjekësore dhe kërkesa në rritje për shërbime shëndetësore, sepse të moshuarit janë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve kronike.
Rezultatet e Censusit 2011 zbuluan se, rreth 30% e familjeve shqiptare përbëhen nga dy persona të moshuar, ndërsa të moshuarit që jetojnë vetëm përbëjnë rreth 8% të këtyre familjeve dhe pjesa më e madhe e tyre janë femra.
Një studim i Shoqatës Shqiptare e Geriatrisë tregoi se rreth 32% e të moshuarve vlerësojnë veten të pashëndetshëm dhe 10% me shëndet të keq. Rreth 23% e popullsisë mbi 65 vjeç ka raportuar se është me aftësi të kufizuar dhe femrat janë ato që shënojnë një përqindje më të lartë, kryesisht për vështirësitë në lëvizje.
INSTAT ka gjetur se 10% e personave mbi 65 vjeç janë të përfshirë në punë. Edhe pse disa prej tyre mund të punojnë nga dëshira për të qenë aktivë, shumë të tjerë janë të detyruar të punojnë nga pamjaftueshmëria ose mungesa e pagesës së pensionit. Sektori ekonomik, ku shumica e të moshuarve janë aktivë, është bujqësia dhe krahasuar me popullsinë në moshë pune, të moshuarit punojnë më pak orë. Më pak se gjysma e të moshuarve që punojnë angazhohen në më pak se 30 orë në javë.

Indeksi i vulnerabilitetit për të moshuarit, 35 bashki të ekspozuara shumë
Për të vlerësuar ekspozimin e të moshuarve, INSTAT ka ndërtuar indeksin e vulnerabilitetit për Shqipërinë. Qëllimi i këtij treguesi është të japë informacion për nivelin e vulnerabilitetit të të moshuarve në 61 bashki, sipas ndarjes së re administrative. Kjo qasje përcakton vulnerabilitetin duke ju referuar rrezikut që do të përjetojë një i moshuar: 1. që jeton vetëm 2. që jeton në shtëpi pleqsh, 3. që ka të paktën një aftësi të kufizuar (dëgjimin, shikimin ose lëvizjen), ose 4. që ka burim të ardhurash ndihmën sociale, remitancat ose të ardhura të një personi tjetër. Indeksi i vulnerabilitetit të personave 65 vjeç e lart është 1.14.
Vlera maksimale e tij vërehet në Bashkinë e Kukësit (1.34), ndërsa vlera minimale në Bashkinë e Finiqit (0.99). Nga 61 bashki, 35 prej tyre kanë indeks vulnerabiliteti më të lartë se mesatarja e vendit (1.14).
Ndërsa Indeksi Global i Mbikëqyrjes së Moshës ka vendosur Shqipërinë në vendin e 53-të në botë. Vendi ynë renditet më lart në fushën e mundësive, më 2014. Ka një performancë mesatare në fushën e sigurisë së të ardhurave, por renditet poshtë në fushën e shëndetit dhe gjendet edhe më poshtë në fushën e mjedisit mundësues.

Pensionet, përfituesit do të jenë më shumë se kontribuuesit
Në fund të vitit 1991, numri i përfituesve kishte arritur në 329 mijë, duke reflektuar një normë vartësie 4.5 kontribuues për 1 përfitues. Ky tregues, 6 dekada më parë, ka qenë edhe më i lartë. Në vitin 1966, më shumë se 7 persona kontribuonin për një person në pension. Por në vitet e para të tranzicionit, për shkak të rënies së sistemit ekonomik të diktaturës, që çoi në mbylljen e fabrikave shtetërore dhe kooperativave bujqësore, raporti kontribuues përfitues ishte 1.9 me 1 në vitin 1993. Situata duket se u përkeqësua në vitet në vijim. Defektet në tregun e punës dhe emigracioni lartë e kanë përkeqësuar raportin e mbulimit. Në fund të vitit 2015, raportimi i mbulimit kontribuues-përfitues ishte 1.2 me 1.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se, norma e varësisë së sistemit, që shpreh raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve, do të jetë 120 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2032, pra në nivelin 1.2 me 1 si aktualisht.
Për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe rënies së numrit të popullsisë në moshë pune, treguesit financiarë të skemës së pensioneve do të vazhdojnë të përkeqësohen deri në vitin 2030. Ritmi i rritjes së shpenzimeve do të jetë shumë më i lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke e bërë skemën edhe më të paqëndrueshme nga ana financiare. Si rrjedhim, deficiti aktual i skemës së pensioneve do të vazhdojë të thellohet, duke arritur pikën kulmore në vitin 2029.
Për t’i paraprirë zgjerimit të deficitit nga plakja e popullsisë që këtë vit, mosha e daljes në pension për gratë, po rritet me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.
Mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Astrit Hado tha se ndikim për përkeqësimin kanë dhënë lëvizjet demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja dhe tendencat e plakjes së popullsisë.

Përkeqësohet lindshmëria
Në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Indi, shkalla e fertilitetit është ulur teksa pabarazia dhe kosto e arritjes së një statusi social është rritur.
Studimi i fundit i Kombeve të Bashkuara tregon përmes një harte se si ka qenë ecuria e shkallës së fertilitetit në 5 vitet e fundit, si dhe parashikimi për vitet e ardhshme. Në 5 vitet e fundit (2010-2015), harta tregon se, Shqipëria është në zonën blu, të shkallës më të ulët të fertilitetit (norma 0-2.1) me një mesatare botërore prej 2.51. Të gjithë fqinjët ballkanas kanë të njëjtin nivel si shqiptarët, ashtu sikurse trendi orienton të njëjtën panoramë edhe në të gjithë Europën Perëndimore.
Sa i përket parashikimit, Shqipëria nuk shfaqet me ndonjë ndryshim të caktuar, veçse mesatarja botërore e kësaj norme do të ulet në 1.99. Raporti i UN tregon se faktorë si shkalla e ulët e vdekshmërisë foshnjore, aksesi në format e kontrollit të lindjes dhe zgjedhja për ta vonuar lindjen e një fëmije për të marrë një edukim më të lartë apo arritjen e një statusi ekonomik më të mirë ka çuar në rënien e fertilitetit.
Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2014 është afërsisht 3 mijë lindje. Për lindjet meshkuj kemi një rënie 8%, ndërkohë për lindjet femra rënia është 9%. Indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF) i cili është një tregues i standardizuar që tregon numrin mesatar të fëmijëve që një grua në moshë riprodhuese pritet të lindë, për vitin 2015 shënon 1,67 fëmijë.
Kjo do të thotë se 100 femra pritet të lindin 167 fëmijë nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshës janë këto të vitit referues, 2015. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Nëse shohim lindshmërinë sipas grupmoshave, lindshmëria ka rënë për të gjitha grupmoshat, por kryesisht kjo rënie ka qenë më e madhe për grupmoshat e mëdha 40-44 vjeç, gjë e cila ka sjellë rënie të lehtë të moshës mesatare në lindje.
Në vitin 2015, femrat lindin mesatarisht 26,7 vjeç, krahasuar me vitin 2014 ku kjo moshë ishte 27.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës së tyre riprodhuese.
Kjo do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 20% larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave.

Emigracioni kalon të gjitha parashikimet, po ikin te rinjtë
Në projeksionet afatgjata të popullsisë, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen u përkeqësua në vitin e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2015, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 42.922 persona, ndërsa migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë -17.076 persona.
Ndërsa sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azil kërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 66 mijë.
Në pjesën e të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, po për vitin 2014 (për 2015 nuk janë publikuar akoma), për Shqipërinë, grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë.
Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zinte 26% të totalit të azilkërkuesve.
Rritja e numrit të të ikurve në 2015-n pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungese direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri. Bizneset, në fakt, kanë filluar të ndiejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.
Sipas shifrave të bëra publike nga raporti i Eurostat, në tremujorin e katërt 2015, 70% e azilkërkuesve shqiptar duan që të jetojnë në Gjermani, ndërsa kërkesat e tjera ndiqen nga Franca, Suedia, Hollanda dhe Britania e Madhe.
Muajt e fundit vëmendja e shumë mediave botërore u drejtua te kriza e emigrantëve, një ndër sfidat që ka Europa momentalisht. Në mesin e shtetasve sirianë, afganë dhe irakianë, të shumtë në numër ishin edhe shqiptarët, sikurse edhe fqinjët ballkanas nga Maqedonia, Kosova, Serbia etj.
Tendenca e kërkesave për azil përgjatë 2015 ka pasur rritje sidomos në tremujorin e tretë në 2015, ndërsa vihet re që periudha më e “vakët’ është tremujori i parë i 2015.
Anketimet që ka bërë Banka Botërore, INSTAT dhe organizata të tjera qeveritare tregojnë se, arsyeja themelore e emigrimit të shtetasve shqiptarë është ajo ekonomike. Organizatat e profilizuara të fushës analizojnë se, emigracioni si fenomen masiv ndodh pas rënies së sistemeve politike, si në vitet 1990 ose pas krizave ekonomike si ajo e vitit 1997. Por faktor kryesor i hemorragjisë sistematike është besimi i pamjaftueshëm i qytetarëve të qeveritë vendase se kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen.
Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT. Por ekspertët shpjegojnë se gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031.
Banka Botërore tha pak ditë më parë se standardi i jetesës për të arritur vendet e BE-së do të zgjatet edhe më shumë, nëse vendi nuk rritet me ritmet 4%.
Papunësia ndër të rinj në Shqipëri është mbi 30% aktualisht. Ndërsa niveli i pagave mesatare është shumë poshtë vendeve të BE-së. Mungesa e perspektivës shihet themelore. UNHCR, në raportin për tendencat e emigracionit referoi se, më 2015-n, Gjermania pa një rritje dramatike të numrit të aplikacioneve të reja për azil nga shqiptarët me rreth 53,800 kërkesa ose gjashtë herë më shumë se një vit më parë.

FMN: Frenimi i emigracionit rrit ekonominë me 0.2%
Teksa vitet e shkollimit në Shqipëri janë rritur në dy dekadat e fundit në mënyrë të dukshme, nga ana tjetër kontributi i punës mbetet negativ, shprehet Fondi Monetar Ndërkombëtar në një analizë të posaçme për perspektivën e rritjes ekonomike.
Vitet mesatare të shkollimit janë rritur nga 9.5 në vitin 2000 në 9.8 në vitin 2005 dhe në 9.9 në vitin 2010, por kontributi i punës mbetet negativ, duke reflektuar kryesisht prirjet demografike të Shqipërisë.
Popullsia e vendit ra me 10% që nga fundi i regjimit komunist në fillim të viteve 1990, kryesisht për shkak të emigrimit masiv, thekson Fondi, teksa emigracioni vazhdon.
Pjesëmarrja e krahut të punës ka rënë gjatë tri dekadave të fundit, pjesërisht edhe për shkak të fluksit të qëndrueshëm të remitancave. Më tej, norma e punësimit ra gradualisht deri në vitin 2013, për shkak të maturimit në sektorin e ndërtimit.
FMN vlerëson se ulja e migracionit mund të ndihmojë në rritjen e prodhimit. Vlerësimet e INSTAT-it supozojnë se për 10 vitet e ardhshme, popullsia do të vijojë me rënie në ritmet 0.2% në vit. Ky është një supozim konservativ, duke pasur parasysh se, projeksionet e OKB shohin rritje. “Nëse migracioni neto do të reduktohet në zero, rritja reale e PBB do të përshpejtojë me 0.2 pikë përqindjeje.
Banka Botërore konfirmoi se Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve). Pas Shqipërisë, Serbia ka shënuar një emigracion neto në rreth 100 mijë persona në pesë vitet e fundit, por popullsia e saj është gati tre herë më e madhe se Shqipërisë.
Nivele të ulëta të emigrimit, sipas shifrave të Bankës Botërore, janë shënuar në Maqedoni dhe në Bosnjë, ku emigracioni neto është respektivisht me -4,999 dhe -2,506 persona.
Pas një stabilizimi në mesin e viteve 2000, emigracioni ka nisur të theksohet pas krizës së viteve 2008. Me këto ritme, rajoni i Ballkanit, sidomos Shqipëria, është duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës që zë mbi 80% të eksporteve në vend.
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet globale më 2016.
Shkalla e lartë e emigracionit ka një potencial rreziku 78%, në një kohë që në rang global, risku nga ky fenomen nuk është më shumë se 10%.

Plakja na bën më pak konkurrues
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin se reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.

2016, popullsia e vendit ra me 0.2%
Popullsia e Shqipërisë vazhdon të jetë në rënie. Krahasuar me një vit më parë, rënia është 0,24% në total, respektivisht shënohet një rënie 0,05% për meshkujt dhe 0,44% për femrat. Shtesa natyrore për të dy gjinitë është afërsisht e njëjtë. INSTAT raportoi se, rënia ka ardhur kryesisht nga migracioni neto, i cili është negativ dhe është më i lartë për femrat. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej është 51% meshkuj dhe 49% femra. Ndërkohë 57,2% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 42,8% jeton në zonat rurale. Zonat urbane janë më shumë të populluara nga femrat, 54,4% e popullsisë urbane janë femra. Ndërkohë në zonat rurale jetojnë më shumë meshkujt, këto zona janë të populluara nga meshkujt me 53,1% e popullsisë së tyre. Kjo shpjegohet dhe nga lëvizjet e brendshme të popullsisë, të cilat kanë qenë më shumë të orientuara nga zonat rurale në ato urbane dhe kryesisht për femrat. Nga lëvizjet e brendshme të vitit 2015, rezulton se 57,5% e popullsisë së larguar janë femra. Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2015 është 37,2 vite. Për meshkujt, mosha mesatare është 36,4, ndërkohë për femrat është 37,9 vite. Mosha mesatare më e lartë te femrat shpjegohet pasi ato kanë jetëgjatësi më të madhe. Për vitin 2015, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Kjo do të thotë se femrat jetojnë mesatarisht 3,6 vite më shumë se meshkujt.

I
ndeksi i plakjes, Shqipëria në zonën e rrezikut
Japonia është shteti më i vjetër në botë, me 23% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçe. Sipas një harte botërore të përpiluar nga Pew Research Center, jepet një panoramë e plotë e shteteve me popullsinë më të plakur.
E ndarë në zona, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia ndodhen në zonën e mesme. Situatë krejtësisht ndryshe paraqitet për fqinjin tonë Italinë, të cilët së bashku me Japoninë dhe Gjermaninë janë shtetet me popullsinë më të plakur.
Shteti më popullsinë më të re shfaqet Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011. Në vitin 2016, kjo peshë është rritur më tej, duke arritur në 13%. Kjo tendencë parashikohet në rritje në vitet në vijim.
Sipas raportit, popullsitë e reja zakonisht konsiderohen si një “dhuratë ekonomike” për shtetet. Kur mosha 15-64 vjeç, ajo aktive për punë, është më e madhe se sa mosha që nuk punon, zakonisht ka një nxitje dhe zhvillim të produktivitetit ekonomik. Po kur kemi të bëjmë me të anasjellën?
Shtetet duhet të gjejnë mënyrë që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur popullsisë së tyre duke u plakur. Pew Center tregon në studim se 41% e amerikanëve në moshë pune besojnë se nuk kanë asnjë siguri për benefite në kohën që do të arrijnë pensionin.
Ndërsa punonjësit plaken dhe dalin nga forca e punës aktive, njerëzit më të rinj supozohet se do të hyjnë në këtë skemë dhe të kontribuojnë në pagimin e taksave, që në moshë të madhe i mbështet ato. Por, dukuria e uljes së lindshmërisë është një tjetër arsye që i sjell vetëm probleme panoramës së të gjithë botës që po plaket.
Studimi tregon se me problematikën e plakjes po përballen kryesisht vendet e zhvilluara (ashtu sikurse edhe me uljen e fertilitetit), por në fakt, referuar të dhënave të studimeve të fundit, një popullsi e plakur nuk është më një fenomen që u përket shoqërive të zhvilluara, por edhe në zhvillim.
Në Shqipëri, jetëgjatësia do të rritet në 80 vjet deri në vitin 2025 dhe 25% e popullsisë do të konsiderohet e plakur në të njëjtin vit, sipas Kombeve të Bashkuara. Ndërsa referuar të dhënave të vitit 2011, të Kombeve të Bashkuara, numri i pensionistëve llogaritej në 560,000.
Sipas shifrave të INSTAT, numri i personave 65 vjeç e lart është rritur më shumë se 4 herë që nga viti 1979, që ka pasur 76.5 mijë persona 65 vjeç e lart dhe tani numri i tyre 318 mijë. Parashikimet tregojne se numri i tyre do te dyfishohet me tej deri me 2030. Për periudhën 2031-2050, projeksionet tregojnë që norma vjetore e rritjes së popullsisë së të moshuarve do të ulet në mënyrë të qëndrueshme dhe madje do të arrijë vlerë negative në vitin 2039, kur brezat që janë zvogëluar nga emigracioni me shkallë të gjerë të arrijnë moshën e vjetër. Përtej vitit 2050, norma e rritjes së popullsisë së moshës 65 vjeç e lart pritet që të rritet përsëri në një rritje vjetore mesatare me 0.5% në periudhën 2051-2060, ndërsa norma e rritjes së gjithë popullsisë do të mbetet negative gjatë këtyre viteve (-0.7%).

Si të reagosh
Ka shumë mënyra se si të shmangësh impaktet ekonomike dhe fiskale të një popullsie drejt plakjes, argumenton Pew Research.
Sipas tyre, duhet të nxitet marrja e emigrantëve rinj si dhe lindshmëria. Propozohet rritja e produktivitetit në sektorin shëndetësor dhe inkurajimi i pjesës së popullsisë aktive për punë.
Sipas shifrave të INSTAT, për vendin tonë, rezulton se dinamikat e jetës kanë sjellë ulje të lindshmërinë në Shqipëri nga indeksi më i lartë në Europë, në nivelin aktual me 1.7 fëmijë për grua – nën nivelin e zëvendësimit. Si pasojë, përbërja e popullsisë së Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore midis periudhave të censuseve të vitit 1979 dhe 2011, duke ulur numrin e të rinjve dhe fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga 37% në vetëm 21% të popullsisë. Kjo rënie do të jetë forca parësore e moshimit të popullsisë, një proces që ka filluar të ndihet në shoqërinë shqiptare.

“Monitor” 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY