“Konsensusi politik është e vetmja mënyrë për miratimin e reformës në drejtësi. Mazhoranca ti hapë rrugë miratimit të reformës në drejtësi”.
Këtë ka bërë të ditur kreu i PD-së Lulzim Basha, në përfundim të takimit të tij, me ndihmëssekretaren amerikane e Shtetit Victoria Nuland.
Për Bashën, PD e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, në përputhje me rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, ndërsa tre herë, sipas tij, ka lëvizur nga qëndrimet e saj, por kjo nuk është reflektuar në të njëjtën mënyrë nga mazhoranca.
Duke vlerësuar kontributin e Nuland, Basha ka apeluar se mbetet në dorë të mazhorancës, ti hapet rrugë kësaj reforme.
“Victoria Nuland është një mikeshë e vjetër e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një person i çmuar në rrugëtimin e vendit tonë, me kontributin e saj, përfshirë në reformat në drejtësi, dekriminalizimit, kundër korroruspionit etj.
Biseda u përqendrua te çështja e reformës në drejtësi.
PD ka dhënë kontribut substancial për këtë reformë. Për një vit e gjysmë ekspertët tanë kanë bërë një punë të mirë, për të mos lejuar kapjen e drejtësie nga mazhoranca.
PD e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, në bazë të rekomandimeve 88 të Venecias, bashkë edhe me tre propozime konkrete, për vendet e rezervuara, listat alternative dhe atij më të fundit të bërë publik nga Oerd Bylykbashi.
Ne e bëmë të qartë që kjo reformë mund të miratohet vetëm me një konsensus politik, ndaj kemi lëvizur nga qëndrimi ynë dhe presim ta bëjnë edhe mazhoranca.
Mbete ti hapet rrugë kësaj reforme nga ana e mazhorancës.
Nuland ka një rol të çmuar në këtë reformë, por nuk mund të flasë në emër të saj.
E vetmja rrugë, brenda rekomandimit 88, rrugë tjetër nuk ka për reformën në drejtësi”, u shpreh midis të tjerave kreu i PD-së Lulzim Basha në përfundim të takimit me Victoria Nuland.
Prononcim i plotë për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit Victoria Nuland
Pata një takim shumë konstruktiv me Ndihmës Sekretaren Nuland, një mikeshë e vjetër e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një person me kontribut të çmuar në rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë, që vazhdon të japë kontributin e saj për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve duke përfshirë edhe reformat e mëdha që pret dhe meriton vendi, reformën në drejtësi, reformën elektorale, reformën e dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit. Si rrugët që do ta çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt një qeverisje të mirë, të drejtë dhe frytdhënëse për ta dhe jo për oligarkinë.
Në këtë kuadër sigurisht që biseda u përqendrua tek çështja e reformës në drejtësi. Partia Demokratike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm substantiv, thelbësor për reformën në drejtësi. Për një vit e gjysmë ekspertët tanë, anëtarët tanë në komisionin Ad-Hoc të reformës në drejtësi kanë bërë të mundur përmes punës së tyre, përkushtimit të tyre, përmirësimin thelbësor të një drafti që nisi si një përpjekje për të kapur drejtësinë dhe për t’ia nënshtruar atë interesave politike të mazhorancës aktuale.
Sot ka mbetur një çështje e cila ndan palët. Partia Demokratike e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, zbatimin në mënyrë të plotë dhe tërësore të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Në këtë kuadër kemi bërë tre propozime.
I pari, që në fakt është propozim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ai i vendeve të rezervuara i cili është hedhur poshtë nga kundërshtarët tanë politikë.
Propozimin e listave alternative të formalizuar përmes draftit të miratuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në fund të majit.
Dhe së fundmi, propozimin tonë të tretë i bërë publik ditën e premte nga z. Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi.
Këtë kontribut historik, riktheva në vëmendje të zonjës Nuland dhe bashkëbiseduesve të tjerë së bashku me detajet e propozimit tonë të tretë.
Ne jemi të bindur se kjo reformë mund dhe duhet të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për reformën në drejtësi, veç konsensusit politik mes palëve. Ndaj Partia Demokratike ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e saj sa i përket propozimeve të mëparshme por duke mbetur besnike e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi dhe jemi të hapur që së bashku me palën tjetër, në mënyrë konsensuale ti hapim rrugë kësaj çështje të vetme që i ndan palët sa i përket miratimit në parim të draftit kushtetues për reformën në drejtësi.
Pyetje – Përgjigjet
Znj. Nuland e ka marrë përsipër një rol negociatori në këtë mes dhe a ju ka premtuar që do të gjejë një konsensus me palën tjetër?
Zonja Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së saj të parë të angazhimit me Shqipërinë. Jam i sigurt që do të vazhdoj ta ketë rol, jam i bindur dhe shumë mirënjohës për rolin e saj. Por unë nuk mund të flas dhe as nuk mund të bëj zëdhënësin e zonjës Nuland.
Z. Basha po thoni që jeni i bindur për kompromis,do të thoni që e përjashtoni mundësinë e dështimit të reformës në rast se nuk bëhen votat?
Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik.
Z. Basha a pati propozim konkret nga znj. Nuland?
Pati, diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera. Padyshim këto propozime do të jenë pjesë sa na përket ne e rrugëzgjidhjes. Ajo që mbetet për tu konfirmuar është vullneti i palës tjetër. Pala jonë ka një propozim mbi tavolinë, ka vullnetin të diskutojë këtë propozim.
Cilin?
Propozimin tonë atë që bëmë publik ditën e premte. Të diskutojmë mbi bazën e këtij propozimi. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88 për t’i dhënë Shqipërisë një reformë në drejtësi me konsensus politik. Rrugë tjetër nuk ka.
Të dielë të mbarë dhe mirupafshim!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/