Një tjetër institucion ligjzbatues lëshoi alarmin për mungesën e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Shërbimi Informativ Shtetëror ka njoftuar me shqetësim në dy periudha të ndryshme autoritet e Ministrisë së Transporteve, Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit për mungesën e masave të sigurisë në aeroport.
Në njërën prej shkresave dërguar Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në fillim të muajt maj, SHISH bënte me dije se në rrugë operative ishte njohur me përfundimet e tre testimeve të kryera në aeroport, ku problematikat e konstatuara, cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste apo që kishin qëllim kryerjen e veprave të tjera kriminale.
Letra e firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, është e klasifikuar “sekret”. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se nga institucionet përgjegjëse është mbajtur një korrespondencë intensive për marrjen e menjëhershme të masave për të rritur standardet e sigurisë që ishin konstatuara të cenuara.
Gjithashtu SHISH iu bën me dije këtyre institucioneve se po kryen monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe që në ditët në vijim do të kërkoj një takim të posaçëm, e cila u realizua me 13 maj, me mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil. E njëjta shkresë i është dërguar për dijeni dhe Ministrisë së Brendshme .
Për shtimin e masave të sigurisë dhe plotësimin e standardeve, SHISH i ka shkruar të njëjtave institucione dhe në vitin 2014.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i pyetur për përgjegjësinë e institucionit që ai drejton në lidhje me mungesën e masave të sigurisë në aeroportin e Rinasit dha ketë përgjigje: Ministria e Brendshme ka thënë se jemi në proces hetimi dhe ky proces hetimi do të shikoj të gjithë përgjegjësitë institucionale të gjithë faktorëve që lidhen me sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza”, të Tiranës. Në përfundim të hetimit të gjithë ata që janë përgjegjës do të përgjigjen sipas detyrave funksionale që kanë. Deri atëherë duhet të thellohemi, secili të thellohet së çfarë detyrash ka pasur për të bërë, i ka bërë apo si ka bërë”.
Katër punonjës të sigurisë së aeroportit dhe një i sigurisë së transportit të vlerave monetare janë lënë në burg si përgjegjës për mungesën e sigurisë në grabitjen e 30 qershorit. Hetimet po kryhen nga prokuroria e Krujës, Krimet e Rënda dhe policia, por grupi hetimor nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve. /TV Klan/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/