Që prej muajit shkurt, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka nisur monitorimin e disa qyteteve kryesore ne vend për sa i përket nivelit të ndotjes akustike
Vlora, Saranda, Tirana dhe Gjirokastra janë monitoruar në 37 pika. Nga ky monitorim, ka rezultuar së Fieri është qyteti në të cilin ndotja akustike është tej normave të lejuara nga Bashkimi Evropian, për të vijuar më pas me Tiranën.
“Norma e përcaktuar nga Bashkimi Evropian për monitorimin e ndotjes akustike gjatë ditës është 55 decibel dhe natën 45 decibel. Momentalisht kryeson Fieri, ndoshta edhe për efekt të punimeve dhe grupi i monitorimit e vuri re pasi rrugët ishin në proces rregullimi. Vijonte me Vlorën dhe pastaj me Tiranën”, shprehet Venela Prifti, e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Task Forca e ngritur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit pas monitorimit në Tiranë thekson se tre janë pikat më problematike.
“Është vënë re natën tek Shkolla “Edit’h Durham” dhe ish-Blloku, është parë një përqindje e lartë mbi normën e BE-së. Kemi 10% tejkalim mbi normën e BE-së ditën dhe 22% natën. Di që është reflektuar edhe në vitin 2015-t që zona e Bllokut e ka pasur normën më të lartë”, shton Prifti.
Berati dhe Korça janë dy qytetet të cilat do të monitorohen në muajt në vijim nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për sa i përket nivelit të ndotjes akustike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/