Luan Rama, deputet i Lëvizjes Socialiste per Integrim ka reaguar pas grabitjes spektakolare të paravenë aeroportin e Rinasit. Përmes një deklarate për shtyp, Rama tha se grabitja është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare.
“Ngjarja në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare. Nuk arrij të kuptoj se çfarë tjetër duhej të ndodhte më shumë se grabitja në mes të ditës në pistën e aeroportit që të tundet shteti e të vihen përpara përgjegjësisë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat janë sfiduar për të disatën herë në këtë mënyrë. Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit. Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme!”, – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Më tej, Rama theksoi se Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Informativ, Prokuroria dhe çdo institucion që ka detyrime ndaj sigurisë kombëtare duhet të mbajnë përgjegjësi dhe duhet të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes.
“Ngjarje të tilla nuk mund të mbulohen me statistika që si hyjnë në punë askujt dhe as me gërdufje nëpër konferenca shtypi! Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Informativ, Prokuroria e gjithkush tjetër që ka detyrime ndaj sigurisë kombëtare duhet të mbajnë përgjegjësi, duhet të bashkëpunojnë e t’i lënë karshillëqet e lojërat e fjalëve me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin jo vetëm të atyre që vodhën, por edhe të atyre që me veprimin apo mosveprimin e tyre morën masat shtesë të sigurisë për t’ua bërë më të lehtë banditëve, që për masat shtesë të sigurisë mund të merrnin edhe avionin e të bënin çfarë të donin me të!”, – shtoi z. Luan Rama.
Sakaq, z. Rama, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoi që të mblidhet menjëherë Komisioni i Sigurisë dhe të marrë në analizë këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në aeroportin e Rinasit.
“Përgjegjësitë e kompanisë private të sigurisë së aeroportit nuk mund të shërbejnë si alibi për të shmangur përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që kanë detyrimin kushtetues të garantojnë rendin dhe sigurinë kombëtare! Kryeministri duhet të nxjerrë përgjegjësinë e institucioneve shtetërore, pasi është në tagrin e tij koordinimi dhe bashkëveprimi i tyre. Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare do të kërkojë që sot të mblidhet menjëherë Komisioni i Sigurisë dhe të marrë në analizë këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në aeroportin e Rinasit, në pistën e aeroportit të një vendi anëtar të NATO-s, por një herësh i kërkoj edhe Presidentit të Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare posaçërisht për këtë ngjarje, të rëndë, të shëmtuar e të patolerueshme!”, – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/