Policia ka dhënë versionin e saj lidhur me tri rrahje nga uniformat blu të denoncuara në harkun e 24 orëve nga qytetarët të ndryshëm.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me njoftimet në media, sipas të cilave Policia ka ushtruar dhunë ndaj dy qytetarëve në Tiranë e Korçë, informojmë se:
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka filluar verifikimet për të gjithë punonjësit dhe strukturat e Policisë të përfshira në këto dy ngjarje.
Paraprakisht, nga të dhënat paraprake rezulton se:
Në njërin prej rasteve, konkretisht në Korçë, ku shtetasi i arrestuar Jurxhin Kulla pretendon për dhunë nga ana e Policisë, sqarojmë se Policia i është përgjigjur kundërshtimit me dhunë ndaj forcave të rendit.
Shtetasi Jurxhin Kulla ishte shoqëruar në ambjentet e Policisë nga Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet dhe është arrestuar për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.
Ky person është me precedent kriminal, pasi ka qenë i dënuar disa herë më parë:
– Në datë 10.11.2005 me vendim nr 293 të Gjykatës së Korçë është dënuar me 7 muaj e gjysëm heqje lirie për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, pasi më datën 21.06.2005 ky shtetas ka plagosur me thikë shtetasin A.K.
– Në datën 02.11.2007 është arrestuar për veprën penale “Trafikimi i Narkotikëve”, ku është dënuar me 8 vjet burg dhe është liruar me kusht në datën 19.03.2012.
– 3 muaj pas lirimit me kusht, në datën 22.06.2012 është arrestuar sërish për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ku është dënuar me 5 vjet burg dhe ka dalë nga burgu në datën 28.04.2015.
Për sa i përket rastit në Tiranë, sqarojmë se në datën 26.06.2016, ka filluar procedimi penal për “Mosbindje të punonjësve të policisë” në ngarkim të shtetasve:
– A.B., 46 vjeç, banues në Tiranë
-A. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, djali i tij.
Këta dy shtetas në datën 26.06.2016, rreth orës 00.30 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, duke udhëtuar me mjetin me targë TR3884 U, nuk i janë bindur shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore për të çuar mjetin në pikën e bllokimit.
Masa administrative e pashlyer prej afro 1 viti, ishte në vlerën 15.000 L (të reja) për mungesë siguracioni dhe sipas Kodit Rrugor automjeti duhet të bllokohet në pikë bllokimi deri në përfundim të procedurave.
Pas kundërshtimit të urdhërit për shoqërim të dhënë nga punonjësit e policisë, këta shtetas kanë braktisur makinën përballë ambasadës ruse dhe janë larguar me vrap në drejtim të Piramidës.
Gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, shtetasi A.B. është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të lehta.
Policia ka bërë të mundur kapjen e tyre afër Piramidës dhe i ka shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve, këta shtetas janë proceduar penalisht për “Mosbindje të urdhërit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga neni 242 i K.Penal.
SHÇBA vijon me verifikimin e veprimeve të punonjësve të policisë, në përfundim të të cilit do të marrë masat përkatëse.
Policia e Shtetit është e angazhuar t’i shërbejë publikut, duke kërkuar kontributin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari për të respektuar ligjin dhe rregullat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/