Basha: Zgjidhja për reformën në drejtësi gjendet te rekomandimi 88

Basha: Zgjidhja për reformën në drejtësi gjendet te rekomandimi 88

74
0
Shares

Kreu i PD, Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias në mënyrë që reforma në drejtësi të jetë e pavarur dhe larg duarve për kapjen e sistemit.
Nga asambleja e PR, Basha tha se zgjidhja tashmë nuk është në dorën e tyre, por në dorë të mazhorancës dhe nëse kjo nuk arrihet tha Basha, atëherë në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojë për një reformë në drejtësi  të pa kapur.
“Duke zbatuar të vetmin kusht të opozitës plotësimin e rekomandimit 88 të plotë dhe jo të pjesshëm si rruga që i ofron shqiptarëve një drejtësi të pavarur, të pa kapur dhe të pandikuar nga mazhoranca aktuale dhe aksione te saj për të mos iu nënshtruar gjykimit të pavarur. A do ta bëjmë dot? Kjo nuk varet nga ne. Ne e kemi thënë fjalën tonë: Nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimi i plotë i 88 të arbitrave të komisionit të Venecias, që është zotuar ky kryeministër se e pranon të plotë dhe pa censurë. Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias. Zgjidhja është aty, ne kemi formuluar në ditët e fundit metodat europiane të implementimit të parimeve të rekomandimit 88. Asnjë argument nuk është paraqitur nga pala tjetër.
Nëse nuk ja dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur të sabotojë reformën në drejtësi apo ta shtyjë vendin ne destabilizim politik përmes deligjitimimit të parlamentit atëherë le ti garantojmë sot shqiptarëve se opozita, alternativa e tyre i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë edhe për një reformë në drejtësi larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe krimit të lidhur me të, për një reformë sipas standardit të Venecias që sot garantoj shqiptarët që do të bëhet me ose pa Edi Ramën”, u shpreh Basha.
Nga ana e tij, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të partisë, bëri thirrje për një bashkim më shumë se kurrë të opozitës. Sipas Mediut duhen larguar ata që sot e shohin vendin si Pazar.
“Nevoja për të pasur një opozitë të mirë-organizuar e bashkuar në strukturë është një ballafaqim i yni. Një e keqe shumë më e madhe që ka hedhur rrënjë e nuk do të shkulet është hibride, ku pushteti i takon një klani, ku ligji është antiligj, ku qytetari është i pavlerë, ku flitet në emër të popullit dhe popullit i cenohen 1 mijë të drejta”, deklaroi Mediu.
Sipas tij, sot më shumë se kurrë opozita ka nevojë të diskutojë më të rinj të reja e intelektualë për të marrë çdo vlerë të çmuar.
fate mediu

 

 

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike mbajtur në Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane

Ti japim vendit një demokraci që nuk guxon të dhunojë votën apo të manipulojë numërimin, një drejtësi që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin qeveritar

Reformë në Drejtësi sipas standardit të Komisionit të Venecias, larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe krimit do të bëhet me ose pa Edi Ramën.

Opozita është më e bashkuar se kurrë kundër modelit “Rama, Roshi, Bushi, Prenga, Tahiri, Beqaj Ahmetaj” në qeverisjen e vendit.


lul bashaI nderuar z. Mediu, kryetar i Partisë Republikane,
Të nderuar anëtare të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë,
Ju falënderoj për ftesën dhe është kënaqësi të ndodhem sot në mesin tuaj ku me të vërtetë ndihem si në shtëpinë time. Siç dua, besoj dhe dëshiroj që edhe ju ndjeheni në shtëpinë tuaj, në Partinë Demokratike të Shqipërisë, jo vetëm në selinë qendrore në Tiranë por kudo ku demokratë, republikanë e aleatë të tjerë  të opozitës janë bashkuar, jo rreth numrave por rreth vlerave.
Jemi bashkuar rreth vlerave herët  në nisje të udhëtimit tonë për një Shqipëri europiane dhe euroatlantike. Në ditët dhe netët e gjata të një Shqipërie të lënë në mëshirën e fatit larg syve dhe vëmendjes së Zotit nga një diktaturë e egër, fundi i së cilës na gjeti më të varfër se Afrika Ekuatoriale, më të robëruar se Koreja e Veriut.
Por ja dolëm falë bashkimit tonë të vlerave që këto 25 vite në qeverisje së bashku dhe në opozitë së bashku duke besuar fort në vlerat që ndërtuan perëndimin, që ndërtuan Europën, që ndërtuan Amerikën ta nxirrnim Shqipërinë nga izolimi i gjithanshëm dhe të nxirrnim  izolimin nga shpirti dhe mendja e shqiptarëve që i regjimi kishte projektuar si “njeriun e ri”, pa shpirt, pa besim, pa identitet, pa shpresë dhe pa dinjitet.
Dhe sot falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer 25-vjeçar në opozitë dhe qeverisje shqiptarët janë qenie krejtësisht të ndryshme nga ata që u shfaqën 25 vite më parë. Ata lëvizin falë qeverisjes tonë pa viza në zonën Shengen.
Shqipëria ka varrosur një herë e përgjithmonë dilemat e saj ekzistenciale duke u anëtarësuar në aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës për të cilën z. Mediu ka një kontribut të veçantë dhe do të thosha historik në rolin e tij si ministër i Mbrojtjes gjatë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Dhe jemi sot një vend kandidat për një klub paqe dhe vlerash i cili me të vërtetë duket se ka marrë një goditje politike me largimin e  Britanisë së Madhe, por që mbetet sot e përgjithmonë jo në përmasat e tij gjeografike, as në strukturën e tij institucionale por në vlerat që e sollën bashkë e do ta mbajnë bashkë, pavarësisht prej të ardhmes që askush nuk e parashikon dot sesi do te jete, pikërisht në këto vlera respektin e patundur për të drejtat e njeriut, për individin si thelbin e një shoqërie të lirë, të drejtë dhe të mirë, respektin për pronën, shenjtëria e të cilës është përcaktuar si themeli i identitetit europian. Respektin për shtetin ligjor pa të cilin asgjë, as demokracia nuk ka kuptim, e madje kthehet në një rrezik siç e pamë 70 vite më parë në këtë kontinent. Dhe padyshim për një demokraci funksionale, ku mazhoranca qeveris në bazë të premtimeve e gjykohet në bazë të mbajtjes së këtyre premtimeve, e ku minoranca është e mandatuar jo vetëm nga votuesit e saj por nga e gjithë populli të luajë rolin e saj si gardian i shtetit ligjor, i Kushtetutës dhe i demokracisë.
A nuk janë këto vlerat që na bashkojnë më shumë se asgjë tjetër, njohjet, simpatitë personale, apo betejat e përbashkëta që kemi luftuar, humbur apo fituar së bashku. A nuk janë këto vlerat që na bëjnë të qëndrojmë fort në ditët e para të revanshit rilindës ku përtej premtimeve të bukura, premtimeve për 300 mijë vende pune e shtet ligjor, Edi Rama çorri maskën dhe u shfaq si një oligark revanshist, i lidhur, i marrë peng nga e kaluara e tij e qeverisjes së tij me krimin në Bashkinë e Tiranës. Trashëgimi që mori dhe e përcolli në qeverisjen e vendit duke i dhuruar shqiptarëve në vitin 2013 në vend të një të nesërme të sigurt dhe të  një ekonomie të fortë, të një shteti ligjor që funksiononte akoma më mirë se ç’funksiononte në qeverisjen tonë dhe një demokracie akoma më të përparuar, damkën më të zezë në 25 vite: bashkëqeverisjen me krimin.
Ne e pamë, ne e prekëm që në fillim këtë vullnet të mbrapshtë sepse ai i kishte rrënjët tek pakti politik i aleancës së qelbësirave, të vetë-pagëzuar kështu nga ata që i bënë thirrje vulgut të vulgut dhe të çdo krimineli të bashkohej, jo për një palë zgjedhje normale dhe për një rotacion normal, të cilin e pranojmë dhe e përshëndesim si një fakt të demokracisë, por si një bashkim antivlerash.
Me mendjelehtësi apo me prepotencë, pak rëndësi ka, pakti i bërë me krimin në vitin 2013 filloi të japë rezultatet e saj menjëherë pas këtyre zgjedhjeve.
Promovimi i personave me rekorde të tmerrshme kriminale, depërtimi i drejtpërdrejtë i këtyre personave në qeverisje, në parlament, në bashkitë e vendit, në Policinë e Shtetit, në dogana, në tatime dhe në çdo zyrë të shtetit, është rruga e vetme dhe më e zezë që Edi Rama krijoi në këto tre vite të keqqeverisjes.
Ky është themeli i çdo të keqeje tjetër. Në një shtet të kriminalizuar në çdo qelizë nuk ka si të luftohet korrupsioni, por ai merr hov, e arrin nivele të paimagjinueshme, në 2.2 miliard euro të zhvatura, të shpërdoruara, vjedhura, humbura në dy vite të qeverisjes.
Në një vend ku krimi bashkë-qeveris, ku krimi merr vendimet për çdo emërim, për çdo tender, në dogana e tatimet e shqiptarëve nuk është çudi që doganat dhe tatimet që janë kthyer në makthin e bizneseve të ndershme në mburojën e evazionistëve dhe klientelës së qeverisë tia dalin që me sukses vetëm në një vit të tjetërsojnë 400 milionë euro të shqiptarëve.
Në një vend ku krimi bashkë-qeveris  dhe është aleati më i fortë dhe më i sigurt i Kryeministrit, nuk kemi çfarë të presim tjetër pra, përveçse rënie të përshpejtuar ekonomike, mbyllje të bizneseve, shpunësim masiv dhe bashkë me to dëshpërim, kredhje ne depresion, eksod, si asnjëherë më parë, me përjashtim të viteve të para të tranzicionit.
Këto janë produktet e drejtpërdrejta të rilindjes së krimit dhe bashkëqeverisjes së saj me rilindjen e Edi Ramës.
Ne i pamë që në fillim, nuk u mjaftuan me denoncimet tona të cilat nxorën në dritën e diellit, para opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar me emër dhe mbiemër, fytyrat me biografitë e shëmtuara të njerëzve pa asnjë ditë kontribut në politikë, as djathtas, as majtas. Por me dhjetëra javë, muaj e vite në burgjet famëkeqe të Europës, për trafik droge, për shitjen e vajzave dh egrave shqiptare në tregjet e prostitucionit europian, për vrasje dhe krim të organizuar.
Dhe nuk u mjaftuam vetëm me denoncimin. Kjo opozitë, PD, PR, ne më të fortët që mbetëm, se pushteti e ka zakon t’i qëmtojë dhe t’i gëlltisë më të dobëtit, në këtë mënyrë i bën një shërbim të madh opozitës. Ne imponuam, jo me numra por me besimin e madh në vlerat tona reformën më esenciale të Shqipërisë në këto 3 vite dhe më të rëndësishmen në këto 25 vite, Ligjin për Dekriminalizimin.
Nuk erdhi si një vullnet i përbashkët, erdhi si një imponim, imponim i një shumice që tejkalonte numrat tanë në Parlament, që tejkalonte anëtarësinë tonë e tejkalonte, jam i sigurt edhe votuesit tanë atëherë, sot dhe nesër.
Si një vullnet kombëtar që ekspozoi qartë se shumica parlamentare është një pakicë, një bandë e izoluar, jo vetëm nga votuesit opozitarë por edhe nga votuesit e vet. Gjithmonë e më e izoluar nga realiteti, nga dhimbja e madhe që ka shkaktuar në fshat dhe në qytet. Nga terrori me të cilin godet të pamundurit, të pambrojturin, njeriun pa akses në pushtet, i djathtë apo i majtë qoftë. Nga mizerja ekonomike që ka shkaktuar duke kredhur 46 % të shqiptarëve në një nivel varfërie ku familjet e këtyre 46 në 100 shqiptarë jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Ndërkohë qeveritarët janë kredhur në një luks të paparë, të shfrenuar, konkurrues edhe me Donald Trump e milionerët europianë, amerikanë apo sheikët e Arabisë. Ku i gjetën paratë vallë?! A mos iu lanë baballarët puse nafte?! Apo kompani e korporata të mirë-strukturuara fitimprurëse?! E kanë zbuluar korporatën e tyre të fitimit. Quhet oligarkia shqiptare dhe është ndërtuar mbi shtypjen, mbi vjedhjen, mbi krimin, mbi kurrizin e mijëra e mijëra shqiptarëve e në veçanti të atyre që punojnë, duan të punojnë e dinë të punojnë e që ndjejnë drejtpërdrejtë në vend të dorës mbështetëse të shtetit, kërbaçin dhe haraçin në shpinën e tyre, në xhepat e tyre në faturat e tyre të fryra, në taksat abuzive, në tavolinat e tyre, në bukën e fëmijëve.
Edhe këtu opozita jonë nuk ka ndenjur duarkryq. Nuk jemi mjaftuar vetëm me denoncimin. Kemi formuluar zgjidhjet. Platforma jonë e taksave të ulëta, e thjeshtimit të sistemit të taksave, e uljes së çmimit të energjisë, e kompensimit të energjisë për shtresat në nevojë, platforma jonë e zhvillimit ekonomik përmes prioriteteve të vërteta që janë infrastruktura shqiptare, bujqësia shqiptare, turizmi dhe energjia dhe jo zyrat e shtetit dhe Jaguarët për menderet e qeveritarëve është rruga e daljes nga kriza e gjithanshme ku e ka zhytur Shqipërinë Edi Rama dhe oligarkia e tij e korruptuar dhe kriminale.
Pra jemi bashkuar në vlera por jemi të bashkuar edhe në zgjidhje. Dhe kjo është detyra jonë.
Nuk ka shqiptar që nuk e sheh keqqeverisjen sot. Avantazhi është se ndodhem në shtëpinë time këtu në Partinë Republikane tek aleati ynë historik. Disavantazhi është që ato që Mediu i ceku këtu janë as më pak dhe as më shumë mendime dhe qëndrime tona, mendimet dhe qëndrimet e mia, ndaj pa përsëritur asgjë çfarë u tha më parë nga kryetari juaj më lejoni tu them se detyra jonë sot nuk është thjeshtë të konstatojmë dhe të denoncojmë, pavarësisht se e bëjmë dhe duhet ta bëjmë deri në fund të mandatit tonë si opozitë, por opozita është edhe alternativa, është edhe zgjidhja, është edhe shpresa. Ndaj dhe kemi formuluar dhe së bashku po konsultojmë me qytetarët, me biznesin, me fermerët, me intelektualët, rrugët tona të daljes nga kriza. Për ti ofruar Shqipërisë një model me të vërtetë europian të vlerave, me këmbë në tokë por me vështrimin drejt një destinacioni të cilin jam i bindur se mund ta arrijmë të gjithë së bashku: të një shteti ligjor i cili funksionon për të gjithë dhe jo vetëm për të mbrojtur të pasurin, të korruptuarin, kriminelin e për të goditur të pafajshmin. Të një demokracie që nuk guxon të dhunojë votën apo të manipulojë numërimin, të një drejtësie që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin qeveritar.
Kemi formuluar zgjidhjet tona ashtu si formuluam reformën e dekriminalizimit dhe e bëmë realitet me fuqinë dhe legjitimitetin e padiskutueshëm të sovranit, ashtu do të përparojmë drejt këtyre zgjidhjeve.
Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pyetja është; a do t’ia dalim bashkë me sovranin t’ia imponojmë sot kësaj oligarkie e cila bashkë me firmosjen e një sistemi të tillë zgjedhor të pacenueshëm ka firmosur “de facto” edhe largimin e saj nga pushteti?  Apo do të na duhet që ti bëjmë thirrje sovranit për ta larguar këtë qeveri dhe për të imponuar zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike e cila së paku nuk do të jetë në gjendje të cenojë standardet minimale zgjedhore për shqiptarët?
Pyetja është; a do ti imponojmë kësaj oligarkie, modelit Rama, modelit të Elvis Rroshit në bashkitë e Shqipërisë, modelit të Prengës me shokë në Parlamentin e Shqipërisë, modelit të Arben Ahmetajt të çarterit në ekonominë e Shqipërisë, modelit të Saimir Tahirit dhe njëmijë e një gjirizeve të tij të krimit, modelit të Elisa Spiropalëve në dogana e tatime, një drejtësi të pavarur, hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe të pa kapur, as nga duart e dukshme as nga duart e padukshme të kësaj qeverie duke zbatuar të vetmin kusht të opozitës, plotësimin e rekomandimit 88 të plotë e jo të pjesshëm si rruga që u ofron shqiptarëve një drejtësi të pavarur, të pa kapur e të pandikuar nga mazhoranca aktuale dhe aksionet e saj të jashtëzakonshme për ti mos iu nënshtruar hetimit dhe gjykimit të pavarur?
A do ta bëjmë dot ?! Kjo nuk varet nga ne. Ne e kemi thënë fjalën tonë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimi i plotë rekomandimit 88 të arbitrit të arbitrave, Komisionit të Venecias që është zotuar ky kryeministër në Tiranë, Bruksel dhe Uashington që e pranon të plotë dhe pa censurë. Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë me pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias. Zgjidhja është aty.
Ne kemi formuluar në ditët e fundit mënyrat, format, metodat europiane të implementimit të parimeve të rekomandimit 88. Asnjë argument nuk është paraqitur nga ana tjetër dhe asnjë argument nuk mund të paraqitet përveçse dëshirës të shpallur tashmë para shqiptarëve dhe të lidhur me ankthin të kësaj qeverie e në veçanti të këtij kryeministri për të qenë subjekti i një drejtësie të pavarur.
Nëse nuk ia dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur me çdo kusht të sabotojë Reformën në Drejtësi apo ta shtyjë vendin drejt destabilizimit politik përmes deligjitimimit të Parlamentit, atëherë le ti garantojmë sot shqiptarët se opozita, alternativa e tyre i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë edhe një për Reformë në Drejtësi larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe larg duarve të krimit të lidhur me të për një Reformë në Drejtësi sipas standardit të Komisionit të Venecias që sot i garantoj shqiptarët do të bëhet, me ose pa Edi Ramën.
Zgjidhjet dhe formulimet tona nuk kanë vlerë për sa kohë që ne nuk jemi pranë me qytetarët që ndjejnë ditë për ditë lakun që u shtrëngohet në fyt. Porositë për këtë parti sigurisht që i jep kryetari juaj, dhe ne edhe pse jemi aleatë kemi respektuar dhe respektojmë fuqishëm sovraniteti e forcave politike të çdo force politike në aleancën tonë. Por me lejoni ti jap forcë argumentit dhe porosisë që është dhe mbetet sot porosia për çdo opozitar: për të trokitur në çdo derë; për të dëgjuar nga afër dhe për të prekur e parë problemet dhe dhimbjen e madhe të shqiptarëve nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga lagjet qendrore të Tiranës deri në fshatrat më të thella të Shqipërisë, e për ti formuluar zgjidhjet tona jo në aula si këto, por aty pranë tyre, jo thjeshtë me bindjen tonë se janë zgjidhjet që mund dhe do të funksionojnë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe mjerimi ekonomik por po kështu me dëshirën, vullnetin dhe domosdoshmërinë për ti kthyer këto përmes një bashkëbisedimit të tillë te vërtetë e jo tribunash në zgjidhje të përbashkëta të shumicës absolute të shqiptarëve që kërkon një orë me më parë largimin e Edi Ramës nga qeverisja e vendit.
Ju faleminderit!

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY