FOTO/ Presidenti Nishani mikpret Kapitenët Regjentë të Republikës së San Marinos

FOTO/ Presidenti Nishani mikpret Kapitenët Regjentë të Republikës së San Marinos

83
0
Shares

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i uroi sot mirëseardhjen në Shqipëri, në një ceremoni zyrtare, Kapitenëve Regjentë të Republikës së San Marinos, Gian Nicola Berti dhe Massimo Andrea Ugolini, të cilët po zhvillojnë një vizitë shtetërore dy ditore, në Shqipëri, me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të të dy shteteve, Presidenti Nishani dhe Kapitenët Regjentë të San Marinos zhvilluan një takim të shkurtër kokë më kokë dhe më pas kryesuan bisedimet zyrtare mes delegacioneve të të dy shteteve. Bisedimet zyrtare u zhvilluan në frymë miqësore, frymë evropiane dhe dëshirë të përbashkët për t’i nxitur e forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe.
Presidenti Nishani shprehu vullnetin e palës shqiptare për t’i çuar më përpara marrëdhëniet mes dy shteteve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik. Kreu i Shtetit vlerësoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes dy shteteve tona të përmirësohet dhe të intensifikohet më tej, duke shfrytëzuar më mirë kuadrin ligjor që kemi në fuqi, por edhe duke eksploruar mundësitë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja, në funksion të krijimit të mundësive për bizneset sanmarineze për të marrë pjesë me investime të drejtpërdrejta apo në projekte të ndryshme zhvillimore.
Kreu i Shtetit i njohu miqtë nga San Marino mbi politikën e jashtme rajonale të konsoliduar të Shqipërisë, si dhe vlerësoi Kapitenët Regjentë për kontributin e drejtpërdrejtë të San Marinos në paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes njohjes që në fillim të pavarësisë së Kosovës.
Gjatë bisedimeve u vlerësuan edhe marrëdhëniet mes dy shteteve në organizatat ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë, si dhe u bisedua mbi zhvillimet e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, me impakt për rajonin e Adriatikut por edhe të kontinentit evropian.
Në fund të ceremonive dhe takimeve, Presidenti Nishani dhe Kapitenët Regjentë të Republikës së San Marinos dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në konferencën e përbashkët për shtyp


bujar nishani - kapitenet san marino1Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës!
Sot, kisha nderin dhe kënaqësinë që t’i uroja zyrtarisht mirëseardhjen në Shqipëri, Kapitenëve Regjentë të Republikës së San Marinos, zotërinjve Gian Nicola Berti dhe Massimo Andrea Ugolini, si dhe delegacionit që i shoqëron, në këtë vizitë shtetërore, dy ditore.
Kënaqësia për t’i mirëpritur në Tiranë drejtuesit e Republikës së San Marinos është e dyfishtë, pasi kjo vizitë përkon me një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve tona. 40 vjet më parë, më 21 qershor 1976, dy shtetet tona nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Megjithëse bilanci i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve dypalëshe në këto katër dekada nuk ka pasur shumë substancë, vlerësoj se intensifikimi i tyre praktikisht ka filluar në mesin e viteve ’90, pra pas ndryshimeve diplomatike në Shqipëri.
Gjatë bisedës së sotme, së pari kokë më kokë me Kapitenët Regjentë, por edhe gjatë bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve tona, ndamë dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për t’i nxitur dhe forcuar më tej marrëdhëniet mes dy shteteve.
I falënderova Kapitenët Regjentë për interesin e treguar për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë dhe i sigurova për vullnetin e palës shqiptare për të nxitur bashkëpunimin dypalësh veçanërisht në fushën e turizmit, të kulturës, por edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Konkluduam se ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes dy shteteve tona të përmirësohet dhe të intensifikohet më tej, duke shfrytëzuar më mirë kuadrin ligjor që kemi në fuqi, por edhe duke eksploruar mundësitë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja, në funksion të krijimit të mundësive për bizneset sanmarineze për të marrë pjesë me investime të drejtpërdrejta apo në projekte të ndryshme zhvillimore.
Gjithashtu, vlerësuam se organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit do të nxisë kontaktet e drejtpërdrejta mes bizneseve të të dy shteteve.
Gjithashtu patëm mundësi të vlerësojmë bashkëpunimin e mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të Kombeve të Bashkuara, si dhe përshëndeta qëndrimin e San Marinos në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut konkret për paqen, stabilitetin dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore.
Në mbyllje, dëshiroj që t’i shpreh edhe njëherë falënderimet Kapitenëve Regjentë për pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë dhe t’i uroj vijim të mbarë të vizitës dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri në këto dy ditë.
Uroj që kjo vizitë të shërbejë si një moment i rëndësishëm nxitjeje për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
Faleminderit për vëmendjen!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY