Prokuroria e Kurbinit ka dërguar për gjykim shtetasin Tom Lala, dtl.1947, i akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, ngjarje e ndodhur në dt. 02.04.2016 në fshatin Gallatë, ku pas një konflikti verbal, ka mbetur i vdekur shtetasi Mark Ndreca, i qëlluar me armë zjarri gjahu.
HETIMET
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Kurbinit, rezulton se viktima Ndreca ka pasur dy ditë para ngjarjes një debat verbal me bashkëshorten e autorit. Shkaku i këtij konflikti ka qenë i rëndomtë. Dy familjet, fqinje me njëra-tjetrën, kanë pasur debate të shpeshta lidhur me mbajtësen e urës që është në këtë fshat. Sipas familjes se autorit, ata e kanë sistemuar me të ardhurat e tyre urën dhe për këtë arsye e konsideronin si pronë të tyre. Ndërsa familja e viktimës pretendonte se ura është mirëmbajtur nga komuna Milot dhe për këtë arsye ajo nuk mund të përdorej si pronë private nga Tom Lala.
Ky konflikt ka pasur ulje-ngritje dhe ndërmjet dy familjeve ka pasur ftohje të raporteve fqinjësore. Në dt. 31.03.2016, pas një konflikti verbal ndërmjet viktimës Mark Ndresa dhe bashkëshortes së autorit, ky i fundit ka njoftuar policinë e Kurbinit, e cila ka referuar në Prokurori rastin, për veprën penale të “Kanosjes” në ngarkim të Mark Ndrecës.
Ditën e ngjarjes, në datë 02.04. 2016, autori Tom Lala dhe viktima Mark Ndreca janë përballur në rrugët e fshatit, të dy në drejtimin e mjeteve në pronësi të tyre. Në momentin që makinat kanë qenë paralel, Mark Ndreca ka ndaluar makinën dhe ka nisur të ofendojë Tom Lalën, për faktin se ky i fundit kishte bërë kallëzim në Polici. Në debat e sipër, Tom Lala ka nxjerrë armën e zjarrit të gjahut, të cilën e mbante me leje, dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas autorit, ai ka qenë i detyruar të qëllojë, pasi ka parë se viktima është përkulur në makinë dhe ka marrë një objekt që i është dukur si pistoletë.
Menjëherë pas ngjarjes, autori ka telefonuar Shefin e Komisariatit të Policisë së Kurbinit, të cilin e ka njoftuar se ka vrarë shtetasin Mark Ndresa. Më pas autori është larguar, duke u fshehur për dy ditë. Pavarësisht kërkimeve policore, ai nuk u arrit të gjendej deri në datë 06.04.2016, kur sërish autori Tom Lala ka marrë në telefon shefin e komisariatit dhe është vetëdorëzuar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/