Basha: Askush s’mund të zëvendësojë “Venecian”

Basha: Askush s’mund të zëvendësojë “Venecian”

68
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit, Edi Rama në konferencë për shtyp për ecurinë e negociatave për reformën në drejtësi.
Në deklaratën e tij, Basha theksoi se, Rama do të ofrojë një model drejtësie të korruptuar dhe të kapur për të mbrojtur qeverinë e tij të korruptuar.
PD, shtoi Basha kërkon që të miratohet një reformë në drejtësi që nuk kapet nga politika.
“45 minuta me figura bombastike, një përgjigje nuk ka. I iku 10 herë nenit 88”, u shpreh Basha duke iu referuar rekomandimit të Komisionit të Venecias për ‘vendet e rezervuara’”, u shpreh kreu i PD-së.
Vija e kuqe e Ramës sipas Bashës, është që ai të vendosë se cilët janë gjyqtarët e korruptuar dhe cilët jo.
“PD nuk ka vëllazëri me askënd përveç demokratëve dhe opozitarëve, ndërsa Rama ka vëllazëri me krimin”, u shpreh Basha.
Sa i përket qëndrimit të Ramës për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, kreu i opozitës e cilësoi si qëndrim të avokatit të Elvis Rroshit.
Në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit, Basha u shpreh prerë.
“Skandali i përgjimit është i yti dhe i Saimir Tahirit dhe të kokave të turkut që ke bërë. Mos e përfshi Italinë në këtë aferë, sepse është e jotja”.

 

Deklarata e plotë e kryetarit të PD-së Lulzim Basha

Opozita gati ta votojë sot draftin, Ramën se lë vëllazëria me krimin të pranojë rekomandimin 88


screenshot_1-63-655x356Edi Ramës i pëlqejnë fjalët e mëdha dhe shprehjet bombastike. E dëgjuat sapo mbylli një fjalim 45 minutash. U tha gjithçka por nuk iu përgjigj disa pyetjeve kryesore, në fakt një pyetje kryesore.
I pëlqejnë shprehjet figurative, metaforat, por në fakt ajo që i mbetet njeriut jo vetëm në politikë, por veçanërisht në politikë, nuk janë fjalët, janë veprat. Cili është modeli i Edi Ramës?! Çfarë i ofroi Shqipërisë në këto 3 vite,  tani që kjo maxhorancë ka nisur muzgun e saj me një Shqipëri në krizë ekonomike, me qindra,  mijëra shqiptarë në eksod apo me dëshirë për eksod, në situatë totale pasigurie për biznesin, për qytetarët, me krimin në pushtet të kurorëzuar në fron, në parlament e  në bashki.
Çfarë u ofroi shqiptarëve?!
Modeli i Ramës për bashkitë është Enver Rroshi sepse paska pasur edhe një emër tjetër, i hetuar jo vetëm për përdhunim por edhe për drogë e pastrim parash nga DEA amerikane. Modeli i Edi Ramës për paratë e shqiptarëve, për doganat është Elisa Spiropali. Me 5 milionë euro pasuri krekoset para bashkëpunëtorëve të saj. 400 milionë euro u kanë vjedhur shqiptarëve vetëm vitin e kaluar. Modeli i Edi Ramës për shëndetësinë është ilir Beqja me 350 milionë euro koncesione të ndara me miq për shërbime që nuk jepen kurrë dhe spitale pa illace etë katandisura më keq se në mesjetë. Për ekonominë modeli është “Beni Charter” që do të japë Skavicën pa tender e bën Pazar me pasuritë publike. Për rendin modeli është Tahiri i njëmijë e një lidhjeve me krimin, që bashkëbisedon me vrasësit në zyrën e tij, që jep makinën e tij private si taksi droge habilajve, dhe tani përgjues i paligjshëm.
Atëherë më thoni qytetarë të dashur, cili do të jetë modeli i Ramës për drejtësinë?! Çfarë modeli ka ndërmend ky njeri për drejtësinë?!
Është e kuptueshme që ka të njëjtin model, të korruptuar, të kapur e të urdhëruar prej tij. Modelin që do ta ndihmojë,  do ta ushqejë  dhe do ta mbajë të paprekur modelin e tij qeverisës me krimin e korrupsionin, modelin e  regjimit të tij që po i merr frymën çdo shqiptari demokrat e socialist.
Ndaj PD ka marrë përgjegjësinë e saj dhe unë si kryetar i opozitës kam marrë përgjegjësinë time dhe jemi investuar pikërisht për një Reformë në Drejtësi, që nuk e mbron por e lufton krimin dhe korrupsionin.
Kush ndihet i kërcënuar me këtë reformë?!  Unë, kryetar i opozitës që i denoncoj këto afera ditë për ditë me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme?! Apo shefi i zullumit?!
45 minuta, 45 minuta me figura bombastike, një përgjigje nuk dha madje i iku 10 herë nenit 88. Nuk e lexoj tha. Ia kam lexuar unë dy herë në takim dhe në konferencë. Me siguri po na ndjek tani dhe po e lexoj për herë të tretë.
Rekomandimi 88 i opinionit final të Komisionit të Venecias, arbitrit të vetëm për reformën në Drejtësi, për Tiranën, për Brukselin për Uashingtonin, do apo s’do ti. “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët e gjyqtarët të katër institucioneve” jo të dy, pra të katër institucioneve “ata do të zgjedhin  një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të ndikonte sigurimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes” .
Po këta çfarë janë?! Seksioni i Partisë Demokratike në Venecia? Dega jonë në Venecia janë këta?! Klubi i shokëve të mi studentë në Venecia janë këta?!
Jo mo jo, ky është Komisioni I Venecias. Nuk ekziston për ti dhënë kontroll politik Lulzim Bashës mbi sistemin e drejtësisë por ekziston për të mbrojtur sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe kudo vend tjetër nga kontrolli politik i qeverisë dhe në këtë rast nga kontrolli politik i Edi Ramës,
E kupton shumë mirë këtë ai. Është kapur si pas fijes së kashtës pas atyre që duan të zëvendësojnë Venecian. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë ndihmuar për këtë reformë. E kam mirëpritur dhe e mirëpres ndihmën e tyre në të ardhmen. Por ta harrojë çdokush se mund ti mbivendoset apo të zëvendësojë Komisionin e Venecias. Në Republikën e Shqipërisë e katandisur kështu siç e ka katandisur kjo qeveri, për fat ka një opozitë dhe një kryetar opozite që i përmbahet standardeve perëndimore të demokracisë. Dhe ky standard më dikton hapur pa asnjë dilemë ti them çdokujt se standardi i artë është Komisioni i Venecias dhe nuk mund të zëvendësohet nga asnjë  autoritet tjetër në faqen e rruzullit tokësor.
Këtë Edi Rama e di shumë mirë dhe mendon se do t’ia hedhë me fjalë.
Dhe atij i pëlqejnë fjalët e bukura. Vende të rezervuara tha që nuk jap por përfaqësimin proporcional për dy organet është gati ta japë. Hajde tani ta interpretojmë këtë. A nuk tha të njëjtën gjë dje?! A nuk është ky një pranim i pjesshëm i rekomandimit 88-të?! Këtë thotë ky rekomandim që ky thotë që nuk e kam lexuar megjithëse ia kam lexuar ditën e hënë, javën e kaluar.
Pra e pranon por për dy dhe jo dy të tjera. Këtu është vija e kuqe?! Për çfarë?! Që të vendosësh ti se cilët gjyqtarë janë të korruptuar e cilët jo?! Që të vendosësh ti se cili prokuror është i korruptuar dhe cili jo?! Ta them që tani se prokurori që heton Erion Velinë për dosjen e falsifikimit të firmës është i pa korruptuar se nuk po e zbardh. Ky që vendosi arrestimin e dy drejtorëve të policisë dhe pezullimin e këtij tjetrit për përgjimin, për të cilin po bën çdo gjë, ky është i korruptuar. Gjykata Kushtetuese që vendos heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës kërcënohet dhe i thuhet prit se po vjen reforma në drejtësi. Pse?! Sepse ligjin e zbatoi por jo siç e donte Edi Rama. Ky është problemi.
Vëllazëri. Brotherhood. Nuk ka vëllazëri Partia Demokratike me askënd tjetër përveçse me demokratët, opozitarët dhe qytetarët që mezi presin largimin e qeverisë tënde që i ka zënë për fyti. Ti ke vëllazëri, Brotherhood of crime. Rroshin, Bushin, Prengën, Ndokën, Frrokun 1, Frrokun 2, Cubin, e dhjetëra të tjerë që po dalin ditë për ditë. S’na e kishe kursyer as skafistin e 9 Janarit. E kishe bërë shef në kapitenerinë e Durrësit. Kjo është vëllazëria jote. Në emër të saj çirresh, në emër të saj shkruan hartime të gjata pa arritur ti përgjigjesh një pyetje të vetme. Pse nuk pranon atë që Venecia e përcakton si normë të mos kapjes politike të drejtësisë nga ty sot e çdo kryeministër nesër e pasnesër. Kujt i djeg miza nën kësulë?!
I gënjeve prapë shqiptarët kur ju the se duhet që radiologët të jenë transparentë, profesionalë dhe të pavarur. Por këtë kërkoj edhe unë. Çështja është; këta radiologë transparentë, profesionalë dhe të pavarur do ti zgjedhësh ti të gjithë?! Apo do ti zgjedhim së bashku pasi të kemi garantuar që gjithsecili prej tyre përmbush kriteret dhe kontrollin strikt në daç edhe ndërkombëtar të integritetit. Ama këta që kanë kaluar këtë kontroll s’mund ti zgjedhësh vetëm zotrote. S’ta them unë por ta thotë 88-ta që ti nuk do ta lexosh.
Shqetësues është fakti që sot nuk pate guximin ti kërkosh ndjesë shqiptarëve për mynxyrën e në veçanti kavajasve, për mynxyrën që u bërë me Rroshin. Kjo tregon se je i paaftë të pendohesh, kjo tregon që nuk pendohesh dhe kjo tregon se pa pendesë nuk ka reflektim dhe pa reflektim nuk mund të ketë përmirësim.
Ndaj sot nuk ke folur as si kryeministri i shqiptareve dhe madje as si kryetari i partisë më të madhe aktualisht në mazhorancë por si avokat i Rroshit. Asgjë tjetër nuk të pengon ty ti shtrish dorën opozitës dhe të pranosh rekomandimin e Venecias, përveç avokatisë së krimit, përveç frikës së tmerrshme që ke se pa këtë avokati del qartë jo si njëri por si kreu i brotherhood of crime, vëllazërisë së krimit.
Dhe së fundmi, mos e përziej Italinë në skandalin e përgjimit. Skandali i përgjimit është i yti, i Saimir Tahirit dhe i kokave të turkut që urdhërove për të përgjuar në mënyrë të paligjshme. Për këtë ne do të qëndrojmë fuqishëm deri në zbardhjen e plotë dhe vënien para ligjit çdo personi përgjegjës. Mos e përziej Italinë në këtë aferë, se është aferë e jotja 100 %. Sigurisht do vazhdosh ta përziesh më pas Italinë, Europën, Amerikën, Kombet e Bashkuara,  Nauru, Vanuatu, por përgjegjësisë për megaskandalin e përgjimit nuk ke për ti ikur dot dhe as nuk ke për ta tregtuar dhe bërë pazar me rastin e reformës në drejtësi.
Së fundmi, qytetarë shqiptarë, siç u kam thënë në këto ditë e javë, dua tu them edhe sot. Partia Demokratike është gati të miratojë që sonte draftin kushtetues. E vetmja që na ndan është rekomandimi 88-të që ai nuk do apo bën sikur nuk do ta lexojë. Arbitri ka folur. Partia Demokratike e ka pranuar dhe i vetmi që nuk e pranon është Edi Rama. Arsyet: brotherhood of crime.
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY