Zbardhet
drafti më i ri i reformës në drejtësi që do të shkojë sot në Komisionin e Posaçëm. Në këtë draft është lënë neni për mosdiskriminimin sa i përket orientimit seksual.
Gjithashtu, sa i përket institucioneve, mbetet formula me shumicë cilësuese për Komisionet e Etiko-Profesionale që do të shqyrtojë pastërtinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të emërohen.
Në draft janë parashikuar edhe disa kërkesa të opozitës, por Tribunali Gjyqësor nuk përfshihet fare në të.
Në draft është reflektuar kërkesa e opozitës për mos përfshirjen e Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë Administrative.
Në draft parashikohet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Dhoma Speciale e Kualifikimit, do të zgjidhen pas një përzgjedhjes që do të bëjnë ekspertët ndërkombëtarë dhe Avokati i Popullit, dhe kandidaturat e propozuara votohen me 3/5 në Kuvend.
Në draftin e propozuar, siç është thënë edhe më herët, parashikohet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.
“Anëtari jo gjyqtar zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar, dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organet propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pesë kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit”, thuhet në pikën 4 të nenit 33 të Draftin, i cili parashikon ndryshimin e Nenit 147 të Kushtetutës.
Sipas parashikimeve, Kuvendi voto veçmas për secilin grup kandidatësh.
“Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tre të pestave, Kuvendi voton përsëri brenda 7 ditëve. Në rast se shumica prej tre të pestash nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidatët e renditur të parët për secilin grup konsiderohen të emëruar”, thuhet në nenin 5.
Në nenin pasardhës, thuhet se kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, ndërsa mandati i tij do të jetë prej pesë vjetësh pas të drejtë rizgjedhjeje.
Në nenin 24 të draftit,parashikohen funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilat janë si më poshtë, siç është emërimi, vlerësimi, ngritja në detyrë dhe transferimi i gjyqtarëve në të gjitha nivelet. Ndryshe nga propozimet e mëhershme, në draftin përfundimtar hiqet shprehja “duke përfshirë gjyqtarët e gjykatave të posaçme, përveç kur parashikohet ndryshe në Nenin 179/b. Kjo kompetencë nuk ushtrohet për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”.
Ky Këshill administron të gjithë sistemin gjyqësor duke nisur nga buxheti e deri tek rregullat etike të gjyqtarëve. ministri i Drejtësisë mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor kur diskutohen çështje që lidhen me planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/