RREFIMI/ Arrita ta ndaja shefin tim nga gruaja, por…

RREFIMI/ Arrita ta ndaja shefin tim nga gruaja, por…

88
0
Shares

Gjithmonë kam dështuar në historitë e dashurisë time, gjithmonë do të ishte një femër në mes dhe këtë gjë e kam përjetuar shumë keq sa herë që më ndodhte. S’e kuptoja asnjëherë si përfundoja duke qarë e duke mallkuar ditën që kisha njohur një mashkull. Gjithnjë dashuroja me pasion, i jepesha e tëra atij që doja. Dashuroja gjithnjë me pasion, sepse gjithçka e lidhja me seksin, pasi këtë e shikoja si parësore te nevojat e një mashkulli, megjithatë, përsëri përfundoja e ndarë. Kalova një periudhë depresioni sidomos pa ndarjes së fundit. Tashmë s’kisha më asnjë lloj shprese dhe çdo mashkull e shikoja me frikë. Kisha provuar të bëhesha motra, nëna, vëllai, shoku, shoqja më e mirë e gjithë partnerëve, por përsëri përfundoja në ndarje. Miqtë e mi më të ngushtë më thonin gjithmonë që akoma s’kisha takuar të duhurin, kështu që nuk duhet të shqetësohesha kaq shumë. “Të gjithë janë në kërkim e të duhurit në jetë dhe po nuk provove, s’ke për ta gjetur kurrë”, më thonin, por mua asgjë nuk më bënte më përshtypje dhe në vend që të reflektoja për këto që po më ndodhnin dhe ta kërkoja gabimin brenda vetes, ia vija fajin fatit dhe burrave që më binin. Duke qenë se jeta më erdhi e tillë, i vura synim vetes që nuk do të pyesja më, por edhe unë do të flirtoja vetëm me ata meshkuj që ishin çift. Doja të provoja ndjesi të reja dhe në njëfarë mënyre sikur po hakmerresha ndaj asaj që më kishte ndodhur mua gjithnjë. Nga ana profesionale isha shumë e kompletuar dhe në aspektin e punës kam pasur gjithnjë sukses. Kisha vendosur të ndryshoja edhe vend pune dhe aplikova në administratë. Më në fund gjeta një punë që vërtet më pëlqente shumë dhe kisha një pozicion për t’u pasur zili. Doja patjetër të punoja me persona krejt të panjohur për mua. S’doja të kisha asnjë kontakt me të kaluarën qofshin këto edhe shoqërore. E pranoj që doja diçka të re në çdo drejtim. Nuk doja që as shoqëria ime të më shikonte si viktimë dhe as të trajtohesha e tillë, pasi shpeshherë e ndjeja veten të tillë teksa shikoja vështrimet e tyre dhe ato çfarë komentonin pas dështimeve të mia në dashuri. Ndoshta ishin thjesht fantazi të miat sepse në të vërtetë ata ishin vërtet shumë të mirë, por siç ju thashë, gjithçka e shikoja bardhë e zi. Isha vetëm 30 vjeçe dhe vendi ku punoja dukej që plotësonte atë çfarë kisha ëndërruar kohët e fundit, në lidhje me punën. Kishte goxha personel dhe isha gjithnjë në kërkim të ndonjë aventure të re. Përveç lidhjeve të dashurisë që kisha pasur, kisha kaluar edhe disa aventura të vogla me burra të fejuar ose që kanë qenë të lidhur. E di që mund t’ju dukem vajzë e përdalë, por kjo ishte pasojë e zhgënjimeve që kisha kaluar. Vetëm në këtë mënyrë sikur e kaloja atë urrejtjen dhe brengën që kisha brenda meje ndaj meshkujve dhe femrave.

Siç po ju thoja, kisha pozicion goxha të mirë dhe mund të renditesha te të tretët në stafin drejtues. Kisha edhe dy shefa sipër meje. Njëri nga ata, e pranoj që më tërhiqte shumë dhe bëja të pamunduren që t’i bija në sy. Quhej Toni dhe nuk ishte tërheqës vetëm për mua, por për të gjitha femrat aty, bile një ditë, njëra nga kolegët e mia, duke qenë se e kishte vënë re që e shikoja me një sy tjetër Tonin, mu afrua dhe më tha:

– Anisa ki kujdes, mos i nxirr kthetrat se është i martuar shefi ynë! – dhe u largua duke qeshur.

Por mua, pikërisht kjo gjë më tërhiqte! E di që do të më gjykoni si të sëmurë, por më pëlqente sfida sidomos kur bëhej fjalë për marrëdhënie të tilla. Vishesha çdo ditë e më seksi dhe jo vetëm Toni, por të gjithë meshkujt aty më vardiseshin në mënyrat e tyre (dhe të mendosh që pothuajse të gjithë ishin ose të lidhur, ose të martuar!). Kjo më bënte të ndihesha femra më e lumtur në botë. I joshja me të gjitha mënyrat e mia, por mbi të gjitha, ajo çfarë i kisha vënë synim vetes ishte të fitoja Tonin. Herë pas here vinte gruaja e tij aty dhe e ndjeja që më shikonte pak me urrejtje, se dikush edhe mund t’i kishte fryrë në vesh. Ishte simpatike dhe bënte edhe skena para meje me burrin e saj, në mënyrë që të më tregonte mua: “Shiko se ky është i imi kështu që ki kujdes!”. Një ditë e pashë Tonin shumë të irrituar në telefon dhe aty përfitova nga rasti që t’i afrohesha më shumë në muhabet.

– Më fal nëse të shqetësoj Toni, por më dukesh pak i mërzitur. Ka ndonjë gjë që mund të të ndihmoj?

– Faleminderit Anisa, por jo, jam thjesht pak me dhimbje koke… – tha dhe vazhdoi të punonte në kompjuterin e tij, pa më shikuar fare. Më dukej pak i vështirë për ta fituar, por kisha besim te vetja që do t’ia gjeja pikat e dobëta. Në fakt, sapo zbulova që nuk ishte shumë i kënaqur me të shoqen; të paktën këtë kuptova nga telefonata që e kisha dëgjuar paksa. Nuk e zgjata shumë, por shkova mora një kafe për të dhe një ilaç për kokën. Iu afrova dhe ia vura në tavolinë.

– Çfarë është kjo, Anisa?

– S’e shikon? Një kafe dhe ilaç për dhimbjen e kokës, sepse ke nevojë…

 
– Po shiko se s’kishe pse ta bëje, mund të dilja edhe vetë…

– Toni, mos ma diskuto, ok? Ne s’jemi vetëm kolegë pune, por edhe miq, në fund të fundit, apo jo? Jam e sigurtë që edhe unë po të të thoja që jam me dhimbje koke, do të ma sillje një kafe… – i thashë duke qeshur. – Çdonjëri prej nesh ka nevojë për ndihmë në momente të caktuara.

– Faleminderit Anisa, je shumë e sjellshme.

Ai e mori kafen dhe më ndoqi me shikim gjersa u largova te vendi im. Tavolinat tona ishin përballë, i ndante vetëm një vetratë prej xhami. Kështu, çdo ditë e më shumë unë i afrohesha Tonit. I kisha vënë synim vetes ta ndaja nga e shoqja dhe të martohesha unë me të. Kësaj radhe nuk ia lejoja vetes të dështoja, e dëshiroja me çdo kusht këtë burrë për veten time. Ai më hapej për problemet me të shoqen, e cila ishte shumë xheloze, e kontrollonte shumë dhe ankohej gjithnjë. Për pasojë, ata kishin filluar të kishin probleme edhe në krevat. Unë, sigurisht, i jepja këshilla se si të afrohej me të shoqen, pra, bëja vajzën e mirë, të urtë, engjëllin, por qëllimi im ishte ta bëja për vete dhe kaq! Kaloi një vit dhe problemet e Tonit me familjen e tij ishin bërë të padurueshme.

Si duket, afrimiteti im me Tonin i kishte dhënë një goditje akoma më të madhe marrëdhënies së tij me gruan. Më vinte keq vetëm për vajzën e tij sepse ishte 5 vjeçe, por në fund të fundit, duhet të mendoja vetëm për veten time. Pas shumë peripecish, ne përfunduam të lidhur. Arritëm deri aty sa ai i kërkoi divorcin gruas së tij, sepse do të martohej me mua. Në atë kohë kalova një periudhë të vështirë nga thashethemet e njerëzve dhe nga sulmet e gruas së tij, por nga ana tjetër ndihesha fitimtare’ kisha fituar Tonin dhe kësaj here po martohesha vërtet me atë që doja. Më gjykuan ashpër kolegët e punës dhe shoqëria ime, kur e mori vesh, u larguan të gjithë. Të gjithë më thonin se ata kishin qenë një çift shumë i lumtur derisa u shfaqa unë. Në atë kohë nuk e besoja, sepse Toni më ankohej gjithnjë për gruan e tij, por kisha harruar që të gjithë burrat kështu bëjnë kur i josh një femër. E shohin çdo gjë gabim te gratë e tyre qoftë edhe vogëlsira që mund të rregullohen fare lehtë. Gjithsesi, në atë kohë, logjikoja fare ndryshe nga sot. Toni u nda dhe u martua me mua. Blemë një shtëpi shumë të bukur dhe jetonim të lumtur. Ato që na mundonin ishin vetëm shikimet e kolegëve tanë. Edhe ish-bashkëshortja e Tonit nuk la gjë pa thënë për ne kudo që shkonte, por unë bëja të pamundurën që Toni të mos e ndjente peshën e këtij divorci. Përveçse punoja gjithë ditën, shkoja përpara në shtëpi që të gatuaja dhe të bëhesha seksi për netët tona të nxehta seksuale. Çdo ditë i dhuroja një emocion të ri edhe atëherë kur nuk e ndjeja që ta bëja një gjë të tillë. E bëja me çdo kusht vetëm e vetëm që ta shikoja Tonin të lumtur dhe ai të mos pendohej kurrë për divorcin. E shikoja shpesh të trishtuar, por e kapja menjëherë situatën dhe bëja të pamunduren që t’i ngrija humorin. Por nuk do të vazhdonte shumë gjatë ky lloj përkushtimi nga ana ime sepse Toni po llastohej shumë nga unë, ndërsa unë kisha filluar të lodhesha me gjithë këtë vëmendje që i kushtoja atij. Ndonjëherë kisha nevojë për shoqërinë time, hapësirat e mia, të pushoja për qejfin tim dhe i lija pas dore ato çfarë bëja për Tonin çdo ditë. Ai kishte filluar të ankohej çdo ditë e më shumë për mua, duke më thënë: “ti ke ndryshuar, nuk je më ajo e para”. E kuptova që kisha bërë shumë gabime, e kisha joshur Tonin duke dalë nga natyra ime e vërtetë, kisha bërë shpesh rolin e burrit si në shtëpi, ashtu edhe në punë, vetëm që ai të ishte rehat dhe i lumtur me mua. Isha shtirur shumë herë vetëm e vetëm që ta bëja të lumtur Tonin, por ja që edhe kjo e ka një kufi; sado të shtiresh, do vijë dita që do jesh vetvetja një moment. Isha lodhur duke bërë gruan perfekte. Ngela shtatzënë dhe shtatzaninë e kisha me probleme. Filluan problemet serioze edhe në lidhje me Tonin. Ai ishte një egoist i tmerrshëm dhe gjithnjë kërkonte nga unë. Arriti deri aty sa më tha se ishte penduar që ishte ndarë nga gruaja e tij e parë dhe se i mungonte vajza e tij, ndërkohë që unë asnjëherë s’e kisha penguar ta takohte të shoqen. As në krevat nuk shkonim më mirë. Kalonin javë të tëra dhe s’bënim marrëdhënie seksuale. Gjithë pasioni që kisha ndezur unë në fillim, tashmë ishte shuar. Ai kishte filluar të vinte vonë nga puna, dilte më shumë me shoqërinë e tij dhe komunikimi ynë po shkonte drejt fundit. Një ditë prej ditësh ndjeva nevojën të takoja shoqërinë time të vjetër. Megjithëse kishin të drejtë të mos më pranonin mes tyre, ata u treguan shumë mikpritës. Ajo ishte një nga ditët e mia më të bukura gjatë gjithë asaj kohe. Atëhere e kuptova se çfarë kisha bërë në të kaluarën time dhe gabimin më të rëndë; martesën me Tonin. Kuptova sa e vetmuar kisha qenë dhe isha. Grindjet me Tonin sa vinin e shtoheshin dhe aty kuptova se, përveç atyre që kishim diskutuar disa herë, mund të ishte në mes një femër tjetër. Këtë e kuptova sepse ai po sillej me mua siç sillej dikur me ish-gruan e tij. Kuptova që ai hapej për problemet e tij me ndonjë shoqe të re. Dhe në fakt, e vërteta doli në shesh. Unë isha në muajin e nëntë të shtatzanisë dhe ditët e lindjes po afronin, por Tonin e ndjeja gjithnjë e më larg meje. Në vend që të ishte i gëzuar që po bëheshim me djalë, ai ishte shumë i nervozuar dhe vraponte te vajza që kishte me ish-gruan e tij. Linda djalin dhe isha nëna më e lumtur në botë, ndërsa Toni më shikonte si i trembur. Kuptova që gjithçka kishte marrë fund. Sado që vazhdonim të jetonim në një shtëpi, ai nuk ishte me mua asgjëkundi. Një ditë i thashë se duhet të flisnim.

– Toni, unë e di që ti ke një tjetër. Je i lirë të vazhdosh jetën tënde nëse ke dëshirë! – i thashë. Ai shqeu sytë nga habia dhe heshti për një copë herë. Pastaj m’u drejtua.

– Më fal Anisa që po ta them, por unë nuk të dashuroj më. Do të kthehem tek ish-gruaja ime. U bënë muaj që dal me të dhe me vajzën time. E dua djalin tonë, por ty nuk të dashuroj më. Erisen e kam dashur gjithnjë, por nuk e di çfarë ndodhi në atë periudhë që u njoha me ty. Dua të kthehem me atë, nuk mund të jetoj më me ty.

Në fakt, e kisha menduar që ishte një femër në mes, por që të ishte ish-gruaja e tij, s’e kisha menduar kurrë. Megjithatë, pasi heshta një copë herë, i thashë:

– Je i lirë të shkosh, por të lutem largohu që nga ky moment.

Ai përsëri më pa me habi dhe kjo nga sjellja ime shumë e qetë dhe e vendosur në atë që po i thoja. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Zoti më ndëshkoi në po atë mënyrë që kisha zgjedhur unë dikur për të ndëshkuar një familje. Këto ishin pasojat e gabimeve të mia të kaluara. Unë ndërhyra mes një çifti, arrita t‘i ndaja dhe ia mora burrin tjetrës, ndërsa tani përsëritej historia, por tashmë mbi kurrizin tim. Do ishte një femër sërish që do të më ndante mua, por këtë radhë isha e martuar dhe me një fëmijë. Pra, historia përsëritej, por kësaj radhe isha e bindur që e meritoja këtë ndëshkim, sado që e përjetova përsëri shumë rëndë. Nga ana tjetër kuptova se sa rëndë kisha gabuar dhe që nuk i duhet bërë askujt ajo çfarë nuk do të doje të ta bënin ty. Tashmë e dija ku qëndronin gabimet e mia dhe çfarë duhet të bëja në të ardhmen. Ajo çfarë më ngushëllonte ishte se unë isha një grua e përgatitur nga ana profesionale dhe nuk isha keq nga ana ekonomike të rrisja djalin tim. Tani jetoj vetëm me djalin tim dhe nuk ndihem aspak fatkeqe. Çfarëdo që më ka ndodhur, ka qenë një mësim shumë i mirë për mua. Vërtet bëra një mëkat, ama e pagova sepse dështoi martesa ime dhe humba një shoqëri goxha të mirë. Kam filluar të takohem me ish-miqtë e mi të fakultetit dhe ata që më kanë qenë pranë në të mirë e në të keq. E them me vete gjithnjë, “s’ka si shoqëria” dhe ndihem e lumtur për këtë. Një ditë do të gjej njeriun e duhur me të cilin do të kaloj gjithë jetën time, për këtë jam e sigurtë. Tashmë s’jam vetëm, jam me vogëlushin tim i cili më mbush shpirtërisht.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY