Nga Neritan Gjergo
Kompania koncesionare SGS kërkon rritjen e tarifës së shërbimit për kontrollin teknik të automjeteve me 200 lekë. Kjo kërkesë ka shkuar për miratim në Ministrinë e Transporteve në mesin e muajit maj, së bashku me argumentet përkatëse me kostot dhe shpenzimet që ka bërë koncesionari që operon në tregun shqiptar që nga viti 2009. Por, edhe pse një kërkesë e tillë është e përligjur, sipas kontratës me MTI-në, për rishikim të tarifave çdo 3 vjet për të reflektuar rritjen e normës së inflacionit, ministria e ka cilësuar atë të parakohshme, duke bërë në këtë mënyrë refuzimin e parë për rritjen e çmimit. Sipas grupit të punës, në përgjigjen që jepet theksohet se “periudha kur palët sipas kontratës duhet të diskutojnë për tarifat është shtatori i vitit 2016”. Nga ana tjetër, disa herë gjatë muajve të fundit, Ministria e Transporteve i ka kërkuar kompanisë koncesionare të përmirësojë shërbimin për konsumatorët dhe të shmangë radhët e gjata që shfaqen shpesh nëpër pikat e saj. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka paralajmëruar kompaninë e kolaudimit të automjeteve SGS se nëse nuk respekton kontratën, madje mund të ketë edhe rivlerësim të saj. Gjatë një kontrolli në zyrat e kësaj kompanie në muajin mars, ministri Edmond Haxhinasto kërkoi respektimin e detyrimeve kontraktuale për standardet dhe kryerjen e investimeve. Kontrata me koncesionarin SGS është firmosur me afat 10 vjet, pra deri në vitin 2019, por në një nga pikat e saj citohet se mund të vendoset edhe për zgjatjen e saj.
Në kohën kur kompania private mori përsipër tregun e kontrollit teknik të automjeteve në Shqipëri kishte një flotë prej 200 mijë automjetesh, ndërsa 7 vjet më vonë ky numër është dyfishuar. Për kolaudimin, kjo kompani ka vendosur disa kushte, ndërsa kontrolli është i detyruar një herë në vit për kategoritë masive të mjeteve.
Që nga lidhja e marrëveshjes, në vitin 2009, rishikimi i tarifave është realizuar në 6 shtator 2010, kur kanë ndryshuar tarifat që aplikoheshin para koncesionit dhe në 6 shtator 2013, me një rritje mesatare 9.38 për qind.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/