SKANDAL NË KUVEND/Falsifikohen dokumentat e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve

SKANDAL NË KUVEND/Falsifikohen dokumentat e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve

59
0
Shares

Reforma në drejtësi është përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit duke thyer cdo rregull që parashikohet nga procedura parlamentare. Me sa duket Valentina Leskaj që drejtori sot mbledhjen e kryetarëve ka detyruar punonjësit e Kuvendit të falsifikojnë dokumentacionin e mbledhjes. Edhe pas denoncimit nga opozita ende nuk ka kurrfarë shpjegimi nga leskaj që aktualisht, në mungesë të Metës, po drejton institucionin.

Në vijim një intervistë e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edi Paloka dhënë për news 24 pasi skandali u bë publik.

Pyetje: Z Paloka, ju thoni se ky është një skandal dhe të cilin do e hetoni me tej. Deklaroni se kaloi në fshehtësi në plotë. Kishit një kalendar tjetër punimesh?

Paloka: Ne do e dërgojmë të ndiqet penalisht ky rast sepse është një skandal i paprecedentë, jo vetëm në parlamentin shqiptar por as edhe në ndonjë institucion tjetër, sepse kaloi në mënyrë klandestine dhe me një akt tipik mafioz. Për dijeni të qytetarëve, procedura thotë që para se të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, punonjësit e administrates dërgojnë tek çdo anëtar i Konferencës së Kryetarëve draft-kalendarin 3 javor që do të miratohet në Konferencën e Kryetarëve. Ky draft na është dërguar dy here përpara kësaj Konference Kryetarësh dhe në asnjë rast nuk e përmban të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Ashtu si unë dhe të gjithë anëtarët e Konferencës që u është dërguar me email nga administrata e Kuvendit, në asnjë prej tyre nuk figuron Reforma në Drejtësi e cila papritur na rezulton në faqen e Kuvendit si e miratuar me mirëkuptim.

Pyetje: Po kalendarin 3 javor me Reformën në Drejtësi e keni tashmë? Këtë ndryshimin e keni të reflektuar në kalendar?

Paloka: Nuk na ka njoftuar njeri për këtë. Njoftimi erdhi nga gazetarët që kishin parë faqen e Kuvendit duke thënë që sot kanë kaluar Reformën në Drejtësi. Iu thashë jo, se ka një kërkesë tonën për ndryshime kushtetuese para disa muajsh dhe mendova se bëhej fjalë për një keqkuptim. Thanë që jo dhe se bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi që ka kaluar sot në Konferencën e Kryetarëve. E verifikova dhe është kështu. Ky është një skandal nga Konferenca që sot u drejtua nga Valentina Leskaj dhe as nuk u përmend. Ka edhe raste kur nuk është futur në draft-kalendar një projektligj dhe ngrihet në Konferencë të Kryetarëve dhe kërkohet konsensus, në raste të veçanta, për të futur një projektligj. Sot të gjithë përfaqësuesit e maxhorancës, si një kioske mafioze, rrinin në heshtje dhe nuk e ka përmendur njeri. Të jem i sinqertë unë e prisja pas deklaratave të Ramës që kjo të përmendej në Konferencën e Kryetarëve, por mendova se e kanë kuptuar që është një absurditet dhe nuk e kishin ndërmend ta diskutonin. Fakti flet ndryshe. Del që këta kanë vepruar në mënyrë klandestine, ilegale dhe të jashtëligjshme. Ky është falsifikim i pastër dhe unë do të kërkoj që të ndiqet penalisht. Jam I bindur se do të bëhet ndonjë punonjës si kokë turku por edhe ky do jetë një falsitet i ndyrë pasi asnjë punonjës administrate s’mund të fusë pa ardhur asgjë në kalendar.

Pyetje: z Paloka, mos ndoshta keni qënë të pavemëndshëm pasi këtu lexoj që është miratuar me consensus në seancë plenare?

Paloka: Po ju them që në draft-kalendarin që unë kam në emailin tim siç e kanë të gjithë anëtarët e tjerë, nuk figuron. Kështu që nuk mund të ketë lidhje me vëmëndjen ose mosvëmëndjen tonë. Për më tej, Konferenca e Kryetarëve ka një procesverbal për ato që janë diskutuar. Aty u diskutua çdo gjë por kjo nuk u përmend. Reforma në Drejtësi në Konferencën e Kryetarëve as nuk ka kaluar dhe as nuk është përmendur në gojën e askujt dhe paptritur rezulton në kalendar “e miratuar me konsensus”. Pse ndodhi kjo?! Sepse ata sot nuk i kanë pasur numrat në Kuvend për të kaluar kalendarin me votë dhe për këtë arsye kanë bërë gjithë këtë makinacion mafioz me qëllim për ta kaluar gjoja me konsensus.

Pyetje: Kur thoni se do e ndiqni më tej penalisht çështjen, kë do të ndiqni penalisht?

Paloka: Atë që ka kryer këtë akt. Unë thashë që jam i bindur që do bëjnë fajtor ndonjë punonjës administrate siç e kanë zakon, por a është Valentina Leskaj që në mungesë të Ilir Metës drejtonte sot Konferencën e Kryetarëve, a është dikusht tjetër, kjo do të zbulohet. Kjo është bërë në dijeni të plotë të atyre që drejtojnë me qëllim të kalojnë në fshehtësi një gjë kaq të rëndësishme.

Pyetje: Në fakt kalimi i reformën në Kuvend u paralajmërua nga kryeministri Rama pas dështimit të takimit me z Basha…

Paloka: Dhe çfarë do të thotë kjo?! Që reforma të kalojë në formë ilegale?!

Pyetje: Z Rama tha që nuk do të pritet opozita…

Paloka: Më fal, ndoshta nuk njihni procedurat por unë po ju flas për një falsifikim dhe është një skandal i rëndë.

Pyetje: Unë pyeta përtej kësaj z Paloka…

Paloka: Përtej kësaj nuk mund të ketë kur jemi përballë një skandali të këtyre përmasave. Sepse përtej këtij skandali dhe përtej ndonjë skandali tjetër kemi ardhur këtu ku jemi. Kalojmë përtej përgjimit, kalojmë përtej kapjes politike, kalojmë përtej kapjes së Tahirit nga krimi, kalojmë përtej mbjelljes së Shqipërisë me drogë, kalojmë përtej gjithçkaje, por jo, përtej kësaj nuk mund të kalohet. Ka një procedurë dhe nuk mund ta fusnin dot. Unë isha i vëmendshëm. Kur ajo nuk u përmend thashë se mbase i kanë thirrur mendjes sepse s’mund ta fusin kështu. Për më tej thonë që ka kaluar edhe në Komisionin e Reformës, por në këtë komision jemi edhe ne dhe as aty nuk ka kaluar. Janë skandale të njëpasnjëshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY