I vetmi projekt ambicioz në infrastrukturë që kishte në planet e veta qeveria Rama tashmë është shpallur i dështuar. Ministri i Transporteve Edmon Haxhinasto deklaroi sot në Parlament se qeveria nuk ka më asnjë lek për Rrugën e Arbrit, një rrugë vetëm 70 km e gjatë që lidh Dibrën me Tiranën e cila në gjysmën e saj pothuajse kishte përfunduar nga qeveria e djathtë e Berishës.
“Kjo rrugë është konceptuar keq që në fillim, është planifikuar vetëm 50 për qind e saj me projekt, është investuar në 3 vite 6 miliardë por nevojat janë për shumë më tepër. Vetëm për të përfunduar pjesët e bëra më përpara, jo segmentin aktual, duhen 30 milionë euro, të cilat buxheti i shtetit nuk i ka”, tha ministri Haxhinasto.
Pjesa e papërfunduar kërkon një investim prej 230 milionë eurosh, tha ministri. Por për Haxhinaston, planifikimi i fondeve ka qenë i gabuar që në fillim kur nisi projekti, ndërkohë që buxheti nuk mund ta përballojë financimin, sepse do të liheshin pa fonde projekte të tjera.
Haxhinasto ka qenë ministër i Transporteve edhe në kohën e qeverisë së Berishës kur kjo rrugë u projektua dhe nisi punimet.
Ministri u përgjigj në një interpelancë të kërkuar nga deputetja e PDIU Mesila Doda. “Unë po ju them diçka. Ata njerëz meritojnë që të kenë një mundësi në jetë dhe mundësia e tyre është lidhja me kryeqytetin. Është një zonë nga më të varfërat në vend dhe kjo falë mosseriozitetit të të gjitha qeverive, që shkojnë e vijnë premtojnë Rrugën e Arbrit, dhe ajo rrugë nuk ekziston askund, as virtualisht”, tha Mesila Doda.
Praktikisht në këtë projekt puna ka ndaluar. Ka pasur disa oferta nga një kompani kineze për ta ndërtuar me formulë Partneritet Publik-Privat, por që janë konisderuar të papranueshme nga qeveria. Aktualisht është një kompani shqiptare që është vetofruar, ndërkohë që pritet po ashtu nga kompania kineze një ofertë tjetër.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/