Unioni i Gjyqtarëve: Sulmi i Saimir Tahirit i paprecedent, jo etike dhe...

Unioni i Gjyqtarëve: Sulmi i Saimir Tahirit i paprecedent, jo etike dhe jo institucional

68
0
Shares

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (UGJSH), ka dënuar sulmin e sotëm të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, vetëm sepse ky vendosi pezullimin e kryepolicit Haki Çako.
Nëpërmjet një deklarate për mediat UGJSH, e cilëson këtë sulm të përsëritur, të paprecedentë, jo etik dhe jo institucional.
Për UGJSH, këto deklarata janë të papranueshme të cilat nuk kanë lidhje me shtetin e së drejtës dhe me reformën e drejtësisë, të shumë aspiruar prej shqiptarëve.
Duke i kujtuar ndarjen e pushteteve edhe sipas Kushtetutës, UGJSH apelon për ndërprerjen e sulmeve të tilla, vetëm pse dikujt nuk i pëlqen vendimet e gjyqtarëve.
“Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një  hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, thuhet midis të tjerave në këtë reagim ët UGJSH, ndërsa apelojnë që ambasadorët dhe ndërkombëtarët “të tregohen të vëmendshëm dhe të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj deklaratave dhe sjelljeve të tilla, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës, parimet themelore të funksionimit të shtetit, apo reformën në drejtësi”.

Deklarata e plotë e Unionit të Gjyqtarëve ët Shqipërisë

UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË,
BORDI DREJTUES

Nr.      Prot.                                                                         Tiranë, më 08 Qershor 2016

D E K L A R A T E


ugjUnioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje deklaratën e paprecedente në media dhe reagimin aspak etik dhe institucional të Ministrit të Brendshëm, ndaj Gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Z. Arjan Aliaj, i cili gjatë ushtrimit të detyrës kushtetuese, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit masa sigurimi personal në funksion të një procedimi penal të iniciuar prej Prokurorisë.
Në mënyrë të përsëritur dëshirojmë të theksojmë se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut te gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Por, nga ana tjetër shpreh shqetësimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor. UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.
Këto deklarata dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e një aspirate madhore që është “Reforma në drejtësi’, duke mos pasur aspak lidhje me reformën e aspiruar prej shqiptarëve dhe mbështetur fuqimisht prej Ambasadorëve, veçanërisht nga Z. Lu dhe Znj. Vlahutin. Prandaj, gjejmë rastin të kërkojmë prej tyre që të tregohen të vëmendshëm dhe të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj deklaratave dhe sjelljeve të tilla, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës, parimet themelore të funksionimit të shtetit, apo reformën në drejtësi.
Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentar edhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimmarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kurrsesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre.
Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një  hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Për më tepër, duhet përmendur fakti se sjellje të tilla, të cilat pretendohet se janë në funksion të respektimit të ligjit, janë krejtësisht të kundraligjshme, në kufijtë e konsumimit të disave veprave penale të parashikuara prej Kodit Penal.
Së fundmi UGJSH dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë ë gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.

BORDI  DREJTUES
UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY