Saimir Tahiri i kapur në paniku i arrestimit, sulmon prokurorinë dhe gjykatën.
Denoncimi bëhet në emër të PD-së nga kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Edi Paloka.
Për Palokën, ky sulm vjen edhe pas nisjes së verifikimeve nga Prokuroria, për rolin e Saimir Tahirit, në skandalin e përgjimeve.
Duke e cilësuar sulmin ndaj drejtësisë si mafioz, Paloka e konsideron atë si shantazh ndaj gjykatës së Apelit, ku pritet të shqyrtohet ankimimin i kryepolicit të pezulluar, Haki Çako.
Duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar, për të dënuar sulmet politike të kryeministrit dhe ministrit vartës të tij, ndaj drejtësisë, kreu u deputetëve demokratë bënë të ditur se ky sulm denoncon se çfarë drejtësie duan Rama dhe Tahiri.
Në emër të PD-së, Paloka, i bën apel dhe inkurajon punën e Prokurorisë në zbardhjen e këtij skandali.
Deklarata e plotë e Edi Palokës
Saimir Tahiri i kapur nga paniku i arrestimit për shkak të krimit që ka kryer, përgjimi i paligjshëm, është hedhur në një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë. Ai sulmoi ashpër sot gjykatësin që miratoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sulmoi dhe organin e akuzës.
Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.
Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin.
Ky presion kriminal ndaj gjykatës së Apelit tregon edhe një herë përse ata nuk e duan drejtësinë sipas Venecias, por e duan të kapur.
Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë duke dëshmuar se cila është drejtësia, prokuroria dhe gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre.
Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë, dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze.
Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera euroatlantike, në Tiranë, të dënojnë sulmin e hapur të Edi Ramës kundër hetimit të këtij krimi të rëndë të sigurisë kombëtare dhe i kërkojmë të shprehen e të prononcohen në favor të hetimit të pavarur, të pandikuar politikisht, në favor të hetimit të plotë të kësaj afere skandaloze.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/