Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë shprehur zhgënjimin e tyre për dështimin e takimit të së hënës Rama-Basha, për reformën në drejtësi.
Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhene mbështetjen ndaj qeverisë për të çuar draftin drejt miratimit. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të Parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar, apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”, deklaron Ambasada e SHBA.
Në të njëjtën linjë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shpreh keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje.
“Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së”, thuhet në reagimin e misionit të BE.
Sikurse homologët amerikanë, edhe delegacioni vlerëson se, “të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efikas”.
“Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”, përfundon deklarata zyrtare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/