Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme në gjykatën e kryeqytetit. Një gruaje 54 vjeçare i ka rënë të fikët në sallën e gjyqit që zhvillohej dje në orën 09:00. Nazime Bendo është marrë e pandehur dhe është dërguar në gjykatë me akuzën e ndërtimit pa leje.
Ndjekja penale ndaj saj filloi në kulmin e aksionit kundër ndërtimeve pa leje, pasi efektivat e policisë gjetën një mur rreth 50 centimetra të ngritur ngjitur me apartamentin e saj në kat të parë të një godine banimi në Kamzë. Gruaja e akuzuar për ndërtim pa leje ka pësuar gjendje të fikëti ditën e djeshme në gjykatë, sapo ka nisur seanca gjyqësore ndaj saj. Burimet nga seanca gjyqësore thanë se sapo trupi gjykues mori gjeneralitetet e së pandehurës, ajo dha emër dhe mbiemër, ndërsa në momentin që u pyet nga gjykata “nëse ishte penduar për veprën penale të kryer”, ajo ra përtokë nga gjendja e të fikëtit.
Gjykata ka ndërprerë seancën në mënyrë të menjëhershme dhe ka njoftuar shërbimin e urgjencës mjekësore. Të pranishmit kanë dalë nga rolet e tyre dhe janë përpjekur me çfarë kanë mundur që t’i shkojnë në ndihmë gruas që nuk përmendej për disa minuta me radhë, edhe pse iu hodh ujë në fytyrë. Brenda pak minutave në ambientet e gjykatës ka mbërritur një ambulancë, e cila bashkë me stafin mjekësor i ka shkuar në ndihmë 54vjeçares. Ajo mësohet se vuan nga probleme të shumta shëndetësore si pasojë e moshës dhe ndërhyrjeve kirurgjikale që ka kryer gjatë jetës së saj.
Pavarësisht këtij fakti, gruaja është akuzuar për ndërtim pa leje, pasi policia konstatoi një copë mur në oborrin e apartamentit të saj në kat të parë. Sipas hetimeve, muri i lartë jo më shumë se 50 centimetër ishte ndërtuar nga gruaja 54 vjeçare me qëllim që të pengonte parkimin e automjeteve ngjitur me penxheren e saj. Gruaja ka thënë në dëshminë e saj në hetimet paraprake se mban në shtëpinë e saj fëmijët e vegjël të vajzës. E moshuara ka shpjeguar se automjetet që shkonin e parkoheshin në oborrin e godinës së banimit ngjitur me dritaren e apartamentit të saj, krijonin pluhur dhe bënin zhurmë duke zgjuar nga gjumi fëmijët e vegjël të vajzës së 54 vjeçares. Ajo ka pretenduar se u ka kërkuar disa herë drejtuesve të mjeteve që të mos parkonin aty, por pasi nuk ka gjetur zgjidhje është detyruar që të ngrinte një mur të vogël për të penguar afrimin e makinave. Pikërisht në kohën kur ka qenë duke ngritur murin në fjalë, gruaja është kapur në flagrancë nga policia gjatë aksionit kundër informalitetit në vitin 2015. Ajo është dërguar në komisariat dhe më pas është çuar për ndjekje penale, pasi prokuroria ka përfunduar hetimet. Procesi gjyqësor në ka nisur ditën e djeshme me seancën e parë, e cila nuk është zhvilluar dot për shkak se e pandehura ka pësuar gjendje të fikëti në ambientet e brendshme të Gjykatës së Tiranës. /Panorama/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/