Zyrtari amerikan i USAID: Politika në Shqipëri e angazhuar për reformën në...

Zyrtari amerikan i USAID: Politika në Shqipëri e angazhuar për reformën në drejtësi

80
0
Shares

Një zyrtar i lartë i USAID-it thotë se është një nga përparësitë kryesore amerikane që të ndihmojë Shqipërinë në reformën e drejtësisë. Ndihmës Administratori i USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Melia tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri ka një angazhim për ta çuar këtë proces përpara dhe deri në fund.
Sipas tij, pas një udhëtimi në Ballkan, korrupsioni mbetet problem madhor për vendet e rajonit.
Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, Melia tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe politik të rajonit, si një mënyrë për të eliminuar faktorët që ushqejnë radikalizmin.

Zëri i Amerikës: Zoti Melia, ju sapo jeni kthyer nga Ballkani, vizita e dytë atje që nga marsi. Sipas jush cilat janë disa nga sfidat e përbashkëta të vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit, luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve?
Thomas Melia:
Mendoj se ndonjëherë ne këtu në Uashington harrojmë, se sa të reja janë këto vende si shtete të pavarura. Kanë kaluar vetëm 25 vjet në disa raste dhe 10 në disa të tjera që këto vende janë sovrane dhe të lira. Kështu që ato ende po ndërtojnë institucione bazë të qeverisjes, praktikën bazë të politikës publike dhe sigurisht ngaqë vijnë nga një trashëgimi komuniste, ende po përshtaten me të jetuarit në liri dhe po mësojnë se si të përballen me tregun e hapur, tregtinë ndërkombëtare dhe sigurisht që ky është programi afatgjatë. Prandaj unë shoh mjaft përparim, dhe e kam vizituar rajonin herë pas here në këto 25 vjet dhe kur shkova këtë radhë në detyrën e re të ndihmës administratorit të USAID-it, pashë sesa përparim është bërë në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, por edhe se sa shumë punë mbetet ende për t’u bërë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, ju njoftuat për fillimin e një projekti të ri për sektorin e drejtësisë dhe u bëtë thirrje udhëheqësve politikë, që të shmangin vonesat për zbatimin e reformave. Sipas mendimit tuaj, ku është vendi dhe politika për sa u takon reformave dhe përparimit?
Thomas Melia:
Sigurisht është një përparësi kryesore e Shteteve të Bashkuara të ndihmojë Shqipërinë të përparojë drejt reformave të thella të mëtejshme ne sektorin e drejtësisë, ashtu si edhe në drejtime të tjera. Ambasadori Donald Lu në Tiranë ka punuar në mënyrë aktive me homologët tanë evropianë, dhe Bashkimin Evropian në veçanti, për të nxitur dhe mbështetur ecjen përpara të procesit politik në Shqipëri. Në Shqipëri tani ka politikë të vërtetë, me perspektiva të ndryshme dhe prioritete të ndryshme që shprehen hapur çdo ditë në Shqipëri.
Procesi i finalizimit të reformës së rëndësishme të drejtësisë, po vazhdon. Kur unë isha atje Parlamenti filloi procesit e shqyrtimit të paketës kushtetuese, nen për nen. Ekspertët e qeverisë amerikane dhe ata të Bashkimit Evropianë kanë dhënë ekspertizën e tyre për këtë proces. Kështu që, pasi fola me përfaqësues nga të dyja partitë kryesore, jam i bindur që ka një angazhim për ta çuar këtë proces përpara dhe deri në fund gjatë sesionit aktual parlamentar.

Zëri i Amerikës: Nga këndvështrimi i USAID-it, sa problem është korrupsioni për vendet e rajonit?
Thomas Melia:
Është problem i jashtëzakonshëm, është shkatërrues, po frenon rritjen ekonomike dhe modernizimin në të gjitha vendet e rajonit. Një nga zgjidhjet është të ketë më shumë transparencë dhe një nga mënyrat e realizimit të saj është përdorimi i sistemeve elektronike nëpër ministri për shërbimet që ofrojnë, për aplikimet për patentat dhe për shumë lloje të tjera transaksionesh qeveritare në rrugë elektronike sepse kështu nga njëra anë eliminon komunikimin personal me zyrtarë të qeverisë nëse e kryen një veprim në internet, por kështu shmanget mundësia edhe që dikush të kërkojë një pagesë nën dorë për të kryer një shërbim që duhet kryer falas si shërbim publik. Prandaj shërbimet qeveritare elektronike janë një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe për eliminimin e kostove të transaksioneve që janë shpesh lidhja me korrupsionin. Kjo metodë po ndihmon në disa vende të rajonit si edhe përmirësime strukturore.

Zëri i Amerikës: Ju ishit në Kosovë në mars. Atje ka një mosbesim të publikut ndaj politikanëve dhe institucioneve, si edhe probleme të ngjashme me ato të vendeve të tjera të rajonit, si korrupsioni dhe shteti ligjor. USAID-i ka projekte në këtë drejtim dhe për ekonominë. Si e shihni gjendjen atje?
Thomas Melia:
Kosova është vendi më i ri në rajon dhe Shtetet e Bashkuara po e mbështesin me forcë për të ndërtuar institucionet e një vendi sovran. Dhe si edhe vendet e tjera të rajonit, del nga një periudhë shtypjeje, gjë që e ka bërë vështirë për njerëzit të gjejnë balancën e duhur mes mosmarrëveshjeve për politikën dhe përparësive në një mënyrë konstruktive. Kështuqë, po shpesh politika mund të jetë e zjarrtë, disa herë në kuptimin e parë të fjalës dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë që në Kosovë të merren vendime të informuara. Por një nga zgjidhjet për problemet e rajonit, është shpërndarje më e gjerë e mirëqenies. Bëhet fjalë për vende të vogla fqinjë që duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar për tregti ndërkombëtare, siguri rajonale të energjisë, rrjete rajonale të tjera. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftërave të viteve 90, do të jetë e vështirë por një nga zgjidhjet është ndarja më e balancuar e mirëqenies dhe për këtë qëllim, disa programe të USAID-it po ndihmojnë fermerët, infrastrukturën e bujqësisë dhe veçanërisht që standardet e prodhimit të këtyre vendeve të përputhen me ato të Bashkimit Evropiane dhe në Amerikë në mënyrë që të eksportohen më gjerë. Dhe po bëhet përparim në këtë drejtim në Kosovë dhe vende të tjera.

Zëri i Amerikës: Lidhur me rajonin, doja të flisnim pak për lidhjet mes radikalizimit dhe mungesës së zhvillimit. Megjithëse ky fenomen është problem për shumë vende në Evropë, ka disa ngjashmëri në vendet e Ballkanit si mungesa e mundësive ekonomike, institucione të dobëta. Megjithëse janë marrë masa kundër kësaj dukurie, si miratimi i ligjeve, arrestimet, problemet vazhdojnë. A shihni një lidhje mes mungesës së zhvillimit dhe radikalizimit?
Thomas Melia:
Radikalizimi në pjesë të popullsisë, sidomos mes të rinjve që janë të papunë, mund të mos jenë shumë të arsimuar dhe ndjehen të përjashtuar në shoqëritë e tyre, është një problem real. Një nga zgjidhjet strukturale është përmirësimi i ekonomisë, më shumë mundësi për njerëzit. Po ashtu duhet të ketë një ndjesi se qeveria punon në interes të publikut, se nuk po merret me aktivitete korruptive për të pasuruar zyrtarët qeveritarë, por se po punon për ta çuar përpara gjithë shoqërinë. Prandaj mendoj se pjesë e përgjigjes ndaj radikalizimit është përparimi ekonomik, stabiliteti politik, prandaj të gjitha programet tona në këtë drejtim janë.
Është një problem real në disa komunitete të caktuara që disa influenca ndërkombëtare, i kanë shtyrë njerëzit në drejtim të gabuar, duke i radikalizuar dhe duke i shtyrë drejt një këndvështrimi më ekstrem të Islamit. E kemi parë këtë në disa vende, si Shqipëri dhe Kosovë në veçanti, dhe në pjesë të Bosnjës.
Qeveritë po punojnë për ta zgjidhur këtë problem dhe nuk është vetëm problem i rendit, por i një integrimi social dhe arsimimi. Prandaj ne po punojmë me qeveri të rajonit dhe do të jetë një strategji rajonale sepse është problem rajonal. Një nga pasojat e të mangësive në zhvillimin ekonomik dhe social, është se krijon më shumë mundësi për radikalizim.
Prandaj, është e rëndësishme për ne Shtetet e Bashkuara, është në interesin tonë kombëtar që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të suksesshme ekonomikisht dhe politikisht, që të ketë më pak joshje, më pak shanse për radikalizim dhe për këtë arsye SHBA duhet ta shtojnë angazhimin e tyr. Kjo është në përputhje me programin tonë më të gjerë të zhvillimit dhe gjithmonë e më e rëndësishme në këtë moment, pasi vala e imigrantëve që ka përfshirë Ballkanin në 1-2 vitet e fundit, ka sjellë disa elemente radikale por edhe i ka sjellë problemet e Lindjes së Mesme në Ballkan.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY