Nishani: Besimtarëve myslimanë një Ramazan sa më të lehtë e të paqtë

Nishani: Besimtarëve myslimanë një Ramazan sa më të lehtë e të paqtë

85
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uron mbarë besimtarëve myslimanë shqiptarë fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Kreu i Shtetit shqiptar u uron të gjithë besimtarëve myslimanë një Ramazan sa më të lehtë e të paqtë.
Ndërkohë edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, uroi besimtarët për Ramazan.

Urimi i Presidentit Bujar Nishani


nishani_1-1“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë si dhe të gjithë Ju që respektoni dhe e praktikoni besimin mysliman!
Sonte nis për të gjithë Ju periudha e sakrificës dhe e reflektimit, e vetëpastrimit shpirtëror dhe e devotshmërisë ndaj të Plotfuqishmit: Muaji i shenjtë i Ramazanit.
E nesërmja shënon për të gjithë Ju një ditë sa të veçantë shpirtërisht, aq edhe të vështirë fizikisht.
Me këtë rast dëshiroj t’Ju uroj përzemërsisht dhe me sinqeritet të thellë fillimin e mbarë të kësaj Feste kurorëzuese të besimit Tuaj të palëkundur!
Ky Muaj i shenjtë dhe i pakrahasueshëm shënon sakrificën më sublime njerëzore ndaj besimit të palëkundur për Krijuesin, për ligjet e patjetërsueshme dhe rregullat hyjnore, të cilat kthjellojnë shpirtrat e përkushtuar dhe pastrojnë e qetësojnë mendjet e trazuara të besimtarëve myslimanë në mbarë botën, duke i bërë edhe më të vetëdijshëm për mrekullinë e besimit dhe rëndësinë e vlerave të tij.
Sakrifica e Ramazanit është festa fetare, por njëkohësisht edhe guri i provës së besimit të njerëzve ndaj besëlidhjes së tyre me Zotin e Plotfuqishëm, që e tregojmë dhe e vërtetojmë nëpërmjet sakrificave të përditshme e të vullnetshme besnike përgjatë një muaji të tërë.
Le të shërbejë ky Muaj i shenjtë për të gjithë Ju besimtarë myslimanë, që të lini mënjanë ndasitë, t’i bëni thirrje ndërgjegjes suaj për të përmbushur më së mirë detyrimet dhe përgjegjësitë njerëzore dhe fetare, për t’iu shmangur veseve dhe dobësive, për t’iu gjendur me më shumë dashuri dhe përkujdesje njëri-tjetrit dhe të afërmve tuaj si dhe për të vënë në piedestal e për t’iu falur vetëm vlerave të vërteta e të pastra njerëzore.
Ju uroj nga zemra një agjërim sa më të lehtë gjatë Muajit të Ramazanit dhe njëkohësisht mendje sa më të kthjellëta e shpirtra sa më të kulluar!”.

 

Kryetari i KMSH-së Skënder Bruçaj uron Muajin e Bekuar të Ramazanit


skender brucaj“Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat shqiptare, anembanë botës.
Më lejoni që në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes me paqen dhe sigurinë që vjen prej Krijuesit tonë Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.
Nesër, me datë 6 qershor, është dita e parë e këtij muaji të madhërueshëm dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit.
Për agjërimin e Ramazanit, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185)
Me agjërimin e Ramazanit shprehet më së miri besimi, sinqeriteti, humanizmi, uniteti, bujaria, virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar në jetën e tij të përditshme.
Ne këtë muaj Krijuesi i Gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtarët, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vetvete sakrificën dhe përkushtimin ndaj Allahut. Qëllimi kryesor i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Zotit.
Ramazani njihet si muaji i Kur’anit Famëlartë, prandaj le të na shërbejë kjo periudhë e bekuar kohore për njohjen sa më të thellë të mesazhit hyjnor dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të vlerave e traditave tona të bukura islame.
Të nderuar bashkëkombës,
Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin, vëmendjen dhe dashurinë që duhet të kemi për njerëzit që na rrethojnë, në veçanti për ata që kanë nevojë për përkrahjen tonë në përmbushjen e nevojave të tyre jetike, duke u bërë në këtë mënyrë shkak që edhe në shoqërinë tonë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja.
Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, në Shqipëri dhe jashtë saj, ju uroj edhe njëherë përzemërsisht muajin e bekuar të Ramazanit. Allahu na i pranoftë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, na sjelltë begati, mirësi dhe paqe në familjet tona, dhe në mbarë Shoqërinë”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY