Rilindja e Edi Ramës ka hyrë rrufeshëm në fazën e saj të fundit, atë të shndërrimit në qesharake. Zakonisht qeverisjet në Shqipëri kanë kaluar nëpër disa etapa, relativisht të gjata, përpara se të prekin kufirin e fundit, atë të ridikulizimit.
Fatos Nano, për shembull, dhe PS gjatë periudhës së tij, ndërmorën disa reforma, nisën shumë punë dhe kaluan disa prova (stabilizimi i vendit pas ‘97, reforma fiskale, kushtetuese, privatizimet, investime në infrastrukturë etj.) derisa arritën në fund të mandatit të dytë, ku bashkë me degradimin e qeverisjes mbërriti pashmangshmërisht edhe qesharakëzimi. Mbahen mend ende pamjet e Nanos tek përpiqej me shtatin e tij të luante basketboll me “tigrat” e rinj të PS, drejtorë tatimesh e doganash. Ose lulet e dasmës apo festa kitsch e ditëlindjes. Për të mos harruar fjalimin e “zogut vetmitar që prapa i vinte historia”.
Qeverisjes së Sali Berishës, për shkak edhe të karakterit të tij, iu desh më shumë kohë për të mbërritur tek ridikulizimi. Qeverisja e demokratëve gjithashtu, shënoi arritje të mëdha gjatë mandatit të parë, për të shënuar rënie në gjysmën e të dytit dhe për të regjistruar në fund fazën qesharake. Krahasimi me ekonominë gjermane, rekordet e kryeministrit herë në det e herë në male, kandidimi i të majtëve për të djathtë dhe dipendenca nga ngjalat e Metës, janë vetëm disa fragmente nga parodia e fundpushtetit.
Ndërkohë, Rilindja e Edi Ramës ia doli të bëhet qesharake që në krye të herës, madje pa shënuar asgjë tjetër. Absolutisht pa bërë asgjë thelbësore, nga dita e parë e mandatit të bujshëm të 23 qershorit dhe deri më sot, kur ky mandat është katandisur thjesht në një show të lodhur humoristik. Nisi me fotot e lyerjes së kryeministrisë dhe po përfundon me fotot e të brendshmeve të kryetarëve të bashkisë.
Prej marrjes së pushtetit e deri tani, kryeministrit i është dashur të gjejë lloj-lloj argumentesh e të shpikë justifikime për njerëzit e tij, që po i bien dita-ditës si simbole të korrupsionit apo lidhjeve me krimin. I është dashur ta bëjë për Frrokun, Ndokën, Prengën, Roshin, Xhelilin… pa përmendur dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë, që janë varur si medalje degradimi në gjoksin e Rilindjes. Një rekord absolut për një forcë politike në vitet e para të mandatit të saj qeverisës.
Dhe më qesharake e bën Rilindjen nevoja për ta mbuluar këtë degradim të pashembullt. Tashmë janë shndërruar në simbole të gallatës urbane, deklaratat e Edi Ramës për deputetët e “fortë” që i do komuniteti apo për kryebashkiakët me disa emra, që dallgët e jetës i paskan hedhur në mëkatin e krimit.
E nëse qeveritë paraardhëse nisën të latohen nga fundi, kjo e Rilindjes e kapi fundin që në fillim. Sukseset imagjinare në ekonomi, shkëlqimi i kryeministrit si artist ndërkombëtar e si lider global, e deri te deliri provincial për t’u treguar amerikanëve se çfarë presidenti meritojnë, e kanë shoqëruar qeverisjen që në ditën e parë të mandatit të saj. Për të mos harruar gallatën live, gati të përditshme, ku kryeministri përsërit, si një aktor bajat humori, batutat për flokët me xhel, skedinat e lotove apo gratë që ua mbledhin burrave.
Ndoshta kryeministri nuk e kupton që ka ardhur momenti të pranojë abortin e diçkaje që nuk lindi kurrë, e jo më të rilindte. Shqipërinë e premtuar para 23 qershorit. Është më mirë të pranosh dështimin, se sa ta shesësh atë për sukses apo të përpiqesh ta mbulosh me gjethe fiku. Sa më shumë të zgjasë kjo përpjekje butaforike, aq më qesharake do të duken mufkat e kryeministrit përpara kamerave, parqet e lodrave të Erionit apo spajdermenët e Tahirit. Dikush duhet t’u tregojë se janë aty jo për të na gajasur por për të na qeverisur.
Dhe sigurisht që është momenti për të kuptuar se kryeministri nuk është aty për të shkruar çdo ditë hartime e për të justifikuar zgjedhjet skandaloze që ka bërë në Kuvend, administratë e bashki, por për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Për shkak të këtyre zgjedhjeve dhe qasjes së kryeministrit ndaj tyre, shqiptarët janë përfshirë sot në një debat ku në vend të diskutohet për nivelin intelektual të përfaqësuesve të tyre, llogariten vitet e burgut, ndalimet apo dënimet, mosha kur është bërë krimi apo cili është emri i vërtetë. Kjo është më shumë se qesharake.
Por nëse kryeministri gjykon se duhet të merremi me këto diskutime dhe të zbulojmë se cila dallgë e jetës i ka nxjerrë të zgjedhurit në rrugë të keqe, nuk duhet harruar se dallga e jetës e ka çuar edhe Edi Ramën në karrigen e kryeministrit. Dhe këtu, qesharakja duhet trajtuar seriozisht. Ai nuk ka në dorë thjesht fatin e tij personal, por timonin e anijes ku gjendemi të gjithë, të cilin e ka lëshuar krejtësisht pa duar. Jo dallgët e jetës, po dallgët e Rilindjes, kushedi se ku do të na përplasin.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/