Nishani: Zgjedhja e përbashkët strategjike, integrimi evropian i të gjithë rajonit

Nishani: Zgjedhja e përbashkët strategjike, integrimi evropian i të gjithë rajonit

68
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë sot në takimin e Liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), krahas shumë krerësh shtetesh dhe qeverish. Ky Samit përkon dhe me 20-vjetorin e themelimit të kësaj organizate.
Presidenti Nishani që në fillim të fjalës së tij theksoi se SEECP në këto 20-vjet ka nxitur bashkëpunimin mes vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, por edhe ka frymëzuar lindjen e shumë nismave të tjera rajonale, të cilat kanë rritur ndjeshëm mundësitë për shkëmbime. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu, se takimet e shpeshta mes liderëve të rajonit kanë krijuar mundësinë për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme, që nga sfidat që lidhen me proceset integruese, e deri tek çështje më akute, përfshirë luftën kundër terrorizmit apo përballjen e flukseve migratore në rrugëkalimin Ballkanik.
Presidenti i Republikës, gjatë fjalës së mbajtur vlerësoi edhe rolin e krahut operacional të organizatës, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), duke e konsideruar atë një aset të çmuar të bashkëpunimit mes shteteve anëtare të SEECP-së.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për një debat realist dhe reflektimin për fazën e mëtejshme ku shtetet anëtare dëshirojnë ta çojnë organizatën, si dhe i garantoi liderët e tjerë se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë një partner serioz dhe i besueshëm në këtë proces.
Në mbyllje të Samitit, liderët pjesëmarrës miratuan një deklaratë të përbashkët të Samitit, ku theksuan rolin e rëndësishëm të SEECP-së në procesin e integrimit evropian të rajonit, si dhe angazhimin për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe adresuar sfidat dhe kërcënimet e reja për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore, duke theksuar dhe rolin e NATO-s dhe të OSBE-së në këtë aspekt.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Trojkës së SEECP-së dhe Kryesisë së radhës së kësaj organizata për periudhën 2014-2015, mori pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev, që mbylli Kryesinë aktuale dhe Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, që e mori kryesinë e organizatës për periudhën 2016-2017.
Në këtë konferencë shtypi, Kreu i Shtetit vlerësoi arritjet që kanë bërë të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore në këtë 20 vjetor të organizatës, duke u shprehur se këto arritje “na bëjnë krenarë, dhe na mundësojnë të vlerësojmë se si vendet tona janë zhvilluar, dhe si i gjithë rajoni aktualisht gëzon formën e vetë më të mirë që ka pasur në historinë e tij”.
Gjithashtu, Presidenti Nishani, theksoi se ky Samit ripohoi se zgjedhja e përbashkët strategjike mbetet integrimi evropian i të gjithë rajonit, si politikë strategjike që garanton paqen, stabilitetin dhe begatinë e të gjitha vendeve të rajonit.
Në fund të konferencës për shtyp, Kreu i Shtetit përgëzoi Bullgarinë për Kryesinë e suksesshme të SEECP-së, si dhe uroi Kroacinë për marrjen e kësaj kryesie për vitin 2016-2017, duke e siguruar për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë.
Presidenti i Bullgarisë në fjalën e tij si Kryetari në Detyrë i SEECP ndër të tjera u shpreh se presidenca bullgare e organizatës gjatë një viti ngriti në një nivel më të lartë çfarë u fillua gjatë presidencës shqiptare, duke e falënderuar Shqipërinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin.

* * *

Fjala e Presidentit Nishani e mbajtur në Samitin e Liderëve të SEECP-së


bn1_copy_2“Zoti Kryetar i Radhës, i dashur President Plevneliev,
Të dashur kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,
Së pari, më lejoni të falënderoj mikpritësin bullgar për pritjen e ngrohtë dhe realizimin me sukses të Kryesisë së radhës, që bukur koinçidon me 20-vjetorin e Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL). Shumë është arritur që nga koha kur vendet tona morën vendimin për të ngritur forumin e parë politik të bashkëpunimit rajonal, i cili, suksesshëm u shndërrua në një proces.
Si vendet tona, individualisht, ashtu edhe rajoni si i tërë, ka ndryshuar rrënjësisht që atëherë: kufijtë e NATO-s dhe BE-së janë shtrirë brenda rajonit; pothuajse të gjithë qytetarët e vendeve tona mund të lëvizin pa viza drejt Evropës dhe në rajon, me bindjen se edhe Kosova së shpejti do të përfitojë nga ky regjim i liberalizuar me Bashkimin Evropian; demokracia brenda secilit vend është zhvilluar më tej; ekonomitë tona janë bërë me konkurruese; dhe lidhjet tona janë bërë pazgjidhshmërisht më të forta, si me BE-në ashtu edhe në raport me njëri-tjetrin; vetë PBEJL është zgjeruar më tej, një meritë e padiskutueshme e bashkëpunimit të përmirësuar mes nesh.
PBEJL ka nxitur padyshim bashkëpunimin mes nesh, por njëkohësisht edhe ka frymëzuar lindjen e shumë nismave të tjera rajonale, të cilat kanë rritur ndjeshëm mundësitë për shkëmbime. Vetëm përgjatë vitit të fundit ne kemi patur mundësinë për t’u takuar mbi dhjetë here, ku dhe kemi diskutuar për çështje shumë të rëndësishme, që nga sfidat që lidhen me proceset respektive integruese, e deri tek çështje më akute, përfshirë luftën kundër terrorizmit apo përballjen e flukseve migratore në rrugëkalimin Ballkanik. Gjithashtu, ne tashmë kemi ndërtuar dhe konsoliduar një krah operacional të PBEJL, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, i cili gjithashtu sot përbën një aset të çmuar të bashkëpunimit tonë. Gjithsesi, ky përvjetor i 20-të i nismës duhet parë si një mundësi e re për të koordinuar qëndrimet e përpjekjet tona në funksion të rijetësimit të këtij procesi. PBEJL duhet të bëhet plotësues/komplementar i nismave të tjera të suksesshme rajonale, duke pasur parasysh edhe natyrën veçanërisht përfaqësuese që ky proces ka për rajonin tonë.
Ndaj unë do të inkurajoja një debat realist dhe reflektim për fazën e mëtejshme ku duam ta sjellim PBEJL. Shqipëria ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një partner serioz dhe i besueshëm në këtë proces, ashtu si edhe ndaj bashkëpunimit rajonal në tërësi. Ne mbetemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë të drejtpërdrejtë për t’u përballur me sfidat, përfshirë ato në fushën e sigurisë.
Arritjet e deritanishme janë një anë e medaljes që nuk duhet të na çojnë në vetëkënaqësi, por të na frymëzojnë për të avancuar më tej ambiciet që plotësojnë qëllimet dhe objektivat tanë strategjikë. Paqja, stabiliteti dhe begatia ekonomike janë objektiva të qëndrueshme dhe afatgjata për vendet tona e rajonin tonë. Shqipëria e ka bërë të qartë tashmë gjithashtu, se objektivi më strategjik për Shqipërinë, sot, është integrimi në BE, ndaj së cilës ne nuk kemi dhe as shohim asnjë alternative tjetër. Ne jemi thellësisht të përqendruar të përparojmë më tej në këtë rrugëtim duke zbatuar reforma të thella të brendshme, me qëllim hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.
Duke e lidhur me këtë proces, por jo vetëm, ne besojmë se bashkëpunimi rajonal duhet të përparojë më tej gjithashtu. Është inkurajues fakti që qeveritë e vendeve tona dakordësohen për projekte të përbashkëta në kuadër të nismave të ndryshme rajonale, përfshirë atë të Brdo-Brijuni dhe Procesin e Berlinit. Është gjithashtu e rëndësishme që Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe Qendra për Bashkëpunimin Rinor të bëhen operacionale sa më parë, pasi jam i sigurt se ato do të ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët dhe në vendet tona në tërësi.
Ne po shkojmë krejt natyrshëm drejt nismave rajonale edhe më konkrete dhe me objekt të përqendruar të cilat japin rezultate në dobi jo vetëm të një komunikimi më të qenësishëm mes qeverive tona, por veçanërisht që ndikojnë pozitivisht e qenësisht jetët e qytetarëve. Në këtë optikë, do të doja ta shikoja edhe PBEJL të zhvillohej më tej, pasi ka shërbyer tashmë prej 20 vjetësh si platforma më e rëndësishme politike e bashkëpunimit rajonal.
Gjatë ditëve të fundit, pata sërish mundësinë të theksoj, si në Stamboll ashtu edhe në Sarajevë, se Shqipëria është plotësisht e angazhuar dhe përkushtuar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Me modesti, i bëra jehonë modelit të shkëlqyer të bashkëjetesës dhe vëllazërisë ndër-fetare që Shqipëria ka mëkuar natyrshëm ndër shekuj. Në këtë kontekst, unë gjithashtu ripohova se ne jemi të gatshëm t’u bashkohemi të gjitha përpjekjeve që shkojnë në drejtim të promovimit të dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme.
Ne udhëhiqemi po nga parimet e fqinjësisë së mirë dhe çimentimit të paqes dhe stabilitetit në politikën tonë drejt rajonit. Ne duam ta shohim këtë rajon të pajtuar në paqëtim dhe të aftë të përballojë sfidat që ka përpara. Ndaj, dëshirojë të ripohoj se Shqipëria qëndron në solidaritet me vendet e rajonit të prekura nga kriza e refugjatëve, dhe se do të ofrojë mbështetjen e saj proporcionale me mundësitë që ka, si ndaj fqinjëve ashtu edhe ndaj BE-së.
Në mbyllje, doja të përcjell sigurimet se Shqipëria mbetet një mbështetëse e fuqishme e bashkëpunimit rajonal dhe një anëtare aktive e PBEJL, dhe se do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm për realizimin e agjendave bashkëpunuese dhe integruese të vendosur bashkërisht.
Faleminderit!”

* * *

Deklarata në konferencën e përbashkët për shtyp e trojkës së SEECP


bn_copy_2“Së pari, dua të falënderoj Presidentin Plevneliev për organizimin e shkëlqyer të Samitit të PBEJL, dhe të vlerësoj arritjet e kryesisë bullgare. Është një koincidencë e bukur që mblidhemi përsëri në qytetin e Sofjes, 20 vite pas takimit të parë që hodhi themelet e këtij procesi.
Në këtë 20 vjetor, të gjitha vendet tona kanë shënuar arritje që na bëjnë krenarë, që na mundësojnë të vlerësojmë si vendet tona janë zhvilluar, dhe si i gjithë rajoni aktualisht gëzon formën e vetë më të mirë që ka pasur në historinë e tij. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha për të realizuar ambiciet tona strategjike për shtrirjen e kufirit të NATO-s dhe BE-në brenda këtij rajoni. Ne kemi ndërtuar lidhje më të mira dhe të forta të një bashkëpunimi të mirëfilltë, dhe jemi të angazhuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për rajonin tonë, për vendet dhe qytetarët tanë.
PBEJL ka qenë një instrument i çmuar për të pikëprerë ambiciet dhe arritjet tona. Por ne kemi ende shumë sfida të reja dhe të vjetra që duhet t’i përballim. Ne ramë dakord, që duke ndërtuar mbi Kartën e PEBEJL dhe dokumente të rëndësishme politike që kemi miratuar ndër vite, të rijetësojmë bashkëpunimin rajonal. Ne gjithashtu ripohuam se zgjedhja jonë strategjike mbetet integrimi evropian i të gjithë rajonit, si politikë strategjike që garanton paqen, stabilitetin dhe begatinë. Ne përshëndetëm angazhimin aktiv të BE-së në rajon, dhe veçanërisht përpjekjet për një ndërlidhje rajonale efikase në fusha kyce zhvillimore, si energjia, transporti, infrastruktura, dhe ndërlidhja.
Ne përshëndetëm përzemërsisht vendet e PBEJL që i janë bashkuar BE-së në 20 vitet e fundit, në bazë të meritave individuale, dhe theksuam se presim zbatimin e plotë të parimit të gjithëpërfshirjes në proceset bashkëpunuese në Evropën Juglindore.
Unë përsërita se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. I bëra jehonë modelit modest por të shkëlqyer që Shqipëria ka mëkuar, të ndërtimit të një bashkëjetese dhe vëllazërie harmonike e të paqtë ndër-fetare. Shqipëria është po ashtu e udhëhequr nga parimet e fqinjësisë së mirë dhe çimentimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne duam ta shohim këtë rajon të pajtuar dhe të aftë të përballet me sfidat që ka përpara. Në këtë kontekst, ripohova se Shqipëria qëndron në solidaritet me vendet e rajonit të prekura nga kriza e refugjatëve, dhe se do të ofrojë mbështetjen e saj proporcionale ndaj fqinjëve dhe BE-së.
Në fund, ndërsa përshëndes dhe një herë arritjet e kryesisë bullgare të PBEJL, dua gjithashtu të mirëpres kryesinë e ardhshme kroate, t’u uroj sukses dhe t’i siguroj për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY