KLSH kallëzon në Prokurori drejtorin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë

KLSH kallëzon në Prokurori drejtorin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë

89
0
Shares

Kontrolli i Lartë të Shtetit, ka përfunduar auditimin në Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë (SUSHNT), me objekt, “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2014 dhe 2015”.
Në përfundim të këtij procesi, në bazë të Raporti Përfundimtar mësohet se dëmi i konstatuar llogaritet në 35,267,900 lekë, ndërsa KLSH i ka rekomanduar SUSHNT masa me karakter organizativ, dhe shpërblimin e demit të shkaktua.
Sipas KLSH, mësohet se gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi. Në përgjithësi këto shkelje e parregullsi, konsistojnë në zbatimin e procedurave të prokurimeve për punë, mallra dhe shërbime. Kryesisht këto janë evidentuar ne procedurat e realizuara gjatë vitit 2015, në të cilat konstatohet se ka një tendencë në rritje të procedurave fiktive, duke shmangur konkurrencën me qëllim favorizimin e operatorë ekonomik të caktuar.
Nga ana e tij, KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera të P. K., me cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresë  nr. 1211/8,  date 17.05.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për kryerjen e procedurave fiktive në prokurime me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë të caktuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 35.3 milionë lekë, dhe për pasojë ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.

Shkeljet

klsh1. Gjatë vitit 2015, SUSHNT, ka realizuar 10 procedura prokurimi me “Negocim pa shpallje paraprake të kontratës” me vlerë të përgjithshme rreth 47,154,602 lekë. Këto procedura janë realizuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. Përzgjedhja e kësaj forme prokurimi, është justifikuar me nevojat emergjente për shkak të mungesës së medikamenteve, mallrave apo shërbimeve te ndryshme. Mirëpo, nevojat emergjente të këtyre mallrave dhe shërbimeve nuk janë shkaktuar për rastet e parashikuara në rregullat e prokurimit publik, por janë shkaktuar nga mos kryerja në kohë të procedurave të prokurimeve nga Autoriteti Kontraktor (AK).

2. AK, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, për prokurimin e shërbimit me roje private për sigurinë fizike të ambienteve të SUSHNT, sepse përgjatë vitit 2015 ka realizuar 6 procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme 10,895,083 lekë, të ndara veçmas me synimin e vetëm për të favorizuar dhe dhënë kantatën e këtij shërbimi një operatori ekonomik të paracaktuar. Respektivisht, ka zhvilluar 4 procedura me negocim dhe 2 procedura kërkesë për propozim nga e cila një është anuluar.

3. AK, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, për blerjen e “materialit djegës dhe marrje me qira të kaldajave, për ngrohjen e spitalit për  vitin 2015”, sepse ka kryer 4 procedura prokurimi fiktive, me qëllim zgjedhjen e  një operatorit ekonomik të paracaktuar. Nga këto veprime apo mosveprime i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 11,924,720 lekë.

4. Në tenderin “Me negocim pa botim paraprak të kontratës” të zhvilluar në vitin 2105 për “Blerje medikamente për nevoja spitalore” me fond limit 19,101,350 lekë, është vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. Sepse, AK, për 61 medikamente ka përcaktuar çmime më të larta se, çmimet e përcaktuara në listën e Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë të përgjithshme 5,250,791 lekë. Po kështu edhe operatori fitues i tenderit me të cilin është lidhur kontrata e furnizimit nëpërmjet procedurës me negocim, të 61 medikamentet i ka paraqitur në ofertën e tij me çmimet më të larta se, çmimet e përcaktuara nga MSH për medikamentet që do të blihen gjatë vitit 2015 në të gjithë sistemin e shëndetësisë, nëpërmjet procedurave të prokurimit, duke bërë që 5,250,791 lekë, fonde buxhetore të përdoren pa efektivitet.

5. Me përfundimin e procedurave të prokurimit të përqendruara të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë, në datën 29.08.2014, SUSHNT, ka lidhur një kontratë shërbimi me një subjekt privat për “Mirëmbajtjen e 3 pajisjeve mjekësore: “Angiograf”, “Shintigraf” dhe “CT Skaner” me vlerë të përgjithshme 92,184,000 lekë. Mirëpo, pajisja mjekësore “Angiografi” (koronografi), nuk ka qenë në përdorim dhe në funksion nga data 01.09.2014 deri në 31.08.2015 dhe spitali për këtë periudhë ka kryer pagesa për shërbimin e mirëmbajtjes në favor të subjektit kontraktues duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 15,610,148 lekë. Po kështu edhe pajisja mjekësore tjetër “Shintigrafi”, e cila shërben për diagnostikimin e disa sëmundjeve të mushkërive, nuk ka qenë në përdorim dhe në funksion që nga data 01.09.2014 dhe deri më sot ende nuk është në përdorim. Edhe për mirëmbajtjen e kësaj pajisjeje, e cila nuk ka qenë asnjëherë në punë, spitali ka paguar në dëm të buxhetit të buxhetit të shtetit vlerën e plotë të mirëmbajtjes prej 7,733,041 lekë.

6. Në realizimin e praktikave të prokurimit për blerjet me vlera të vogla u evidentuan shkelje dhe parregullsi të rregullave të prokurimit publik, si: në 17 praktika në vlerën totale 7,740,585 lekë janë realizuar me procedura prokurimi manuale (me dokumente) duke eliminuar procedurat e sistemit elektronik; për 150 praktika të tjera me vlerë të përgjithshme 30,217,416 lekë, nuk është bërë argumentimi i përllogaritjes së fondit limit. Po kështu, një pjesë e këtij fondi në vlerën prej 3,740,000 lekë është prokuruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik sepse, për të njëjtën grup artikujsh apo natyrë, malli, shërbim dhe pune, janë realizuar dy dhe më shumë procedura, të ndara secila veçmas, me qëllim shmangien e procedurave elektronike dhe përdorimin e procedurës së prokurimit nën vlerën 120 mijë lekë, procedurë e cila realizohet me dokumentacion dhe jo me sistemin elektronik.

7. Në kundërshtim me Udhëzimin e Ministrit të Shëndetësisë nr. 506, datë 18.09.2013 “Për ndalimin e procedurave të marrjes dhe largimit nga puna të punonjësve”, në 11 raste, janë kryer rekrutime për pozicione të ndryshme (jo-mjekë), si dhe në kundërshtim me Udhëzimin e MSH nr. 247, datë 11.05.2004 “Për punësimin e stafit infermier” në 30 raste, janë rekrutuar infermierë pa kryer procedura konkurrimi. Po kështu, është vepruar në kundërshtim me Statusit të SUSHN, pasi 11 shefa të shërbimeve të këtij spitali dhe Drejtori i Spitalit nuk kanë lëshuar deklaratat e konfliktit të interesit të konfirmuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në zbatim të statusit, mjekët që punojnë në pozicionin e shefit të shërbimit dhe të Drejtorit të Spitalit, nuk u lejohet të drejtojnë apo punojnë në institucione të tjera shëndetësore private.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY