Edhe pse numërohen rreth 10 mijë apartamente te mbetura stok në të gjithë vendin, ka nisur rritja e çmimit të banesave në Tiranë.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë se indeksi i çmimit të banesave shënoi një shtrenjtim me 11.3%.
Sipas ndërtuesve, arsyet e rritjes së çmimeve lidhen tërësisht me shtimin e ngarkesës fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e banesës për stokun e pashitur) dhe jo me faktorë të kërkesës, shkruan monitor.al. Të dy këto taksa janë vendosur nga bashkia e Tiranës.
Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave.
Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale. P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.
Ende nuk ka ndërtime të reja këtë vit pohojnë ndërtuesit, por stoku që do të vijë, do të sjellë rritje të menjëhershme të çmimit, faturë të cilën e merr blerësi në kryeqytet.
Por, ndërtuesit paralajmërojnë se paralelisht do rriten dhe çmimet e banesave të ndërtuara tashmë, ndonëse me ritme më të ulët se ato të reja, sipas monitor.al.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/