Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një letre të hapura, ka caktuar sot, orën dhe vendin e takimit, ku ai pret kreun e PD-së Lulzim Basha.
Po ashtu, Rama ka bërë të ditur edhe nga kush ai do të shoqërohet në këtë takim të mundshëm.
Letra e plotë
Tiranë, me 27 maj 2016
Drejtuar: Znj. Greta Deljani
Drejtori i Kabinetit
Partia Demokratike e Shqipërisë
E nderuar zonja Deljani,
Duke marrë shkas nga shprehja publike e gatishmërisë së zotit Lulzim Basha për t’u takuar me Kryeministrin, zotin Edi Rama, jam e autorizuar t’ju komunikoj se ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur.
Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast.
Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij.
Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte së bashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët.
Për rëndësinë e posaçme të këtij komunikimi, kjo letër do të publikohet në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, mbetem në dispozicion për çdo detaj të organizimit të këtij takimi.
Me konsideratë,
Vali Bizhga
Drejtori i Kabinetit
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/