DOSJE/ Ku dhe si e fshehën floririn tregtarët e Elbasanit

DOSJE/ Ku dhe si e fshehën floririn tregtarët e Elbasanit

1004
0
Shares

Ndryshe nga mjaft tregtarë në qytete të tjera të Shqipërisë të cilët, me hir ose pahir, e dorëzuan floririn, në Elbasan nuk qe e lehtë për komunistët.
Si kudo në vend edhe në këtë qytet u vendos Tatimi i Jashtëzakonshëm i Luftës. Por disa nga tregtarët e mëdhenj pranuan të vdisnin, se sa ta dorëzonin mundin e tyre në duart e pushtetit.
Metodat e përdorura nga Sigurimi i Shtetit kanë qenë të mundimshme dhe barbare. Tortura çnjerëzore provuan Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj. Ata  vdiqën në burgjet e komunizmit edhe pse në mjaft raste i kishin mbajtur me bukë partizanët.
Historia më klasike e rezistencës ndaj terrorit të kuq ka qenë ajo e tregtarit Sul Domi. Ai u torturua për 11 ditë me radhë në një qeli të improvizuar në “Grand Hotel”.
Sipas të dhënave, me bamirësin e njohur të qytetit, strukturat e policisë u sollën të pamëshirshëm. Ndaj tij u përdorën tortura të mundimshme si zhytja në ujë të ftohtë, dhimbje të mundimshme të shkaktuara nga metoda bizantine, presion psikologjik etj. Duroi për 11 ditë me radhë deri sa më 11 prill të vitit 1948 ndërroi jetë kur ishte në moshën 58 vjeç.
Sulë Domi ua kishte dorëzuar dy herë tatimin që i kishin vënë autoritetet. Por ata besonin se ai fshihte flori në sasi të mëdha. I grabitën gjërat me vlerë në shtëpi. Përdorën presione psikologjike me njerëz të familjes. Por nuk e mposhtën dot krenarinë e tregtarit të ndershëm.
Sulë Domi ishte një nga tregtarët më të suksesshëm të viteve 30. Me punën e tij të ndershme u bë një nga tregtarët më të rëndësishëm në Elbasan. Ishte i njohur për vlerat qytetare dhe humanitare. Zotëronte 12 dyqane në qendër të Elbasanit. Kishte të tillë edhe në Milano dhe Selanik. Zhvillonte tregti nga lindja në perëndim.
Dha kontribute të jashtëzakonshme në ndihmë të familjeve të varfra në qytet, në martesa dhe në arsimimin e elbasanasve jashtë vendit.
Trashëgimtarët dhuruan një truall ku u ndërtua një shkollë që mban emrin e tij.
Në arshivën e shtetit nuk gjendet asnjë dokument që të dëshmojë se cila është sasia e arit të sekuestruar prej tij.
Pas vdekjes, persekutorët i zhdukën edhe trupin. Ende sot e kësaj dite nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e Sulë Domit.
Tregtari tjetër Refik Myftiu nuk e dorëzoi floririn. Ai e fshehu diku pranë shtëpisë. “Thesari” u zbulua krejt rastësisht kur në Ebasan u ndërtua shkolla e muzikës “Onufri”.  Një sasi e vogël e floririt ishte e groposur në rrënjët e një shege dhe u sekuestrua nga policia. Më pas nuk u mësua se cili ishte fati i monedhave të gjetura.
Ende sot e kësaj dite ekzistojnë legjenda urbane për thesarin e Sulë Domit në Elbasan. Sipas gojëdhënave, ai mund ta ketë fshehur floririn në ullishtën e Elbasanit para se të vinin komunistët. Gjatë dekadave të fundit nuk kanë munguar edhe kërkimet dhe ekspeditat e ndërmarra nga shtetas të ndryshëm për të rënë në gjurmë të këtij thesari.


Fatos Salliu
Infoelbasani.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY