Familjarëve, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike ën Tropojë, kanë denoncuar se OSHEE ju mban atyre “forcërisht” nga ndihma ekonomike, detyrimet për faturat e energjisë eklektike.
Denoncimin, familjarët me të ardhura që nuk i kalon 4.000-5.000 lekë të reja në muaj, e kanë bërë prezent para Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili ndodhet në bashkinë e Tropojës për ankesat e qytetarëve
Ata i thanë Totozani se pavarësisht nivelit shumë të ulët të pagesave të ndihmës ekonomike Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ua mban paratë e faturave të energjisë elektrike nga kjo ndihme. Ndërsa në rastet kur këto familje duan të lidhin kontrata të reja me OSHEE-në, ato duhet të paguajnë tarifën prej 18.000 lekësh të reja.
Avokati i Popullit tha se ndihma ekonomike jepet nga shteti për mbijetesën e këtyre familjeve, ndonëse 5.300 lekë të reja në muaj janë krejtësisht të pamjaftueshme për të garantuar një jetë normale dhe dinjitoze. Ndaj Totozani siguroi se do të vazhdojë të insistojë për deklarimin e minimumit jetik në Shqipëri, gjë që do të përcaktonte koston reale që i duhet një familje për të jetuar. Totozani u shpreh se është e pamundur për këto familje, që mbijetojnë me 5.300 lekë të reja në muaj, për invalidët e punës apo personat e tjerë me aftësi të kufizuar, që të paguajnë faturat e dritave dhe të ujit, apo shërbimet e shtrenjta që ofron OSHEE si në rastin e hapjes së kontratave të reja. Këto janë detyrime që çdo shtet social ka ndaj shtresës më vulnerabël të shoqërisë.
Në bashkinë e Tropojës aktualisht janë 2.438 familje, që trajtohen me ndihmë ekonomike, nga të cilat 911 familje kanë persona me aftësi të kufizuar. Investimet për këtë vit janë zero, ndërkohë që papunësia mbetet tepër e lartë dhe nuk ka asnjë program për nxitjen e punësimit. Shqetësim për banorët mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm.
Në bashkinë e Tropojës numërohen 179 familje të pastreha. Vetëm 10 familje kanë përfituar trajtime me kredi lehtësuese, ku e fundit është dhënë në vitin 2012. Por edhe nëse do të kishte ndonjë program për strehimin me kredi të buta, Totozani konstaton se familjet e varfra përjashtohen nga kjo skemë strehimi, pasi nuk kanë aftësi likujduese për kreditë.
Një përfaqësuese e shoqërisë civile në këtë zonë, paraqiti pranë Avokatit të Popullit një ankesë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, në mënyrë që të mos shkatërrohen këto pasuri natyrore dhe ekosistemi mjaft i pasur që ekziston aty, por të ndiqen politika zhvilluese dhe subvencionuese për investime në fushën e turizmit, ato agro-ushqimore apo bimëve medicinale. Nga ana e tij Avokati i Popullit vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e fondeve nga ana e bashkisë së Tropojës për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave për indeksimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
Avokati i Popullit Igli Totozani, në një takim me Kryetarin e bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, diskutoi me shqetësim mbi këto çështje dhe problematika me të cilat hasen qytetarët e kësaj zone. Ndërsa, ekspertët e Avokatit të Popullit zhvilluan edhe një inspektim në mjediset e paraburgimit të Tropojës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/