Mark Crawford, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka zhvlerësuar sonte, pretendimet e kryeministrit Edi Rama, “për mos largime të bizneseve të huaja nga Shqipëria”. Ai, jo vetëm që pohon të kundërtën, por thotë se ka biznese që janë larguar nga Shqipëria, me humbje dhe fitim. Midis të tjerave ai bëri të ditur se bizneset që nuk falimentojnë dot, për shkak të burokracive, shiten.
I ftuar në emisioni “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe në TV “Ora News”, ai trajtoi mbrëmjen e sotme edhe debatin e hapur mbi largimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Ai dha një përgjigje dhe për dy kompani amerikane që kishin studiuar tregun shqiptar për një investim 250 milionë dollarë dhe ishin larguar, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk mund të konkurrojë dot me vendet e rajonit, për sa i përket taksave.
“Dy kompanitë vetëm kanë shikuar tregun. Ka shumë pak që po falimentojnë, është e vështirë për të falimentuar sipas burokracive këtu. Kështu që bizneset po shesin, disa po shesin me fitim, disa jo. Kemi pasur raste të anëtarëve të Dhomës Amerikane që kanë ikur me fitim dhe pa fitim. Ata që janë me fitim i kanë shitur me dëshirë, por brenda 2015 ka pas disa që kanë shitur me humbje. Por të mos qahemi për qumështin e derdhur në tokë, ka kaluar. Të fokusohemi tek ata që mund të vinë, ose ata që kanë ardhur dhe kanë studiuar tregun dhe kanë ikur. Jemi pas vendeve të rajonit, me taksat nuk jemi në konkurrencë. Por ka dhe aspekte të tjera”.
“Një investitor duhet të ketë mbrojtje, kudo ka probleme. Probleme brenda kompanisë, me konkurrencën, me ligjin. Ku ti drejtojë problemet e tij? Tek gjykata. Kemi pas dhe disa kompani që kanë probleme me gjykatat, një ka marrë përsipër Ambasada amerikane. Kemi pas dhe kompani që janë në pritje, siç është një kanadeze prej një viti e ca, janë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë. Janë pro Qeverisë, por janë në pritje për të investuar. Unë kam disa investitorë që janë tani në Shqipëri dhe janë duke menduar për të investuar këtu, do investojnë dhe në Bullgari. Po luftoj që sa pjesë do ngelen këtu. Ata nuk kishin probleme me gjykatën, nuk kishin menduar fare për të, është element bazë kur të investohet diku. Por kur e mendojnë këtë problem, është e frikshme për investitorët”, u shpreh më tej Mark Crawford, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/