Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim administratorin e kompanisë së naftës, “Tea Construction & Petrol”, ish-zv.Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe disa punonjës dogane, të gjithë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare, me vlerë mbi 2 milionë euro, si edhe me një dëm të pallogaritshëm nga qarkullimi në treg i naftës së papërpunuar si pasojë e veprimeve fiktive.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania “Tea Oil”, me administrator të pandehurin Adrian Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të tij, nga depot e Mëzezit, në Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh.
Por nga hetimet ka rezultuar se kjo sasi nafte, 4.4 milionë litra, e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të vendit, duke u shitur në treg të lirë.
“Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milionë euro nga shmangia e pagimit të akcizës”, thuhet në një njoftim për shtyp të prokurorisë.
Sipas organit të akuzës së Fierit, nga hetimet është konstatuar gjithashtu se punonjësit e Doganave, të cilët kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë bërë atë. Personat e dërguar për gjykim janë:
Adrian Xhillari, administrator i “Tea Construction & Petrol Sh.A”
Lula Njebza, ish-nëndrejtoreshë e përgjithshme e Doganave
Mirarbër Teneqexhiu, ish-kryetar i degës doganore, Tiranë
Alfred Bushi, doganier i degës së Fierit
Syrja Misiraj, doganier i degës së Fierit
Adrian Alikaj, i akuzuar për falsifikimit të dokumenteve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/