Është ndarë nga jeta mesditën e kësaj të diele imzot Lucjan Avgustini, një prej ipeshkve të Dioqezës së Sapës, pas një beteje të gjatë disamujore me një sëmundje të pashërueshme.
Avgustini ishte zgjedhur në vitin 2012 edhe nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ndërkohë që mbahet mend së fundi edhe për gjestin e jashtëzakonshëm, duke qenë njëri prej klerikëve shqiptarë që marshuan në Paris pas sulmeve terroriste në redaksinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo”. Lucjan Avgustini u lind më 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj të Kosovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në gjimnazin klasik në Suboticë, më pas ndoqi Fakultetin Teologjik në Zagreb, ku edhe është diplomuar në Teologji Morale.
Më 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit, nga imzot Nikë Prela. Më 10 shtator 1989 emërohet ndihmës për botime liturgjike në gjuhën shqipe dhe ushtron detyrën e sekretarit të imzot Nikë Prelës. Në fillim të marsit 1991 vjen për herë të parë në Shqipëri, si i dërguar i ipeshkvit të Kosovës, imzot Nikë Prela.
Merr pjesë në hapjen e shtëpisë së parë të murgeshave të Nënë Terezës në Tiranë dhe pastaj në hapjen e Kishës Katedrale në Shkodër. Në vitin 1992 emërohet drejtor i “Caritas”-it të Kosovës, institucion ky i sapoformuar në atë kohë. Në prill të vitit 1993 emërohet famullitar në Ferizaj.
Në vitin 1994, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Kishës në Shqipëri, ofrohet vullnetarisht për mbarështimin e shërbesës baritore në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Si fillim ka ushtruar detyrën e ndihmës famullitarit në Katedralen e Shkodrës, ndërsa nga korriku i vitit 1995 emërohet famullitar i saj. Në vitin 1997, më 24 maj, emërohet prej Atit të Shenjtë, Gjon Pali i II-të, Kapelan i tij duke i dhënë titullin Monsinjor. Në vitin 1998, nga Arqipeshkvi i Shkodrës imzot Angelo Massafra emërohet në detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të kësaj Dioqeze.
Në dhjetor të vitit 2006 emërohet Ipeshkv i Dioqezës së Sapës. Më 6 janar të vitit 2007 shugurohet ipeshkv në Katedralen “Nënë Tereza” në Vaun e Dejës. Gjatë viteve 2009-2012 ushtroi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Në vitin 2012 zgjidhet nënkryetar i Konferencës, detyrë të cilën vazhdonte ta kryente deri më sot. Në brendësi të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ushtronte edhe detyrën e kryetarit të Komisionit për Ekumenizëm, të Komisionit për Kulturën dhe atij për Katekezë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/