Gazeta “Panorama” ka vendosur të cojë në gjyq portalin lapsi.al pasi ky i fundit ka publikuar artikuj të kontraktuar nga gazeta duke vënë përballë dy media online për piraterinë në internet.
Nën një titull “Andi Bushati dhe Armand Shkullaku vjedhin Fatos Lubonjën”, Panorama shkruan se për të disatën herë me radhë portali boton të plota opinionet e Lubonjës, i cili ka një kontratë ekskluziviteti me gazetën.
“Megjithëse në fund të të gjithë artikujve është i vendosur shënimi “Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës”, kjo nuk i ndalon aspak Bushatin dhe Shkullakun të bëjnë vjedhjen e radhës sa herë që shkrimet e Lubonjës publikohen në Panorama.
Vjedhjet e shkrimeve të opinionistit të Gazetës Panorama, Fatos Lubonja, nuk kanë asnjë ndryshim nga ato që bëjnë hajdutët me maska dhe që portali ‘lapsi.al’ mendon se i denoncon”, shkruhet në artikullin e Panoramës.
“Këtu nuk po flasim për dhjetëra lajme ekskluzive, intervista dhe dossier të botuar në Gazetën Panorama që ky portal i merr pa marrë më parë leje, por për vjedhjen e një vepre të blerë ekskluzivisht nga Gazeta Panorama.
Gazeta “Panorama” do t’i drejtohet gjykatës për vjedhjen që i është bërë nga portali “lapsi.al” duke kërkuar dëmshpërblimin e humbjes së shkaktuar”, lajmërohet në artikullin e gazetës.
Kjo është hera e parë që kërkohet të ruhet përmbajtja nga piratimi në hapësirën online. Disa dhjetra portale kanë punësuar një varg kopjuesish duke krijuar inflacion përmbajtjeje dhe krijuesit e saj të mos marrin frytet.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/