FORMULARET/ Mazhoranca në avantazh përballë opozitës, 3 me 2 numri i kryebashkiakëve...

FORMULARET/ Mazhoranca në avantazh përballë opozitës, 3 me 2 numri i kryebashkiakëve me precedentë penalë

54
0
Shares

Formularët e vetëdeklarimit, të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit tregojnë se tre kryebashkiakë socialistë dhe dy demokratë kanë pasur probleme me drejtësinë, brenda ose jashtë vendit.
Ligji i dekriminalizimit parashikon që pas vetëdeklarimit të subjekteve, një komision i Prokurorisë së Përgjithshme do të verifikojë skedën penale të secilit prej tyre, para se të merret një vendim për zyrtarët që rrezikojnë të humbin mandatet. Aktualisht, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikim vetëm për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi.

Mazhoranca


Adriatik Zotkaj – Poliçan
, ka deklaruar se është dënuar tre herë me vendim të shkallës së parë. Sipas vetëdeklarimit të tij, Zotkaj është dënuar me 3 vjet burgim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të policisë dhe 1 vit burgim për shkelje që lidhen me detyrën e tij. I dënuar tre herë nga gjykatat e shkallës së parë, Zotkaj nuk deklaron megjithatë asnjë dënim të formës së prerë.


Artur Bushi – Krujë
, ka deklaruar në formularin e dorëzuar në KQZ se ka qenë dy herë i arrestuar dhe i hetuar në Itali. Sipas Bushit, ai ka qenë i hetuar në vitin 1996 nga Prokuroria e Casertës në Itali për “arsye që nuk i kujtohen” dhe sërish në hetim në vitin 2010 nga Prokuroria e Busto Arsizios, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas Bushit, në vitin 1996, gjykata italiane ka vendosur “lirimin e menjëhershëm” për të, ndërsa në 2010 është liruar pasi ka qëndruar 1 muaj në qeli. Gjithsesi, Bushi deklaron se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të ndonjë gjykate.


Elvis Rroshi – Kavajë
, ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se është dënuar nga Gjykata e Kavajës në vitin 2000 për kundërvajtje penale.
Përveç dënimit nga drejtësia shqiptare, Rroshi i është përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë nën hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj. Sipas tij, ai ka qenë nën hetim në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002, për arsye që “nuk i kujtohen”. Rroshi deklaron gjithashtu se ka jetuar në Foxhia të Italisë në vitin 1991, në Campobasso të të njëjtit vend nga 1991-1993 dhe më pas është zhvendosur në Chiasso të Zvicrës gjatë periudhës 1993-1994.

Opozita


Agron Kapllanaj – Ballsh
, ka deklaruar se rezulton me një dënim jashtë vendit. Sipas vetëdeklarimit të tij, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kapllanaj është dënuar me një vendim të formës së prerë në prill të vitit 2003 në Itali për një ngjarje të ndodhur në vitin 1995. Ai ka vetëdeklaruar se është dënuar me 2 vjet burg dhe një gjobë 200 euro për shkelje të artikullit 624 të kodit penal italian. Ky nen i kodit penal italian i referohet krimit të vjedhjes.


Xhelal Mziu – Kamëz
, ka deklaruar dënimin e tij të Gjykatës së rrethit Tiranë me dy vjet burg për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Pak javë më parë, Mziu fitoi pafajësinë në Gjykatën e Apelit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY