INA ZHUPA/Dy opozitat e Lulzim Bashës

INA ZHUPA/Dy opozitat e Lulzim Bashës

64
0
Shares

Asgjë nuk është më e mirë për të kuptuar realitetin sesa të jesh në kontakt të përhershëm me njerëzit. Këtë e kam vërtetuar personalisht në takimet që kam pasur mundësi të ndjek si pjesë e ekipit të kryetarit Basha nëpër qytetet e vendit. Vizita jonë e fundit ishte në Kukës, një varfëri ekstreme në një vend të bekuar nga natyra.

Një qytet i harruar nga qeveria, i fshirë nga harta e vëmendjes dhe i përfshirë nga vala e azilkërkimit në Europë. Por Kukësi nuk është i vetmi në këtë gjendje, varfëri dhe papunësi, terror dhe padrejtë- si mund të shikoje në Sarandë, në Gjirokastër, në Shkodër, në Berat, në Fier etj. Përditë opozita e denoncon këtë gjendje që ka vendi, por edhe fajtorët e kësaj gjendjeje. Denoncon me fakte lidhjet dhe përfitimet në kurriz të qytetarëve, se çfarë u kanë vjedhur dhe çfarë mund të kishin bërë me to.

Përditë ndodh një skandal nga qeverisja, përditë ka një zë ndërkombëtar apo institucion shqiptar që konfirmon korrupsionin dhe mjerimin. Edhe në krye të denoncimit publik dhe institucional është opozita. Të protestosh me forcën e fjalës, por edhe me qytetari në sheshet e qyteteve për kauzat qytetare, është puna konstante e opozitës.

Por kjo nuk është opozita e vetme e Lulzim Bashës. Modeli që ka sjellë me takimet nëpër qytete është ndryshe në formë dhe në përmbajtje. Takime në rrugët e qyteteve, ku Lulzim Basha ndalet me këdo, duke e pyetur dhe duke e dëgjuar me vëmendje, janë shumë domethënëse. Nuk ka asnjë filtër se kë do të takojë ose jo kryetari i opozitës, nuk ka asnjë përzgjedhje në bazë të preferencave partiake të deklaruara, nuk ka detektor që i kontrollon para se t’i shtrëngojnë dorën.

Gjithçka reale, asgjë e stisur dhe e vërteta triumfon edhe në bisedën e tyre. Asnjë frikë për të qenë njësh me qytetarët, me vullnetin e plotë që edhe makinën ta shmangni sa më shumë në qytetin që shkon duke tentuar të takojë sa më shumë njerëz mundësisht tërë qytetin. Tërë qytetin, por jo si miting, jo në sheshe, por personalisht për të dëgjuar dhe për t’u përgjigjur me një zgjidhje konkrete dhe jo me një slogan apo fushatë marketingu.

Vizitat në shtëpitë e qytetarëve janë një formë tjetër, për ata të cilët nga pamundësia nuk e kanë dot rastin që të takohen në rrugë apo në vendin e punës me kryetarin e opozitës, pasi punë dhe mundësi ekonomike nuk kanë. Familje me invalidë, familje me varfëri ekstreme, familje që nuk i siguron asgjë shteti, vizitohen për të dhënë rëndësinë e duhur zërit të tyre dhe nevojave të tyre nesër.

Të gjitha profesionet, të gjitha moshat, të gjithë qytetarët të thonë hallin dhe nevojën e tyre, të thonë mendimin e tyre. Për shembull të dëgjosh nga afër: shitësit që nuk kanë punë, nuk kanë shitje, ka rënie konsumi dhe gjysma e vendeve nëpër tregje janë boshatisur. Tregtarët që flasin për 2 standardet e shtetit, terrorin dhe asnjë ndihmë për ta dhe, nga ana tjetër, kalojnë mallrat pa doganë dhe ndihmojnë klientët e qeverisë për t’u pasuruar.

Të pushuar nga puna për arsye politike dhe pa të drejtë të lënë në rrugë dhe të zëvendësuar me militantë partiakë (metodat e punësimit janë ato më të pandershmet në të gjitha kuptimet në këtë qeverisje). Fermerë që dalin me humbje dhe nuk kanë asnjë subvencion nga shteti për naftën, apo për farat, apo diçka tjetër që t’i ndihmojë ata. Të sëmurë pa ilaçe, të sëmurë që u kanë hequr KEMP-in pa të drejtë, të sëmurë që nuk marrin shërbimin e nevojshëm.

Pensionistë që nuk u është rritur një qindarkë pensioni, por që detyrohen të bredhin rrugëve për të kërkuar të drejtën nga mbifaturimet e dritave, të cilat do të duhet t’i paguajnë, edhe pse të padrejta sepse ndryshe i lënë në terr e në të ftohtë, ose burg. Rinia e pashpresë, të indinjuar nga mbylljet e degëve të universiteteve, të indinjuar nga tarifat e reja të tyre, të indinjuar nga papunësia dhe korrupsioni për çdo gjë.

Përmbajtja fillon tek ajo që këto kërkesa dhe këta njerëz marrin nga kryetari i opozitës. Lulzim Basha i dëgjon vërtet ata dhe qytetarët e kanë kuptuar fare mirë këtë gjë. Sepse u paraqet mundësi qytetarëve dhe i pyet ata se cila do të mendonin se do të ishte më e mira për ta. Fjala bie, në Kukës i pyeste intelektualët dhe, në veçanti, gjeologët se në gjykimin e tyre kush është minerali që ia vlen të investohet për qëllime komerciale.

Dhe më pas paraqiti një propozim konkret, të mundshëm, të realizueshëm, dhe fitimprurës për ta. Një program që ndërtohet duke iu përgjigjur realitetit dhe pa populizëm fushatist, por me plane konkrete është rikthimi i shpresës te shqiptarët. Nuk tha asnjë moment te fermerët që nafta falas, farat falas, uji falas, por paraqiti propozim konkret për akcizën, për mënyrën e subvencionimit.

Dhe kjo e bën atë të besueshëm te premtimet e tij, sepse një nga dëmet e mëdha (nga lista e gjatë) që u bëri Rilindja shqiptarëve është që frika e premtimeve populiste dhe të pambajtura sapo vjen në pushtet. Kredibiliteti ndërtohet në kohë, nuk mund të lindë as nga programi më i mirë në botë pa pasur besim te njeriu, sepse individi ka rëndësinë e madhe në politikë. Këtu Lulzim Basha ka një avantazh të madh, të cilin nuk ia heq dot asnjë retorikë boshe e kundërshtarëve.

Ai ka qenë në krye të punëve dhe premtimeve të mbaruara në qeverisjen e Sali Berishës. Kontributi i tij në anëtarësimin në NATO, në liberalizimin e vizave për shqiptarët, si ministri i Brendshëm që luftoi bandat e organizuara dhe u krijoi siguri ndërkombëtarëve për kufijtë dhe dokumentacionin shqiptar në ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore, si ministër i Transporteve të rrugës Durrës-Kukës dhe si ministër i Jashtëm në lobimin me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe për fondet që mundësuan autostradën e Elbasanit.

Puna e tij si kryetar bashkie ishte modeli i punës në çdo zonë të qytetit dhe duke e quajtur detyrë ndaj qytetarëve dhe jo nevojë për tam-tam nëpër qytet me reklama të mëdha për veten. Për këto, qytetarët shqiptarë kanë besim te lidershipi i Bashës, sepse kanë parë punë edhe vepra nga ai në pushtet. Lulzim Basha ka fituar beteja në opozitë si rrallëherë ndonjë lider politik.

Ka fituar betejën për dekriminalizimin, për mandatin e Koço Kokëdhimës, për arrestimin e Shullazit, për një Reformë në Drejtësi që të jetë e pakapur dhe me standarde europiane. Ka fituar beteja sepse ka qenë parimor, ka qenë koherent, ka qenë i vërtetë dhe mbi të gjitha kanë qenë beteja jo për pushtet për vete, por për qytetarët. Kjo e bën atë të besueshëm edhe më shumë për betejat që do të bëjë në qeverisjen e vendit për t’i fituar ato, për të qeverisur jo për vete, por për qytetarët.

Ndaj them që kemi opozitën e denoncimit dhe demaskimit që mbivendoset çdo ditë me opozitën e shpresës dhe besimit që po ndërton Lulzim Basha për të ardhmen e këtij vendi. Këto janë dy opozitat që bashkohen në një të vetme, në modelin Basha për qeverisjen e vendit nesër.

(Marrë nga gazeta Panorama)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY