Në mënyrë që të marrin më shumë kohë që të kurojnë plagët e tyre, doktorët do të zëvendësojnë të gjithë gjakun e pacientëve me një solucion kripërash, i cili do ta ngrijë trupin dhe praktikisht do të pushojë aktivitetin e qelizave
Në kinema, shpeshherë janë shfaqur njerëz të cilët zgjohen nga gjumi qindravjeçar dhe e gjejnë veten në një botë krejtësisht të re dhe të panjohur. Koncepti i njeriut, i cili ka arritur që t’i mbijetojë kohës dhe të mos plaket, duke fjetur nën temperatura të ulëta, nuk është i ri për njerëzimin. Tani disa shkencëtarë kanë vendosur që t’i kthejnë teoritë fantastiko-shkencore në realitet.
Një gjumë letargjik që zgjat me mijëra vite për zhvillimin aktual shkencor është ende diçka shumë e largët për t’u arritur.
Por shkenca, prapa periudhave më të shkurtra të hipotermisë terapeutike, po bëhet gjithnjë e më shumë e vërtetë.
Doktorët në spitalin presbiterian “UPMC” në Pitsburg do të nisin testet e para me njerëz që i quajnë “jetë pezull”. Personat të cilët do t’u nënshtrohen këtyre procedurave, do jenë ata që do kenë marrë plagë fatale në trup dhe probabiliteti për të jetuar është shumë i vogël.
Në mënyrë që të marrin më shumë kohë që të kurojnë plagët e tyre, doktorët do të zëvendësojnë të gjithë gjakun e pacientëve me një solucion kripërash, i cili do ta ngrijë trupin dhe praktikisht do të pushojë aktivitetin e qelizave.
Ndërsa kripërat do të nisin të rrjedhin në venat e tyre, pacientët teknikisht do të quhen të vdekur.
Ata nuk do të marrin dot frymë dhe truri do të pushojë së punuari.
Por qelizat do të qëndrojnë të gjalla, duke punuar në një ritëm shumë më të ngadaltë në një temperaturë të ulët.
Pas rreth dy orësh ose më shumë, doktorët do të ritransfuzojnë gjakun e pacientëve, dhe ata do të rikthehen në jetë me ndjesinë sikur kanë bërë vetëm një gjumë të shkurtër, paksa të akullt.
Shkencëtarët të cilët e studiojnë këtë fenomen kanë një shprehje të tyren: “Ti nuk ke vdekur derisa ti je i ngrohtë dhe i vdekur”.
Më përpara, shkencëtarët e kanë aplikuar këtë procedurë te derrat dhe suksesi ka qenë 90%.
Në shumicën e rasteve, zemrat e kafshëve nisën të rrihnin prapë vetë, pasi gjaku i tyre u zëvendësua. Funksioni i organeve të tyre mendore dhe fizike nuk ishte dëmtuar.
Në vitin 2006, shkencëtarët në Boston nxitën hipoterminë dhe një ulje të ritmit të rrahjeve të zemrës te minjtë, duke përdorur gaz sulfuri hidrogjeni.
Miu iu rikthye normalitetit dy orë më vonë, pasi ata nisën që të thithnin ajër normal sërish.
“Pasi ne bëmë këto eksperimente, përkufizimi për termin ‘i vdekur’ ndryshoi”, tha kirurgu Peter Rhee në Universitetin e Arizonës në Tukson, i cili udhëhoqi eksperimentin për derrat. “Çdo ditë në punë unë i deklaroj njerëzit e vdekur. Ata nuk kanë shenja jete, asnjë rrahje zemre, as truri nuk u punon. Unë firmos një copë letre duke e ditur në zemrën time që ata aktualisht nuk kanë vdekur. Unë mundem që në njëfarë mënyre ta lë jetën e tyre pezull. Por më duhet që t’i fus në një mbulesë. Është stresuese që të dish se ka një zgjidhje në kësi rastesh”.
Procedura e re, e quajtur “ringjallja dhe ruajtja e emergjencës”, do të aplikohet te njerëzit vetëm në raste ekstreme. Pacientët që do t’u nënshtrohen këtyre ndërhyrjeve duhet që të kenë humbje të mëdha të gjakut dhe mesatarisht të kenë vetëm 7 për qind shanse për të jetuar.
Edhe pse këto do të jenë testet e para njerëzore, prapë disa aksidente të çuditshme kanë treguar se si i ftohti ekstrem mund ta ruajë jetën e njeriut.
Në vitin 1999, radiologia suedeze, Anna Bagenholm, mbijetoi për 80 minuta nën një shtresë akulli në ujin e ngrirë, pas një aksidenti me ski.
Temperatura e trupit të saj shkoi në 13.7 gradë Celsius. Në vitin 2000, një fëmijë i vogël nga Edmontoni, Kanada, lëvizi nëpër të ftohtin e acartë me asgjë tjetër veçse me pelena, dhe arriti të mbijetonte për dy orë, pa asnjë të rrahur zemre, përpara se të kthehej prapë në jetë.
Pastaj është rasti i Janice Goodger, një gruaje 64-vjeçare në Duluth, Minesota, që u gjet e ngrirë dhe pa rrahje në pulsin e saj në rrugën kryesore në një mëngjes të 2008-s. Ajo e rimori veten plotësisht në spital.
“Ditën tjetër, ajo ishte në një gjendje aq të mirë sa, doktorët donin që t’i bënin asaj teste vrapimi”, kujton doktori Mark Roth i qendrës kërkimore të kancerit Fred Hutchinson në Siatëll. “Ajo u nevrikos dhe iku në shtëpi”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/