Gjashtë vajza kosovare këtë vit janë detyruar ta shesin trupin për të siguruar kafshatën e gojës. Ato punojnë si kamariere në lokale të natës, bare e restorante, ndërsa kryejnë edhe shërbime seksuale me pagesë, me urdhër të bosëve të tyre, nëpër shtëpi private.Gazeta Fjala mëson se numri i vajzave që detyrohen në prostitucion po rritet nga viti në vit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, 30 femra ishin viktima të prostitucionit, pjesa më e madhe e tëcilave është nën moshën 18 vjeçare.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, 25 ishin nga Kosova. Ndërsa janë arrestuar edhe katër shtetase të Shqipërisë dhe një nga Serbia që kryenin veprimtari të tilla në Kosovë.
Gjatë vitit të kaluar, katërmbdhjetë femra nën moshën 18 vjeçare kanë rënë në duart e grupeve trafikante, të cilat janë shfrytëzuar për prostitucion.
E trafikantët del të jenë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.
Autoritetet kosovare vjet arrestuan një polic dhe një zyrtar të lartë të administratës lokale për krime që lidhen me trafikimin.
“Shumica e viktimave të trafikimit ende identifikohen në lokale nate-bare dhe restorante, por janë rritur edhe rastet kur viktimat identifikohen edhe në shtëpi private /apartamente, etj.”, thonë në Policinë e Kosovës.
Bazuar në rastet e hetuara nga policia statistikat tregojnë se shfrytëzimi për prostitucion të detyruar është forma kryesore, kurse format tjera të shfrytëzimit të viktimave si lypësi e detyruar dhe punë dhe shërbime të detyruara janë shumë më të rralla.
Varfëria rrit prostitucionin
Moskujdesi i duhur prindëror dhe familjar, braktisja e shkollimit, kushtet e vështira ekonomiko-sociale (varfëria) dhe mungesa e perspektives/ papunesia e lartë janë shkaqet kryesore të rritjes së numrit të viktimave vendore të trafikimit, e sidomos atyre nën moshën 18 vjeçare.
Kështu vlerësojnë Policia e Kosovës dhe sociologët.
“Jeta e pasigurt shoqërore, kriza e rëndë ekonomike dhe sociale, migrimi i vazhdueshëm, kriza e familjare, përbëjnë vetëm disa nga problemet më të mprehta, me të cilat edhe sot përballet shoqëria kosovare, të cilat qojnë në dukuri negative siç është trafikimi me qenie njerëzore apo prostitucioni”, thotë sociologu Besim Gollopeni.
Sipas Gollopenit përveq ofrimit të shërbimeve seksuale në shtëpi publike, komunikimet online që mundësojnë ofrimin e këtyre shërbimeve, e kanë vështirësuar ndjekjën e trafikantëve nga ana e institucioneve.
Sipas tij për të dalur nga kjo gjendje duhet të bëhet fillimisht edukimi dhe vetëdijesimi i njerëzve në shkolla, në vendet e punës.
Njëkohësisht sipas tij duhet të funksionoj edhe, zbatimi i efektshëm i ligjeve që sanksionojnë shfrytëzuesit e prostitucionit me qëllim që të luftohet dhe të shkatërrohet rrjeti i krimit të organizuar.
Ndryshe psikologu Adem Shala, mendon se paraja është shkaku kryesor i prostitucionit, përderisa numëron faktorët e njëjtë sikur Gollopeni.
Shala mendon se femrat që kryejnë prostitucion i takojnë shtresave të ulëta të shoqërisë. Ai thotë se personat që merren me këtë dukuri e shfrytëzojnë mjaft mirë këtë mangësi.
Ai mendon se duhet ndjekur penalisht jo vetëm prostitucioni, por të gjitha format e trafikimit të personave.
“Duhet kriminalizuar blerja e seksit, ku fokusi të vendoset tek klienti, sepse klienti është ai që rrezikon dhe kryen një akt ilegal. Nëse klientët potencial do të pengohen të kenë akses ndaj shërbimeve seksuale duke u ndjekur penalisht niveli i prostitucionit mund të ulet dukshëm” , thotë për Gazetën Fjala psikologu Shala.
Në anën tjetër kryetari i Këshillit për mbrojtjën e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, mendon se kompensimi me një vend pune, i detyron vajzat të kryejnë prostitucion për shkak të gjendjës së vështirë ekonomike.
“Kushtet ekonomike, i bëjnë vajzat të mashtrohen për një vend pune. Dikush u premton vende pune dhe i detyron të merren me prostitucion. Kështu ato bien pre e mashtrimeve dhe nuk mund të dalin prej kësaj përshkak të gjendjës së rëndë ekonomike”, është shprehur udhëheqësi i KMDLNJ-së.
Dënimet e buta për trafikantët
Në një raport të Institutit Kosovarë për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) thuhet se vetëm 63 raste janë hapur vitin e kaluar nga poilicia, përderisa 13 raste janë parashtruar në prokurori për kallëzim penal dhe me raporte speciale.
Ndërsa nën hetime kanë qenë 37 raste. Nga ky numër, vetëm ndaj 25 personave Gjykata ka lëshuar aktvendim në lidhje me padinë, përderisa 24 të akuzuarit janë shpallur fajtor.
Sipas KIPRED, nga ky numër i përgjithshëm, janë iniciuar 165 raste për hetim, përderisa janë asgjësuar 6 grupe kriminale të trafikimit me qenie njerëzore.
Ndryshe, 178 persona janë arrestuar nga Policia si të dyshuar prej të cilëve, 48 persona kanë qenë të përfshirë në vepra penale të trafikimit me njerëz. 37 persona kanë qenë të dyshuar për mundësinë apo detyrimin në prostitucion, ndërsa 11 të dyshuar për veprën penale të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit.
Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, mendon se trafikimi në Kosovë, ekziston mirëpo në krahasim me vendet e rajonit Vrajolli thotë se ka përmasa më të vogla.
Sipas tij, për shkak të nivelit të lartë të papunësise dhe mundësive të vogla që shoqëria i ofron pjesëtarëve të saj thuhet se ka ngritje interesimi nga individë të ndryshëm për të ofruar shërbime seksuale me pagesë .
Prostitucioni është i dënuar edhe me Kodin Penal të Kosovës. Neni 171 i ndalon të gjitha format e trafikimit dhe përcakton dënime prej 5 deri në 12 vjet burg dhe gjoba deri në 500.000 euro.
Ndërsa, në një raport ndërkombtarë për Kosovën edhe pse thuhet se numri i dënimeve për trafikantët është shtuar gjatë viteve të kaluara ato kanë qenë të buta.
“Dënimet ishin relativisht të buta; shumica e dënimeve me burg ishin me më pak se dy vjet ose përbëheshin vetëm nga gjobat modeste. Qeveria nuk i zbërtheu statistikat e zbatimit të ligjit për ta demonstruar aksionin kundër trafikimit për seks dhe punë” thuhet në raport./Gazeta Fjala
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/