Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë në Washington DC
Në kuadër të vizitës që po zhvillon në SHBA, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot në Departamentin e Drejtësisë nga Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, z. Bruce Sëartz.
Z. Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA japin për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe i informoi për ecurinë e reformës në drejtësi, duke vënë në dukje se kjo reformë është në fazën e saj përfundimtare, atë të miratimit të saj.
Z. Meta rikonfirmoi angazhimin e tij për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kuvend dhe duke vlerësuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, si dhe punën e paanshme dhe profesionale të misioneve EURALIUS dhe OPDAT, theksoi se: “Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ne jemi të vendosur, ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri”.
Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, z. Bruce Sëartz shprehu rëndësinë e veçantë që SHBA i kushtojnë miratimit të kësaj reforme dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Kjo është vizita e dytë e Metës në SHBA në harkun e pak javëve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/