ARIAN GALDINI/50 lek një jetë!

ARIAN GALDINI/50 lek një jetë!

65
0
Shares

A dhëmb e vërteta? Sigurisht që po. A lëndon? Pa asnjë diskutim. A bën dëm? Vetëm njeriut që e thote. E megjithatë, vjen një kohë, vjen një ditë, vjen një orë, kur e vërteta duhet thënë sido që të ndodhë paskëtaj, cilido qofte çmimi, dhimbja, lëndimi a dëmi. Në janarin e vitit 2015, unë u përfshiva në një betejë publike përballë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mafias së Farmaceutikës, pasi bëra të njohur në media rastin e një familjarit tim, i cili nuk e fitoi dot betejën me kancerin e sot nuk jeton më. As unë nuk e fitova dot betejën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Mafian e Farmaceutikës. Familjari im, mund të kishte jetuar më gjatë, ndoshta kanceri mund ta kishte marë po njëlloj në të njëjtën kohë, këtë nuk e dimë, veç patjetër mund të kishte përjetuar një kujdes më njerëzor e më të denjë nga Institucionet e Shëndetësisë sonë. Që ditën kur unë e bëra publik rastin në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, e bëra të qartë kristal se nuk kërkoja ndihmë nga askush. E përsërita dhe e ripërsërita pafund, se kisha e kam miq të cilët mund të më ishin gjendur privatisht sikurse disa prej tyre e bënë, për të më ofruar çdo ndihmë të mundshme e madje edhe përtej të mundshmes. Denoncimin e bëra publik, jo për familjarin tim, por sepse doja tu jepja zë të pazëshmëve, atyre qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë që çdo ditë rropaten e keqtrajtohen nga mizoria e sistemit shëndetësor shqiptar. Historia e familjarit tim, me kishte bërë të mësoja e kuptoja gjëra që deri në atë çast i kisha vetëm me të dëgjuar nga të tjerë. Ballafaqimi i drejtpërdrejtë me Portat e Ferrit të sistemit çnjerëzor shëndetësor shqiptar, më bëri të hyj nën lëkurën e çdo qytetari shqiptar, që u qaset këtyre portave. Mendova se duke ngritur zërin, për familjarin tim, e duke folur jo për rastin tim, por për të gjithë problematikën e shëndetësisë shqiptare, mund të kishim bërë së bashku si shoqëri e si institucione një revolucion të madh transformues për të rikthyer njerëzizmin në shëndetësinë shqiptare. E ç’ndodhi? Për javë të tëra, unë sulmohesha, kërcënohesha, shantazhohesha, përballesha privatisht dhe publikisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mafian e Farmaceutikës, e megjithatë ndihesha kaq i vetmuar. Ndjeshmëria publike ishte ndër më të lartat që unë kam përjetuar ndonjëherë në jetën time. Gjithkush, gjithëkund fliste për rastin dhe fenomenin, e megjithatë unë isha kaq i vetmuar. Kërkoja histori dhe dëshmi qytetarësh, për ti bërë publike. Mbi 6000 denoncime kam marë ato ditë me histori nga më të dhimbshmet, nga më të jashtëmendshmet, si përvoja njerëzore me spitalet e institucionet e shëndetësisë e deri tek rastet koruptive e tenderat apo konçensionet. Kam marë me mijëra faqe të skanuara apo fotokopjuara, fotografi, filmime, që mi dërgonin burime anonime edhe nga brenda vetë stafit të QSUT e madje edhe të Ministrit Ilir Beqaj. Më kanë dërguar aq shumë prova e materiale, me të cilat Ilir Beqaj duhej të hynte 3 milion herë në burg, për çdo shqiptar. Më dërguan banditë e horra të armatosur në shtëpinë ku unë jetoj me time shoqe dhe djalin tim 2 vjeçar asokohe. Nuk ngeli kriminel e cub me emër e pa emër që nuk më tregoi ato ditë, se jeta ime ishte drejt fundit. Madje edhe një zyrtare shumë e lartë e shtetit që është bërë së fundmi edhe më e lartë, më kërkoi takim tek Hotel Tirana International, e ndonëse kurrë nuk ishim takuar më parë, kurrë nuk ishim njohur personalisht më parë, pasi më pyeti për gjithë anëtarët e mij të familjes dhe fëmijët e bebet e tyre, ngado ku jetonin me informacione befasueshmërisht të sakta, më beri pyetjen cubnore me një buzëqeshje prej djallushke femërore e me një anglishte të qartë edhe shqip: What is your life expectancy?(Sa gjatë mendon se do jetosh?) Kërkova lëvizjen e Prokurorisë që të nisej hetimi për Ilir Beqajn dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe Prokuroria as që e shkonte në mendje të niste hetimet, apo bënte ndonjë veprim. Frika dhe joshja nga Pushteti dhe nga Mafia e Farmaceutikës e kishte bërë Prokurorinë, të verbët, të shurdhët e të paralizuar ndaj rastit tim dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Kërkova që qytetarët që më dërgonin denoncime të vinin me mua në Forumet Publike që unë organizova në Hotel Tirana International nën moton: Unë Dëshmoj, Unë Akuzoj. Ua kërkoja deri në përgjërim që ta gjenin kurajon e të vinin aty në sallën e Forumit Publik dhe të flisnin në mikrofon. 3 herë e pagova atë sallë me paratë e rrogës sime, e nuk kushtonte pak. 3 Forume Publike dhe në të parin erdhën 50 – 60 vetë, në të dytin 30, ndërsa në të tretin mezi u bënë 20 vetë, prej të cilëve askush nuk e mori mikrofonin. Në mesazhe në celular, në inboxin e facebook dhe me e-mail, apo me letra të dorëzuara dorazi, merja çdo ditë qindra denoncime e dëshmi. Por në sallën e Forumit Publik, mbetesha vetëm. Krejt vetëm. U ligështova dhe trishtova shumë ato ditë e javë. Ditën që mediat filluan të mereshin me Tom Doshin dhe harruan rastin tim, u ndjeva paradoksalisht i lehtësuar. Harresa e mediave, më bëri të lëngoja vetëm me humbjen e asaj beteje të madhe publike, e megjithatë të shihja veten e familjen time, në një qetësi pas stuhisë. Unë humba aty, ndërsa fatkeqësisht familjari im humbi betejën me kancerin pak muaj më vonë. Humba betejën, gjithësesi nuk u dorëzova. Sa herë më është dhënë rasti e kam thënë dhe do e them zëlartë të vërtetën kundër mizorisë së sistemit shëndetësor shqiptar, kundër koruptopatit që meriton burgun, Ministrit Ilir Beqaj dhe kundër Mafias së Farmaceutikës. Pak muaj më vonë më vjen një mesazh në inboxin e facebook nga një nënë që kërkonte ndihmë për të birin e saj Leo. Leo kishte bërë disa ndërhyrje kirurgjikale sepse ai kishte një sëmundje të rrallë të kockave e nuk mund të ecte dot. Ai po mbërrinte në moshën e klasës së parë, e kishte dëshirë të provonte mundësinë për të ecur si të gjithë fëmijët e tjerë që të shkonte në shkollë. I duhej një shumë prej 40 mijë eurosh që të bënte një operacion të fundit i cili mund tia jepte shanset për tu ngritur në këmbë e të ecte. Nuk e di pse ma dha Zoti, e nisa një fushatë në facebook për sensibilizimin e sa më shumë njerëzve për ta ndihmuar Leon. Pasi bëra statusin tim të pare në facebook, kuptova se historia e Leos ishte e njohur prej disa kohësh. Televizione e gazeta kishin folur e shkruar për të. Gazetarë, artistë, emra publikë kishin kohë që jepnin ndihmën e tyre me thirrje dhe kontribute konkrete financiare për Leon. Ata kishin bërë mrekulli. Unë vetëm sa u bëra një zë modest më tepër në ndihmë për Leon. Fatmirësisht, thirrjes sime iu bashkua Eagle Mobile. Bashkë me këtë kompani nisëm fushatën Leo do te ecë. Aq shumë shqiptarë u përfshinë në këtë akt bamirësie e solidariteti komunitar, saqë unë mbeta i mahnitur nga mirësia e shqiptarëve. Ka qenë vera më e gëzuar e jetës sime, kur për 3 javë ne ia dolëm ti siguronim paratë për operacionin e Leos. Askush nuk e dinte se unë kurrë nuk e kam takuar as Leon e as prindërit e tij. Të gjithë mendonin se unë i njihja apo kisha ndonjë ngasje personale për tu përfshirë në atë fushatë për Leon. Jo. Aspak. Leon ende edhe sot e kësaj dite nuk e kam takuar e madje ndonëse i kam shkruar mamasë së tij, nuk kam mare asnjë përgjigje prej saj nëse Leo ecën apo jo pas operacionit të cilin e ka bërë në Greqi. Kam takuar vetëm njëherë mamanë e Leos në Ora News Tv, falë ftesës dhe mirësisë se Etelina Lukës, gazetares së emisionit të mëngjesit ditëve të diela. Ca javë më vonë, një letër e një prindi për Lorik Canën, dorëzuar në stadium gazetarit Dëfrim Methasani, më dha ngacmimin që të bëja një thirrje në facebook, për tia gjetur këtij babai një makinë invaliditeti për ta çuar të bijën në shkollë. Brenda ditës një shqiptare e mirë nga Zvicra më njoftoi se ajo e kishte një makinë të tillë invaliditeti dhe se ishte e gatshme ta dërgonte në Tiranë. Ndonëse nuk e kam takuar kurrë personalisht Dëfrim Methasanin, i shkruajta për ti dhënë lajmin e mirë, e ai u ngazëllye pamasë. E ja ku jemi sot. Prej një muaji, zemra dhe mendja ime kanë qenë të pushtuara nga ankthi për dy vajza që po luftojnë me kancerin. Njëra prej tyre është Anxhela Beqaj, një vajzë 20 vjeçare nga Mallakastra që ka 4 vjet që lufton me këtë sëmundje të ligësht. Familja e saj ka shkrirë çdo gjë, deri edhe në shitjen e shtëpisë për të siguruar kujdesin dhe kurat e shtrenjta për Anxhelën engjëllore. Pak ditë më parë, babai i Anxhelës u kishte thënë disa të rinjve që kishte takuar në Tiranë se ishte në atë pikë e gjendje, sa ishte i gatshëm të jepte edhe zemrën e tij për transplant, mjafton që të siguronte para për të kuruar Anxhelën. E kam ndjerë deri në ashtë dhimbjen e këtij babai. Kurrë nuk e kam takuar. Nuk e njoh. As Anxhelën nuk e njoh. U përfshiva në atë histori njerëzore sepse e ndjeva si thirrje të shpirtit. Nuk kisha e nuk kam nevojë ta njoh as Anxhelën e as familjen e saj. Anxhela është një ëngjëll mes nesh e ne duhet të bëjmë gjithë çmundemi për ta mbajtur këtu fitimtare. Madje një vajzë fitimtare kundër kancerit, Ambra Meda iu bashkua fushatës sensibilizuese të të rinjve të Forumit Rinor të LDE, për të mbledhur fonde e kontribute financiare për Anxhelën. Thirrja që bëra unë në facebook për Anxhelën, më ka lënë pafjalë për shpërndarjen virale që pati. Mbi 1.2 milion shqiptarë e kanë lexuar, mbi 40 mijë pëlqime, mijëra komente. Kur pashë atë masë aq të madhe klikimesh, besova e shpresova se ndihma për Anxhelën do të kishte qenë e konsiderueshme. Bëra një llogari të thjeshtë. 1.2 milion shqiptarë, sikur të mos pijnë një kafe lagjeje 50 lekëshe, e këtë 50 lekësh ta japin kontribut për Anxhelën, të gjithë bashkë do të kishin bërë një shumë realisht të fortë për ta ndihmuar Anxhelën. Vetëm 50 lek. Asnjë lek më shumë. 50 lek që nuk varfërojnë askënd. Në mijëra komente, lexoj pafund urime, bekime e lutje ndaj Krijuesit. Leximi i këtyre mijëra komenteve të jep kaq shumë mirësi. Sepse thua me vete, që kushdo që lutet e shpall një bekim për Anxhelën, mund të bëhet shkas mrekullie hyjnore, ngase Zoti me të vërtetë mund ti dëgjojë. Megjithatë, ah sikur këta të gjithë të mos e pijnë një kafe, vetëm një kafe, aty në lagjen e tyre, dhe atë 50 lekëshin e kësaj kafeje ta dërgojnë bashkë me lutjen, bekimin a urimin e tyre si kontribut për Anxhelën, atëherë gjasat për mrekulli do të kishin qenë të jashtëzakonshme. Por jo. Një nga të rinjtë që ka takuar babain e Anxhelës, më tregoi se deri sot, 1.2 milion klikimet, dhjetra mijëra pëlqimet, mijëra urimet, bekimet dhe lutjet, kishin siguruar për Anxhelën nje shumë pabesueshmërisht modeste dhe zhgënjyese. Afërsisht 1 milion lekë të vjetra dhe diku tek 500 euro. Kështu më thotë vajza e cila këtë informacion e ka nga babai i Anxhelës. Kam mbetur i shtangur. Kam 2 ditë që e bluaj me vete këtë informacion, duke reflektuar e peshuar nëse duhet ta them këtë të vërtetë zhgënjyese publikisht apo jo. Këtë mbrëmje e kuptova, se nuk mund ta mbaja më brenda meje. Ndoshta do më urrejnë për këtë të vërtetë, ndoshta do më shajnë, do më gjykojnë a paragjykojnë. Le ta bëjnë. E rëndësishme është që ta dinë këtë të vërtetë. Sepse prej disa ditësh edhe një vajzë tjetër 5 vjeçare nga Korça, Olesia Bregu ka kërkuar nëpërmjet familjes së saj ndihmë. Edhe Olesia e vogël po lufton me kancerin. 5 vjeçare që lufton me kancerin. A e imagjinoni dot? Ajo patjetër që ka nevojë për të gjithë ne. E kam bërë thirrjen edhe unë në facebook për Olesian, sikurse e kanë bërë edhe shumë të tjerë, e deri tani në 3 – 4 ditë, vetëm në faqen time të facebook, kanë shkuar gati 100 mijë lexime, mijëra pëlqime e qindra komente me bekime, urime e lutje. Unë nuk e njoh Olesian, as familjen e saj. Nuk e di nëse në rastin e Olesias, ka ndodhur si me Anxhelën. Pra nuk e di nëse pëlqimet, leximet, komentet, bekimet, urimet e lutjet janë e vetmja zemërgjerësi që ne kemi si shoqëri. Nuk e di. Sinqerisht e druaj shumë. Por nuk e di. Këtu, sot, këtë mbrëmje, doja ti shkruaja këto fjalë zemre, këto të vërteta që të bëja një thirrje njerëzore. Kafenë e kemi sportin tonë popullor. Në kafene nuk jemi vetëm. Kafenenë e kemi si parlamentin e hallexhinjve. Me kafe shtyjmë kohën, bëjmë miq e shokë, rrimë me të tjerë, qetësojmë shpirtin, etj, etj. Ama, me një kafe më pak, mund të mos lëmë të tjerë vetëm. Nuk po them të lëmë kafenë tek Blloku apo tek Qendrat e qyteteve. Jo kurrësesi. Atë ta pijmë për vete. Ajo është kafe e shtrenjtë sepse shkon nga 80 deri në 120 lekë. Po them të lëmë pa pirë vetëm një kafe tek lagjet tona ku çmimi është 50 lek. 50 lek kushton një kafe, 50 lek mund të vlejë një jetë. Me një kafe më pak, e një 50 lekësh për dikë në nevojë, ne nuk do lëmë askënd më vetëm në këtë vend. Ah, sikur të japim 50 lek në muaj, vetëm 50 lek në muaj, për të mos lënë dikë që ka nevojë, vetëm. Ky vend do të ishte mrekulli, shpresë, dashuri. Ah, sikur…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY