Nishani inkurajon biznesin me Kroacinë

Nishani inkurajon biznesin me Kroacinë

50
0
Shares

Presidenti Nishani së bashku me Presidenten e Kroacisë, Grabar-Kitarović, përshëndesin Forumin Ekonomik Kroaci-Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani së bashku me Presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović, përshëndetën hapjen e punimeve të Forumit Ekonomik Kroaci-Shqipëri, që po zhvillohet në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore të Presidentit Nishani në Kroaci. Ky forum u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Dhoma Ekonomike e Kroacisë, ku morën pjesë një numër i madh sipërmarrësish nga të dy vendet.
nishani ne ceremoni

Presidenti Nishani theksoi që në fillim të fjalës së tij se organizimi i këtij forumi është pjesë e vëmendjes së veçantë që ai personalisht i ka kushtuar gjithmonë mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar në vizitat zyrtare jashtë shtetit apo në kuadrin e mikpritjes së homologëve të vendeve mike në Tiranë.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se ky Forum i përbashkët ekonomik do të shërbejë për nxitjen e mëtejshme të kontakteve dhe të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. Duke vlerësuar mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe modelit që ky vend ofron për Shqipërinë dhe rajonin, Presidenti i Republikës u shpreh se në të gjitha takimet zyrtare me autoritetet më të larta kroate, një vëmendje të veçantë ia kishte kushtuar mundësisë së eksplorimit të të gjitha hapësirave dhe mundësive për forcimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.

Presidenti Nishani i njohu të pranishmit edhe me dëshirën dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i ngritur marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të qëndrueshme në nivel të partneritetit preferencial, duke theksuar se përmes këtij partneriteti së bashku mund t’i nxisim edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund t’i koordinojmë e sinkronizojmë më mirë formatet e strategjive të përbashkëta, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë, duke theksuar se nënshkrimi i këtij dokumenti është hapja e një kapitulli të ri dhe përmbushja e një prej angazhimeve të marra një viti më parë në Tiranë, gjatë Sesionit të Katërt të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kroaci dhe Forumit të Dhomave të Biznesit.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu edhe impaktin rajonal që ka bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, si dhe përshëndeti bashkëpunimin në kuadrin e Korridorit Adriatiko-Jonian, Gazsjellësve TAP dhe IAP, si dhe në kuadrin e Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit EUSAIR. Kreu i Shtetit i konsideroi këto projekte si mundësi të shkëlqyera për biznesin e të dy vendeve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY