Shqiptarët e Maqedonisë protestojnë kundër diskriminimit

Shqiptarët e Maqedonisë protestojnë kundër diskriminimit

86
0
Shares

Më tepër se 20,000 njerëz iu përgjigjën thirrjeve të partive opozitare shqiptare për të marrë pjesë në marshimin paqësor për drejtësi në Shkup të hënën.

Protestuesit shqiptarë kudo në Maqedoni dhe Kosovë protestuan për të përkujtuar përvjetorin e ngjarjes së Kumanovës, ku 10 shqiptarë të armatosur dhe tetë policë mbetën të vrarë gjatë përleshjes me armë.

Protestat ishin të mbushura me nacionalizëm shqiptar, ndjenjë anti-qeveritare, ku pati thirrje për drejtësi dhe për krijimin e një gjykate speciale për çështjet e profilit të lartë shqiptar.

Protestat u hapën zyrtarisht me himnin shqiptar, dhe simbolet kuqezi ishin të kudogjendura në turmë. Thirrjet për “Shqipëri Etnike” u dëgjuan gjatë gjithë tubimit.

Duke filluar nga lagjja Cair në Shkup dhe duke përfunduar në ndërtesën qeveritare maqedonase, protestuesit shprehën retorikë anti-regjim duke ia hedhur fajin për zhgënjimin e tyre në institucionet e vendit ndaj koalicionit të partisë VMRO-DPMNE të ish-kryeministrit Gruevski dhe partisë shqiptare në koalicion Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI.

Organizatorët e krahasuan marshimin me “D-Day”, duke vizatuar paralele mes protestave dhe fillimi ttë rënies së kapitalizmit.

Ishte një temë e përsëritur nga folësit. Lideri i lëvizjes Besa, Bilall Kasami, një prej dy përfaqësuesve politik që foli përpara protestuesve e krahasoi regjimin e Gruevskit dhe Ali Ahmetit të BDI me fashizmin.

“Megjithëse fashizmi ra 71 vjet më parë, dikush këtu në Maqedoni po përpiqet të luajë të njëjtin rol. Ka parti shqiptare dhe maqedonase që nuk duan një Europë të bashkuar, por ne nuk do t’i tolerojmë më ata,” tha ai.

Partia BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti, ishin qendra e zemërimit të turmës “Ali, tradhtari!” ishte një nga thirrjet kryesore që protestuesit thirrën. Turma fajësoi liderin e partisë shqiptare se nuk i kishte përfaqësuar të drejtat e tyre gjatë bashkëqeverisjes me Gruevskin.

Protestuesit ishin kryesisht burra të rinj shqiptarë, shumë mbanin banesa si “Mjaft terrorit të shtetit”, “Më mirë protesto se emigro”, “Kundër BDI, pro BE dhe SHBA”, “Stop proceseve false në gjykata ndaj shqiptarëve”.

“Kam ardhur këtu sepse jam i diskriminuar kudo: në shkollë, nga policia dhe strukturat e shtetit. Por më shumë se Gruevkin, fajësoj Ali Ahmetin që gjithnjë ka marrë votat e shqiptarëve,” tha për BIRN 18-vjeçari Ridvan Azizi nga Tetova.

“Dinjiteti i shqiptarëve është keqtrajtuar brenda shtetit maqedonase dhe ne jemi të pambrojtur. Është çasti të zgjohen nga gjumi i gjatë,” tha për BIRN studentja 20-vjeçare Eneida Sulejmani.

Mungesa e drejtësisë për shqiptarët dominoi fjalimin e Kasamit. Ai kërkoi krijimin e një gjykate speciale, të ndarë nga ndikimi i qeverisë maqedonase.

Ai bëri thirrje që çështjet juridike shqiptare në Maqedoni, si Sopoti, Monstra dhe Komanova të gjykohen në këtë gjykatë speciale.

Folësi i dytë dhe i fundit, Kim Mehmeti, zëdhënës i Këshillit të Opozitës, foli përse shqiptarët po protestonin me simbolet nacionaliste dhe jo me ato të shtetit maqedonas.

“Kemi pritur 26 vjet të kemi një paragraf shqiptar në himnin maqedonas, kemi pritur të kemi një shqiponjë në flamurin maqedonas dhe së fundmi të kemi një president ose kryeministër shqiptar,” tha ai.

Deputeti i Kosovës, Albin Kurti ishte gjithashtu në protestë. Si një nga liderët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Kurti i tha BIRN se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Regjimi në Maqedoni është diskriminues ndaj shqiptarëve, i keqtrajton ata dhe i shfrytëzon ekonomikisht. Është detyrë e shqiptarëve kudo që jetojnë t’i bashkohen këtyre protestave. Nuk ka më kohë për konferenca për shtyp dhe deklarata; është koha të dalim në rrugë,” tha ai.

Folësit lajmëruan se protestat mund të përshkallëzonin në dhunë në të ardhmen e afërt nëse kërkesat e tyre për drejtësi nuk merreshin parasysh.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY