Prokuroria ka urdhëruar sot lirimin e menjëhershëm të babait të dy fëmijëve të cilët humbën jetën dje në një aksident rrugor në Kavajë.
Sokol Negollari ishte dënuar për ndërtim pa leje. Sot, gjykata i ndryshoi atij masën e sigurisë në detyrim paraqitje. Ai u lirua me leje të veçantë që të marrë pjesë në varrimin e 2 fëmijëve.
Dy fëmijët të cilët humbën jetën dje, po shkonin për të takuar babanë në burg.
Bashkëshortja e tij u aksidentua ditën e djeshme në Qeret ku u përplas me një trafikndarëse. Ajo po shkonte në Burgun e Rrogozhinës për të takuar të shoqin së bashku me tre fëmijët. Mirëpo, nga aksidenti, dy prej tyre humbën jetën.
Dy fëmijët që humbën jetën ishin të moshave 3 dhe 5 vjeç ndërsa fëmija 1 vjeç fatmirësisht mundi të mbijetojë së bashku me të ëmën Silva Negollari.
Sokol Negollari banues në fshatin Gërmenjë Kavajë rezulton se është prangosur më 5 Shkurt të 2016-ës ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur në Janar të këtij viti.
Këtë të diel në shoqërinë e eskortës së sigurisë së burgjeve ai është dërguar në banesën e tij për të kryer ceremoninë mortore dhe pas përfundimit të mortit ai do të kthehet për procedurë në paraburgim ku do të ekzekutohet masa e re e sigurisë ajo e detyrim paraqitje.
Ndërkohë pas aksidentit të djeshëm prokuroria e Kavajës dhe ajo e Durrësit kanë nisur procedimin penal për kontraktuesin i cili kishte përgjegjësi për mirëmbajtjen e aksit Kavajë-Rrogozhinë ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se bordurat mbajtëse të rrugës ishin të prera duke krijuar një kalim të paligjshëm në këtë trase.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/