Vrasja e Çiças/ Flet Elton Imeri: Nuk jam në hasmëri me asnjë...

Vrasja e Çiças/ Flet Elton Imeri: Nuk jam në hasmëri me asnjë person

122
0
Shares

Elton Imeri, personi i cili mbeti i plagosur në këmbë pas atentatit me eksploziv që iu bë në dhjetor 2015, tregon se nuk ka lidhje me vrasjen e Elton Çiços në Tiranë.

Ai thotë se nuk ka hasmëri me askënd, madje ndihet i kërcënuar duke qenë se atij dhe vëllait, iu është vënë tritol në makinë. Elton Imeri thotë se vëllai i tij, Ervisi nuk ka lidhje me grabitjen e prindërve të Çiços në Tepelenë, por ai ka transportuar personat pa e ditur se ç’kishin bërë. Sipas tij, Ervisi kishte kërcënime nga këta persona që të mos tregonte identitetin e 2 prej tyre, të cilin në fakt ai nuk e dinte sepse ata mbanin maska. “Nga ana tjetër Elton Çiço i kërkonte që të tregonte se kush ishin dy personat e tjerë që kishin kryer grabitjen, pasi emri i Robertit (Ramës, i vrarë më pas) u zbulua nga policia, që kishte gjetur çantën me dokumentet e tij në makinën që kishin lënë në banesën që grabitën në Tepelenë”, thotë Elton Imeri për “Gazetën Shqiptare”.

Elton Çiço, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në një lokal në Tiranë është djali i çiftit të moshuar nga Tepelena, që është grabitur me dhunë një vit më parë. Pikërisht për këtë ngjarje vëllai juaj, Ervisi, u la në “Arrest me burg” për moskallëzim të krimit. Një nga pistat e hetimit të vrasjes është ajo e hasmërisë, duke e lidhur edhe me një atentat që juve ju bë në dhjetor të vitit të kaluar. Cili është reagimi juaj në lidhje me këtë gjë?

Në radhë të parë i shpreh ngushëllime familjes së viktimës. Unë nuk jam në hasmëri me asnjë person. Mediat po na bëjnë ne fajtor për këtë ngjarje. Unë jam person i kërcënuar në këtë mes, duke u nisur që nga eksplozivi që iu vendos vëllait dhe mua. Po na akuzojnë padrejtësisht.

Ti personalisht ke shkuar në pol ici për të dhënë një dëshmi? Të ka marrë policia në pyetje?

Jo, nuk kam dhënë asnjë dëshmi në polici, pasi nuk më kanë thirrur dhe jam i gatshëm që ta bëj diçka të tillë.

Atëherë, si u akuzua Ervisi për moskallëzim të krimit?

Në korrik vëllait tim iu vu eksploziv në një makinë që ai e kishte marrë me qira. Fatmirësisht nuk shpërtheu. Kur na ka marrë policia në pyetje, ne vetë kemi treguar se dyshonim se ngjarja kishte lidhje me grabitjen që kishin bërë personat në Tepelenë dhe Roberti, një prej tyre, kishte marrë Ervisin në telefon që të shkonte ta ndihmonte, duke i thënë se kishte rënë në lumë. Pra, ditën kur kishte ndodhur grabitja, Roberti e kishte marrë në telefon vëllain tim rreth orës 2 të natës dhe i kishte thënë që eja më merr se kam rënë në lumin Bënç. I kishte thënë që të shkonte në shtëpinë e tij të merrte një palë rroba dhe makinën. Ervisi nuk ka pasur shumë konfidencë me familjen e tij dhe i ka thënë një shokut të Robertit që të shkonte. Ai ka shkuar në banesën e Robertit dhe pasi i kishte marrë rrobat dhe çelësat, ia ka dhënë vëllait. Personi që ka marrë rrobat e Robertit e ka deklaruar edhe vetë në prokurori këtë gjë.

Po Ervisi ku ndodhej në atë moment?

Ervisi ndodhej në shtëpinë e tij këtu në Tiranë së bashku me familjen. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga tabulatet telefonike. Por, pasi e ka marrë Roberti në telefon, është nisur për në Tepelenë me idenë se ai kishte rënë në lumë. Pa hyrë në qytetin e Tepelenës është përballur me Robertin dhe me dy persona të tjerë, që kishin qenë të maskuar e të armatosur. Në atë moment vëllai im i kishte thënë Robert “ç’më bëre, do më fusësh në hasmëri me njerëzit”. Ndërsa dy personat e maskuar i kishin vënë pistoletën në kokë vëllait dhe e kishin kërcënuar “ec, se atë e dimë ne”. Kurse Roberti kishte insistuar që ta linin, sepse kishte qenë ai që e kishte marrë në telefon.

Deri në çfarë vendi i ka çuar Ervisi?

I ka çuar deri në fshatin Krasë të Tepelenës. Aty i kanë thënë “mbaje.

Keni biseduar më pas me çiftin që u grabit për t’i thënë se si ishte e vërteta?

Pas disa ditësh Ervisi dhe babai im kanë shkuar dhe e kanë takuar çiftin dhe i kanë treguar se si qëndronte puna. Ndërkohë që pala tjetër e kërcënonte duke i thënë se “nëse ti tregon, ne do të të vrasim”. Kur u ka thënë që të shkonte të tregonte në polici, ata kanë pohuar që këtë gjë le ta zgjidhte policia.

Përveç tritolit që iu vendos në makinë, Ervisi ka pasur kërcënime të tjera më parë?

Po, ka pasur kërcënime edhe në telefon që të mos të tregonte. Nga ana tjetër Elton Çiço i kërkonte që të tregonte se kush ishin dy personat e tjerë që kishin kryer grabitjen, pasi emri i Robertit u zbulua nga policia, që kishte gjetur çantën me dokumentet e tij në makinën që kishin lënë në banesën që grabitën në Tepelenë. Ndërkohë që Ervisi nuk njihte asnjë prej tyre, pasi ata kishin qenë me maska.

Po gjatë këtyre muajve a jeni interesuar se deri në çfarë pike kanë qenë hetimet në lidhje me atentatin që ju bë juve në dhjetor të 2015-ës?

Po, jam interesuar te hetuesit që kanë çështjen në dorë dhe më kanë thënë janë ende në hetim e sipër si për mua dhe për vëllain. Të dhëna nuk më kanë dhënë. Ka 9 muaj që vëllai im nuk ka dalë akoma në gjyq. I ka shkruar letër ministrit të Drejtësisë për hetimet që të zbardhen sa më shpejt, i kam bërë shkresë Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit dhe akoma nuk kam marrë asnjë të dhënë.

Ju thatë se ndiheni të kërcënuar. Do kërkoni mbrojtje nga policia?

Normalisht që do kërkoj mbrojtje nga policia.

Një thirrje që ju keni?

Autorët e ngjarjes të vihen vetë para drejtësisë dhe ngjarjet të zbardhen sa më shpejt.

/Gazeta Shqiptare/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY