I vodhi identitetin Arben Frroku, flet Renato Çepa: Jam i shokuar

I vodhi identitetin Arben Frroku, flet Renato Çepa: Jam i shokuar

207
0
Shares

Renato Tsepa (Cepa), 49-vjeçari nga Korça me identitetin dhe pasaportën e të cilit lëvizte i lirë në Hollandë Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamaj ka dhënë dëshminë e tij. Në bazë të të dhënave Tsepa i përket minoritetit grek. Ai është i lindur në 15 Nëntor të vitit 1967 dhe është moshatar me Frrokun. Jeton në lagjen numër 3 në Korçë dhe është baba i dy fëmijëve.

Ndërkohë që Renato Cepa i vërtetë vijon aktivitetin e tij normal dhe rutinën e zakonshme në qytetin juglindor. Ai është pronar i një lokali bar­kafe në qendër të qytetit, Cepa është befasuar kur ka mësuar se emri i tij ishte lakuar në një histori të tillë. Ai ka mësuar nga telefonatat që po i vinin njëra pas tjetrës se në lajme po publikohej emri i tij dhe se kjo kishte lidhje me Arben Frrokun dhe arratisjen e tij. Ky ka shkaktuar një shqetësim të madhe tek Renato Cepa dhe familjarët e tij jo vetëm për shkak të historisë në fjalë, por edhe lidhur me faktin se ai ishte i shpallur në kërkim.

Cepa pretendon se pavarësisht çdo gjëje ai nuk është larguar asnjëherë nga shtëpia e tij dhe aq më pak nga Shqipëria, ndaj ka marrë guximin të flasë hapur për të treguar lidhur me atë pjesë që ka lidhje me të. “Jam shokuar kur ka dalë lajmi dhe sidomos kur thuhej se isha shpallur në kërkim, pasi nuk më gjenin. Sigurisht që lajmin e mësova nga të tjerët dhe u shtanga, por gjithsesi identiteti im është vjedhur dhe kjo pjesë i takon institucioneve shtetërore për t’u zbardhur.

Unë vazhdoj të jetoj në të njëjtën banesë, me familjen time, me fëmijët e mi të cilët janë alarmuar nga kjo gjendje, vijoj të punoj me lokalin që kam dhe nuk jam kërkuar nga askush, aq më tepër të fshihem. Me pak fjalë është absurde që të përflitem sikur të isha një kriminel që strehohem një zot e di se ku, kur unë dal dhe vazhdoj jetën time si çdo ditë. Lidhur me identitetin tim nuk di të them sesi ka ndodhur, unë i kam të gjitha dokumentet e mia në shtëpi, nuk më ka humbur asnjë prej tyre dhe as më përpara nuk më ka humbur ndonjë që të kem bërë denoncim. Pas ngjarjes i kam verifikuar dokumentet, sepse u shqetësova, por unë i disponoj të gjitha dokumentet greke dhe jam i qetë për pjesën që më takon. Thjesht kjo histori më ka trazuar qetësinë familjare”, u shpreh ai. Nga ana tjetër burime nga policia e Korçës pohojnë se Renato Cepa nuk është një person i shpallur në kërkim.

Për policinë shqiptare nuk është e qartë nëse ai është i pajisur me një dokument të tillë. Policia e Amsterdamit e kontrolloi pasaportën që iu gjet Arben Frrokut, por përveç faktit që i ishte ndërruar fotografia, ky dokument nuk rezultonte në regjistrin e pasaportave të lëshuara nga autoritetet greke.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY