Projektligji “Për vullnetarizmin” i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim është shoqëruar me një procedurë të çuditshme gjatë seancës së djeshme plenare dhe me një përplasje të heshtur mes dy aleatëve të koalicionit, shkruan Panorama.
Projektligji në fjalë është votuar dy herë, dhe vetëm herën e dytë ai është miratuar me 74 vota pro dhe 1 votë abstenim. Nisma e propozuar nga dy deputetet e LSI-së, Kejdi Mehmeti dhe Silva Caka, gjatë nisjes së procesit të votimit ka “dështuar” që në votimin në parim, ku në sallë ishin prezentë 75 deputetë të maxhorancës, ndërkohë që në votim morën pjesë vetëm 70 deputetë.
Ky fakt duket se nuk i ka pëlqyer kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, cili u shpreh se projektligji nuk quhet i miratuar, pasi nga 75 deputetë vetëm 70 morën pjesë në votim. Ndërkohë që deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, ka abstenuar. Deputeti Taulant Balla nga vendi i ka kërkuar Metës që të numërojë dhe votën abstenim e se bashkë me 70 të tjerat formohej kuorumi i 71 votave.
Por Meta ka theksuar me ton se: “Ligji nuk miratohet sepse nuk ishte kuorumi i mjaftueshëm. Vetëm 70 veta morën pjesë në votim”. Ndërkohë që deputetët e PS-së kanë sqaruar se disa deputetë nuk votuan me elektronikë për shkak të problemeve teknike,
Meta ka theksuar sërish: “Ju lutem, ishin 70 deputetë të pranishëm me elektronikë, pavarësisht se në sallë ishin 76 deputetë. Gjashtë deputetë nuk morën pjesë në votim. Nuk është faji i teknikës, kam përshtypjen”. Por kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka sqaruar Metën se deputetëve të PS-së nuk u punoi elektronika, ndaj kërkoi ribërjen e votimit. “Ju lutem, deputetë janë 75 në sallë, nuk u punoi elektronika, të përsëritet votimit ose atyre që s’u punoi elektronika të votojnë me karton. Ky është rregull”.
Ndërkaq, Meta pranoi kërkesën e Ruçit për të ripërsëritur votimin. Gjatë votimit të dytë, deputetja e PSsë, Vasilika Hysi, ka votuar sërish abstenim me elektronikë, çka acaroi nënkryetarin e Grupit, Taulant Balla, i cili i kërkoi të ndryshojë votën. “O Vasilika, o Lika, po ndryshove 700 nene dhe tani voton abstenim?”, iu drejtua Balla, ndërkohë që kreu i Parlamentit, Ilir Meta, ka kërkuar që të mos u bëhet presion deputetëve. “Zoti Balla, deputetët do të votojnë sipas bindjes së tyre”, tha Meta.
Por pas kësaj ndërhyrjeje, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e kishte shprehur kundërshtinë edhe në Komisionin e Ligjeve për nismën e “vullnetarizmit”, e ndërroi votën në “pro”, duke iu bashkuar vendimit të Grupit. panorama
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/