Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka ndërmarrë një riorganizim të mundshëm të numrit të gjykatave në shkallë vendi, me tendencë reduktimin e numrit të tyre, si për Shkallën e Parë, edhe për Apelin.
Propozimin, ministri ia ka përcjellë Komisionit të Reformës. Nisma parashikon gjykata të përqendruara në drejtim, por të shpërndara në çdo pjesë administrative të territorit.
Sipas ministrit, synohet një gjykatë eficente, por edhe e aksesueshme.
Letra e plotë e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani
“Jam njohur me një studim të realizuar nga projekti CEPEJ me titull: ‘Raporti i vlerësimit në thellësi të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për vitin 2015. CEPEJ është organizata më e fuqishme sot në hapësirën Europiane, e cila posedon Know-How më të specializuar në çështjen e organizimit të shërbimit gjyqësor.
Ky raport, pas e ka analizuar më së miri organizimin gjyqësor në Shqipëri, ka vlerësuar se ka nevojë për një riorganizim tërësor të shërbimit gjyqësor sipas standardeve të çdo vendi evropian.
Studimi evidenton qartë nevojën për të shndërruar gjykatat në qendra të shërbimit efecient ndaj përdoruesve të tyre. Nga krahasimi i të dhënave dhe gjetjeve në funksion të një gjykate eficiente, një standard i sugjeruar mund të jetë që gjykata të ketë në përbërjen e saj afërsisht 40 gjyqtarë, por kjo e llogaritur deri në 100 gjyqtarë kur dendësia e popullsisë është e lartë, siç është rasti i Gjykatës së Tiranës.
Nga ana tjetër, tradita jonë, terreni i thyer, largësia nga qendrat e banuara, si dhe vështirësitë e tjera infrastrukturore, eventualisht vështirësojnë parimin e subsidiaritetit dhe të aksesit në gjykatë, nëse do të zbatohet strikt sugjerimi për një gjykatë eficiente.
Në këto kushte, po hedh për diskutim publik një ide fillestare e cila synon të harmonizojë në mënyrën më të mire të mundshme të dy standartet, që duket sikur kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Propozimi im është që të krijohen 12 gjykata fakti në rrethet gjyqësore që korrespondojnë me territorin e qarkut.
Nga ana tjetër, maksimalisht në çdo bashki dhe minimalisht aty ku ka ndërtesa gjykatash që sot funksionojnë, do të ofrohet shërbimi i gjykimit si sot. Pra, përqendrohet qendra e drejtimit të gjykatës së faktit, por është gjyqtari që shkon aty ku banojnë përdoruesit e gjykatës dhe jo e kundërta.
Për ta ilustruar, çështjet që ngrihen për gjykim nga persona me banim në bashkinë e Kavajës, do t’i marrin shërbimet në godinën e sotme të gjykatës atje, por gjykatësit do të caktohen me short nga gjykata e shkallës së pare që do ta ketë qendrën në Tiranë.
Synimi është që këtë shërbim gjykatat ta ofrojnë në çdo bashki brenda qarkut ku gjykata e shtrin juridiksionin territorial.
Pjesa e dytë e propozimit tim është që të reduktojmë gjykatat e apelit nga 6 në 4. Nisur nga sugjerimet e CEPEJ, por edhe nga logjika e përdorur për organizimin gjyqësor të gjykimit në shkallë të parë, gjykoj se duhet krijuar një gjykatë apeli që të mbulojë rajonin e Veriut me qendër në Shkodër, një gjykatë tjetër apeli që të mbulojë Shqipërinë e mesme me qendër në Tiranë, një gjykatë në Fier që të mbulojë Jugun dhe Jug-Perëndimin dhe një gjykatë në Korçë që të mbulojë Jug-Lindjen.
Gjykata të organizuara në këtë mënyrë, do të thotë:
Gjykata më efektive pasi rritja e numrit të gjyqtarëve ndikon në rritjen e numrit të çështjeve të përfunduara;
Gjykata më produktive pasi ndikon në uljen e ngarkesës së çështjeve për gjyqtar;
Menaxhim më I mire I procesit të shortit elektronik të shpërndarjes së çështjeve në selinë qendrore të gjykatës;
Një numër më i lartë i gjyqtarëve për një gjykatë rrethi, shmang konfliktin e mundshëm të interesit, midis palëve dhe gjykatës;
Redukton në maksimum procedurat e delegimit të shqyrtimit të çështjes tek gjyqtarët e tjerë me vendim të KLD-së, duke shkurtuar në këtë mënyrë kohën e gjykimit të çështjeve;
Zvogëlon kostot financiare të procesit gjyqësor;
Realizon shpërndarje më të mire të burimeve njerëzore dhe financiare;
Jam i bindur se ky propozim do të provokojë shumë debat, ashtu siç jam i vendosur ta çelim këtë debat për të arritur në formulën më të mire të mundshme të gjykatave që do të shërbejnë në të gjithë territorin, sapo të ketë përfunduar reforma në sistemin e drejtësisë.
Për këtë arsye, le të mendojmë të gjithë së bashku dhe të ulemi e të bisedojmë për këtë çështje”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/